• Today is: Sunday, November 24, 2024

SI FESTOHEJ ÇLIRIMI I KOSOVËS NË SHKUP?

fakti
June11/ 2023

Qyteti i Shkupit në ato ditë qershori (11, 12, 13…) oshtinte nga brohoritjet e shumta: NATO-UÇK-KOSOVA! Pastaj, binin në sy pankartat të shkruara jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në atë angleze. Vëreheshin transparentet “Edhe ne jemi NATO”, “Ne ju duam, NATO” dhe krahas kësaj vinte brohoritja “USA”, “Deuttschland”, “Great Britain” etj. Në atë ‘teatër’ ku derdhej lumturia e njerëzve të vuajtur, binte në sy edhe një hollësi tjetër. Ushtarët e NATO-s, u jepnin qytetarëve flamuj të shteteve që u përkisnin, gjerman, anglezë, italian, francezë etj.

Nga Emin AZEMI

Për të rikthyer një pjesë të kujtesës për ngjarjet e bujshme që shënuan historinë e lirisë së Kosovës, qershor 1999, në këtë editorial do të sublimoj disa reminishenca ndodhish që ishin regjistruar edhe nga syri i gazetarit.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, ishin rikthyer shpresat te qindra mijëra kosovarë që kishin qëndruar mbi tre muaj në Maqedoni. Kjo ngjarje kishte rikthyer sidomos buzëqeshjen te fëmijët, ndërkohë që nëpër rrugët e Shkupit që nga 11 qershori po ndodhte parakalimi i trupave të NATO-s në drejtim të shtetit të Kosovës. Me mijëra qytetarë nga Kosova, por edhe bashkëkombësit e tyre nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Struga etj. kishin dalur që t’i përshëndetnin ushtarët e Aleancës Veriatlantike. Lumi i madh i njerëzve vërehej që nga ura e Bit Pazarit e deri tek kazerma e ARM-së. Këtu kishin dalur i madh e i vogël, kurse shumë të rinj shqiptarë mbanin fanellat me mbishkrimet “NATO”, “UÇK”, ca të tjerë kishin ngjyrosur fytyrat me ngjyrë kuq e zi. Një kolorit i këtillë i jepte pamje të bukur qytetit të Shkupit, në të cilin ato ditë po bënte vapë e madhe tropikale. Këtë ngjarje të pazakonshme e patën ndjekur edhe një numër i madh i gazetarëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.

Ne që ishim dëshmitarë të atyre ngjarjeve, kishim mundur të fiksojmë në memorie, por edhe në shiritin e celuloidit, skena nga më të ndryshmet, që përshkruanin në vetvete entuziazmin që prodhonte fitorja e NATOS mbi makinerinë vrastare të Millosheviqit. Nga tanket, por edhe nga automjetet e ndryshme, ushtarët e NATO-s i ngrisnin dy gishtërinjtë në shenjë të fitores – çlirimit të Kosovës. Në shenjë nderimi, natyrisht edhe turma e qytetarëve i ngrisnin dy gishtërinjtë. Në një pjesë të qytetit nga një grumbull i fëmijëve u dëgjua brohoritja “O Millosh, ore pis, ne nuk jemi terrorist”. Pak më tutje, një pakicë e qytetarëve maqedonas, serb shprehnin tërbimin e tyre, ngrisnin tre gishtërinj, provokonin ndonjë incident të madh, por nuk ia arritën, ngase ata ishin të paktë dhe çdo veprim i tyre, sa çel e mbyll sytë, amortizohej. Ithtarët e atyre që i ngrisnin tre gishtërinj, madje patën marrë edhe rolin “e kaskaderëve”, me automjetet e tyre turreshin si të tërbuar nga turma e qytetarëve.

