• Today is: Sunday, November 24, 2024

Biserko: Vuçiq po kërkon një “Republika Srpska” në Kosovë, Kurtin po e fajësojnë pa i dhënë garanci!

fakti
June15/ 2023

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, duke folur për situatën në veri të Kosovës ka thënë se ndërkombëtarët kanë zgjedhur të ndëshkojnë vetëm Kurtin dhe e vendosin fajin vetëm tek ai.

Ajo ka thënë se do duhej të kishin përgjegjësi të dyja palë.  “Por duhet të kemi parasysh se Beogradi ka bërë më shumë provokime dhe besoj se perëndimorët duhet të jenë më të barabartë, nuk duhet ta vendosin fajin vetëm tek më të dobëtit”, tha Biserko për Syri TV.

“Presidenti Vuçiç nuk po e kontrollon për herë të parë, situatën, që është diçka shumë acaruese për të. Po bën gabime në mënyrë të përditshme, në mënyrën se si u adresohet njerëzve, publikut më të gjerë përmes valëve të tij në televizor, çka është edhe më acaruese sepse ai ka prirjen të fyejë dhe të poshtërojë  e të margjinalizojë gjithçka që po ndodh në rrugët e Beogradit.”

E pyetur nëse mund t’i kërkohet Kosovës formimi Asociacionit pa i dhënë disa garanci, siç është anëtarësimi në NATO, Biserko thotë se kjo është pikërisht arsyeja kryesore e tensioneve të tanishme që tani po i fajësohet kryeministri Kurti, po nga ana tjetër ai nuk ka marrë asnjë garanci, pra, është një çështje që çfarë të presë.

“Është një fakt se Vuçiç nuk i zbaton, ai në shtëpi (Serbi) thotë se nuk ka firmosur asgjë dhe nuk mund të më detyroni për asgjë. Pra, nuk është serioz në pjesëmarrjen në këtë dialog dhe sigurisht po i denoncon të dyja marrëveshjet, gjithçka që nuk është e vlefshme për Beogradin sipas tij”.

“Pra, ai po kërkon për Asociacionin,  që është si një ‘Republika Srpska’ për Beogradin, por për sa i përket Kosovës, në çfarëdolloj mënyre ky Asociacion, si do të integrohet në Kosovë, nëse ka pesë vende në BE që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk do të ketë garanci, nëse nuk ka garanci për anëtarësimin në NATO. Pra, ka shumë arsye nga ana e Kosovës për të mos i qëndruar kësaj vije si të thuash, kësaj agjende të cilën po mundohet ta imponojë Beogradi”, thotë ajo.

Biserko mendon se Kosova ka të gjitha arsyet për të dyshuar në synimet e mira të Beogradit dhe tani dyshohet se tre policë shqiptarë janë arrestuar nga Serbia.

“Kjo pra për të krijuar tensione dhe situata dhe provokime në kufi ndoshta dhe kjo është diçka që Perëndimi, sidomos NATO, BE dhe SHBA duhet ta vendosin nën kontroll të plotë sepse nëse ka mbi 90  ushtarë të KFOR-it të lënduar në këtë përplasje në veri, është diçka e papranueshme për NATO-n. Nuk do ta lejojnë më tej dhe nëse vijon në këtë drejtim, zgjedhjet do të jenë të ndryshme. Besoj se kjo është një gjë që të dyja palët duhet ta kenë në mendje, sidomos Beogradi”, thotë Biserko.