• Today is: Sunday, November 24, 2024

KIDNAPIMI I TRE POLICËVE TË KOSOVËS/ REAGIMET DHE PASOJAT

fakti
June15/ 2023

Rrëmbimi i tre policisë të Kosovës nga forcat serbe ‘Kobra’ ka marrë vëmendjen e mediave të huaja. “Reuters” i ka kushtuar një artikull tensioneve të fundit si edhe deklaratave të zyrtarëve pas kësaj ngjarje të rëndë.

Më tej artikulli vijon:

Tre policë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe, por zyrtarët nga Kosova dhe Serbia dhanë lokacione të ndryshme për arrestimin, duke akuzuar njëri-tjetrin për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi lirimin e tre oficerëve. Ai tha se ata ishin arrestuar 300 metra brenda territorit të Kosovës, afër kufirit me Serbinë.

 

“Hyrja e forcave serbe në territorin e Kosovës është agresion dhe ka për qëllim përshkallëzimin dhe destabilizimin”, ka shkruar Kurti në faqen e tij në Facebook.

Por presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se të tre u arrestuan “deri në 1.8 kilometra brenda territorit serb.

Ai akuzoi edhe Kurtin për nxitje të konflikteve.

“Ne jemi në udhëkryq, nuk dimë nëse do të kemi paqe apo jo. Nëse ka një njeri në Ballkan që dëshiron të nxisë konflikte me çdo kusht, ai është Albin Kurti”, tha Vuçiç.

Ai hodhi poshtë akuzat e Kurtit se policia serbe ka hyrë në Kosovë, duke thënë: “As nuk kanë vënë këmbë atje”.

Vuçiç tha se Beogradi ishte i gatshëm të dorëzonte të gjitha provat dhe të pranonte një hetim ndërkombëtar për arrestimet dhe se mund të zhvendoste disa nga ushtritë e tij të vendosura aktualisht rreth pesë km (3.1 milje) larg kufirit në garnizone brenda Serbisë për të ulur tensionet.

“Do të jetë e vështirë të ktheheni në normalitet”, tha ai.

Kosova ndaloi të gjitha automjetet me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e saj në përgjigje të arrestimeve, tha një zyrtar i ministrisë së Brendshme për Reuters.

Ndalimet mund të nxisin më tej tensionet në pjesën veriore me shumicë serbe në Kosovë, e cila kufizohet me Serbinë dhe javët e fundit është përfshirë në përplasje të dhunshme.

KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe për rastin e tre policëve të Kosovës

 

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Policia e Kosovës tha se tre zyrtarë të saj janë “kidnapuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

“KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre policëve të Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të pranuar informacion zyrtar lidhur me atë që ndodhi”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

 

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur policët dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

 

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Policia tha se për këtë ngjarje ka njoftuar KFOR-in.

Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

Rama: Po presim KFOR-in ta hetojë rastin

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka lëshuar një reagim pas lajmit për kidnapimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri.

Rama tha se po pret që rasti të hetohet nga KFOR-i para se ta bëjë të ditur qëndrimin e tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka thënë Rama.

Ai tha se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe do të veprojë si e tillë, duke mos reaguar menjëherë pa fjalën përfundimtare të KFOR-it në këtë rast.

“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat!”, tha ai.

Deputetja britanike: Nëse policët janë rrëmbyer brenda Kosovës, ky është një përshkallëzim shumë serioz

 

Deputetja britanike dhe njëherësh kryetarja e komisionit për politikë të jashtme e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj rrëmbimit të tre policëve brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.

Deputetja britanike, Kerans përmes një postimi në Twitter, ka thënë se “nëse policët kosovarë janë rrëmbyer nga forcat serbe që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, ky është një përshkallëzim shumë serioz”.

“Kjo do të kërkonte një sanksion të rëndësishëm nga fuqitë perëndimore, të cilat nuk janë përmbajtur nga sanksionet dhe kritikat ndaj Kosovës për gjëra shumë më të vogla”, ka shkruar deputetja britanike.

 

Kosova ndalon hyrjen e veturave me targa të Serbisë

 

Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, institucionet kanë vendosur që të ndalojnë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu për REL.