Qyteti i Shkupit në ato ditë qershori (11, 12, 13…) oshtinte nga brohoritjet e shumta. Më së shumti u dëgjua brohoritja: NATO-UÇK-KOSOVA. Pastaj, binin në sy pankartat të shkruara jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në atë angleze. Vëreheshin transparentet “Edhe ne jemi NATO”, “Ne ju duam, NATO” dhe krahas kësaj vinte brohoritja “USA”, “Deuttschland”, “Great Britain” etj. Në atë ‘teatër’ ku derdhej lumturia e njerëzve të vuajtur, binte në sy edhe një hollësi tjetër. Ushtarët e NATO-s, u jepnin qytetarëve flamuj të shteteve që u përkisnin, gjerman, anglezë, italian, francezë etj.

Më 14 qershor, që nga orët e pasdites, policia ishte pozicionuar në shumë udhëkryqe afër Bit Pazarit dhe kjo bëri që qytetarët të mos tubohen për t’i përshëndetur forcat e NATO-s që shkonin në drejtim të Kosovës. Dikush qe kujdesur që gota e entuziazmit të mos derdhej, sepse po prishej “oaza e paqes” dhe pastaj do të ngelnin të etur “minjtë e vegjël” të kthinave të padukshme të antihistorisë.

“UÇK, UÇK, UÇK, NATO” borohoritnin fëmijët të cilët besojnë se këto janë dy forca të cilat çliruan ata. Prej dje, vendkalimin kufitar në Han të Elezit e kontrollojnë marincat amerikanë.

Përgjat rrugës Elez Han – Kaçanik vëreheshin vetëm ushtarë të njësive speciale britanike. Sipas konstruktit të tyre fizik dhe nga vetë këta kuptuam se të gjithë ishin me prejadhje nga Nepali. Ishte interesant se vendqëndrimet e kësaj elite britanike për syrin tonë dukeshoin, sikur skenat e filmave amerikanë që janë xhiruar në luftën e Vietnamit. Qyteti i Kaçanikut dukej si i vdekur, përveç se në hyrje që ishin vendosur ushtarët britanikë, e në brendi ata të UÇK-së, banorë civil nuk kishte asnjë.

Në kulmin e soliterit tetëkatësh të Kaçanikut, që gjendet në rrugën ‘Emin Duraku’ valvitej flamuri ynë kombëtar. Dyqanet që i përshkonin rrugët e Kaçanikut shiheshin se janë tërësisht të plaçkitura, ndërsa disa prej tyre ishin edhe të djegura.

Rruga e mëtejme që na çonte drejt Prishtinës dukej sikur të ishim në ndonjë kolonë dasme. Por me një ndryshim të vogël, se në atë vend që t’na printe flamuri kombëtar, na printe flamuri britanik.

Një gjallëri e madhe e njerëzve vërehej në fshatrat e komunës së Lipjanit si Llugaxhi, Banullë etj etj., ku ata pak banorë, që kishin ngelur shiheshin, se si menjëherë kanë filluar të punojnë nga pak arat e tyre.

Te Kryqi i Banullës, varganet e ushtarët britanik ndaheshin në tre drejtime, ku pjesa dërrmuese shkonte në drejtim të Prishtinës.

Në hyrje të Prishtinës nga drejtimi i Lipjanit vinin kolona të gjata të serbëve nga Suhareka, të cilët në traktorët dhe kamionët e tyre kishin ngarkuar plaçka dhe shkonin në drejtim të kryeqendrës.

Në Prishtinë qarkullimi i njerëzve ishte shumë i vogël, sidomos i atyre pak shqiptarëve që kanë ngelur.

Nga biseda që e bëmë me disa shqiptarë që kishin qenë gjatë tërë kohës aty na treguan se vetëm sot ka një lëvizje pak më të madhe të shqiptarëve dhe na treguan se dita kur u futën ushtarët rus në Prishtinë ka qenë më e tmerrshmja.

Terroristët serbë nga euforia kishin filluar të futen, nëpër disa shtëpi, ku kishte shqiptarë duke i maltretuar dhe fyer banorët thuajse gjatë tërë natës, shkruante FAKTI më 11 qershor, 1999.