Për situatën e tensionuar të krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka dënuar aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës dhe ka bërë thirrje që të ndërmerren veprime për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane.
“Dënoj ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë dhe pres lirimin e menjëhershëm të tyre.”
Ai ka shtuar se pala serbe duhet t’i ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjellë. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar. “Tani është koha të ndërmerren veprime që të ruhet paqja, stabiliteti rajonal dhe perspektiva jonë evropiane”, është shprehur Ahmeti.