Ish-zëdhënësi i misionit të KFOR-it në Kosovë, Vincent Grasso, ka reaguar pas kidnapimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Policia Speciale e Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas tij, nëse vërtetohet se arrestimi ka ndodhur në Kosovë, Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe Rezolutën 1244.
“Nëse konfirmohet se “arrestimi” ka ndodhur në Kosovë, është shkelje e qartë e Marrëveshjes Teknike Ushtarake dhe Rezolutës 1244, prandaj @NATO_KFOR duhet të hetojë”, ka thënë Grasso.
Më tej, ai ka lënë të nënkuptohet se ky arrestim nuk mund të jetë i rastësishëm, pasi ai ka thënë se “dyshon”.
“Gjithsesi, a është rastësi që ka ndodhur derisa në Beograd, Vuçiq po takohej me KFOR-in? Dyshoj!”, ka përfunduar ai.
Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës.
Siç u bë e ditur njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhen policët e kidnapuar, por ka theksuar se janë nën arrest dhe po mbahen në duart e institucioneve të Serbisë.