• Today is: Sunday, November 24, 2024

A PO SILLET RAMA MË NDËRKOMBËTAR SE NDËRKOMBËTARËT?!

fakti
June08/ 2023

Me apo pa qëllim, me apo pa vetëdije, Rama me këtë sjellje tepër ndërkombëtare, po ia shtërngon edhe më tepër lakun Kosovës, e cila nuk e meriton të ballafaqohet me një ekuidistancë të tillë politike e diplomatike të Tiranës zyrtare. Çelësi i krizës në veri të Kosovës duhet kërkuar në Beograd. E pakta që mund të bëjë Edi Rama është të mos shtiret sikur edhe ai nuk e di se ku ndodhet ai çelës

Nga Emin AZEMI

Kryeministri Rama ka të drejtë të jetë i revoltuar nëse refuzohet nga Kryeminstri Kurti për ta takuar këtë të fundit. Por nëse ende nuk ka ndodhur ky refuzim, ai nuk ka të drejtë të ketë qëndrim kaq ndërkombëtar për një problem shumë kombëtar, siç është veriu i Kosovës, apo Kosova përgjithësisht dhe më së paku të tregoj se kush është e kush nuk është zot shtëpie në Kosovë. Nuk i takon  atij ta fyej kaq rëndë lidershipin kosovar, duke ia rrudhur atij prerogativat kushtetuese e shtetndërtuese  në favor të një vardisje kaq pa takt ndaj ndërkombëtarëve.
Ashtu siç e tha Rama dhe ashtu siç e dëgjuam,  po del që politikanët e Kosovës janë dofar aparatçikësh të papërfillshëm që rastësisht kanë ardhur në krye të pushtetit, siç pretendon edhe Beogradi, sepse janë ndërkombëtarët ata të cilët me zotnillëkun e tyre (ala Lajçak) caktojnë rregulla se si duhet të duket shtëpia e pambaruar e quajtur Kosovë. Me fjalë të tjera, sipas Ramës kot njerëzit votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e Kosovës, sepse vjen një moment dhe ky përfaqësim zhbëhet saora si fluskë sapuni para presionit të ndërkombëtarëve, të cilët në Prishtinë vijnë me kërkesat e Vuçiqit (!).
“Ata nuk janë ndërkombëtarë, siç po pretendoni ju…” tha Rama, duke ua ngarkuar edhe një atribut të paqenë ndërmjetësve të BE-së dhe SHBA-ve. Prej sot, sipas Ramës, të gjithë ndërkombëtarët që vijnë në Prishtinë, fillimisht janë një biçim guvernatorësh të Kosovës, që i bie të jenë dofar politikanësh vendorë të pavotuar, por të plotëfuqishëm me kompetenca ekzekutive, e tek pastaj diplomatë të huaj. Vetëm në Kosovë, sipas Ramës të huajt mund të sillen si politikanë vendorë, por jo edhe në Serbi, sepse atje rregullat e xhunglës janë më të pranueshme se çfarë do qëndrimi parimor i Qeverisë së Kosovës.

Në një paraqitje të sotme para gazetarëve, Ramën e pamë se ishte i brengosur për situatën e krijuar pas ngërçit që u krijua në veri të Kosovës, si pasojë e përplasjeve në mes të ndërkombëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës mbi ecurinë e procesit zgjedhor në veri pas implementimit të produktit institucional që doli nga këto zgjedhje.
Përpos që e pamë të brengosur, sidomos për pasojat e mundshme mbi Kosovën,  Ramën nuk e pamë shumë të interesuar që të kontribuojë vet në tejkalimin e kësaj situate. Mosinteresimi i tij buronte nga mënyra se si i trajtonte ngjarjet e fundit në Kosovë, duke i dhënë vetes të drejtë të vetpërjashtohet nga një proces, i cili para se të jetë ndërkombëtar, është kombëtar. Nga mënyra e  argumentimit të gjërave, por edhe nga gjuha e trupit, kryeminstrin Rama asgjë nuk e dallonte prej kryeministrit të Kroacisë, të Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër, që kurrfarë lidhje shpirtërore e vëllazërore  nuk ka me Kosovën.
Kontestimi i të drejtës së shtetit të Kosovës për të ushtruar pushtet në katër komunat në veri të vendit, një aspiratë kjo e kahershme e Beogradit, dhe insistimi i Kryeministrit Kurti që kjo e drejtë të realizohet pikë për pikë sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës, përbën thelbin e krizës momentale nëpër të cilën po kalon Kosova. Koha do ta dëshmojë nëse e drejta apo arbitrariteti ishin gjëja më e nevojshme për të ardhmen e Kosovës, por kryeminstrit Rama nuk i takon të sillet kaq drejtpeshues dhe kaq ndërkombtarisht kundrejt Kosovës, sepse këtë fundja nuk ia lejon as Kushtetuta, dhe më së paku të sillet sikur një prind i zhgënjyer me fëmijën që ia ka prishë pak qejfin.
Atë paraqitje të sotme para gazetarëve, Rama do të duhej ta kishte në Prishtinë pas takimit me Kurtin, të cilin do ta njoftonte me draft-version mbi statusin e Asocacionit dhe ku do të jepte edhe një herë kontributin e tij prej burrështetasi që ka raporte të mira edhe me Vuçiqin, edhe me politikanët në Berlin e Paris.
Ku u tret ajo karizma e Ramës që bënte avokatin në raport me Vuçiqin duke e justifikuar dhe mbrojtur këtë të fundit nga akuzat e Perëndimit për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Si është e mundur të sillet kaq jodrejtpeshues kur është në pyetje sikleti që ka Vuçiqi me Perëndimin dhe të tregohet një kirurg kaq i ftohtë ndaj “pacientit” Kurti?!
Ku e ka burimin ky sens për të kuptuar kaq thellë shqetësimet e Beogradit dhe për të injoruar kaq brutalisht problemet nëpër të cilat po kalon Kosova aktualisht?
Karizmën e tij prej burrështetasi që ka raporte të mira edhe me Vuçiqin, edhe me politikanët në Berlin e Paris, Rama nuk po e shfrytëzon por sillet si një ndërkombëtar i ftoftë ndaj Kosovës. Ky qëndrim i tij  mund të duket jotipik në sytë e atyre që e shohin të shkëputur çështjen shqiptare në Ballkan, sidomos në ato pjesë të pambyllura që mund të prodhojnë pasoja edhe për vet shtetin shqiptar. Ai mund të duket mjaft simpatik edhe në sytë e ndonjë politikani në Beograd që ditën flirton me Brukselin dhe Washingtonin, kurse natën bën dasëm me Kremlinin.
Me apo pa qëllim, me apo pa vetëdije, Rama me këtë sjellje tepër ndërkombëtare (ala borrellçe), po ia shtërngon edhe më tepër lakun Kosovës, e cila nuk e meriton të ballafaqohet me një ekuidistancë të tillë politike e diplomatike të Tiranës zyrtare.
Çelësi i krizës në veri të Kosovës duhet kërkuar në Beograd, kurse ajo çka po përjeton Kosova aktualisht është pasojë e fshehjes së këtij çelësi në labirinthet e gjeopolitikës së re që po i troket rajonit.
E pakta që mund të bëjë Edi Rama është të mos shtiret sikur edhe ai nuk e di se ku ndodhet ai dreq çelës, sepse nesër mund  t’i ndodhë edhe atij ndonjë epozodë filmi me ndërkombëtarët, sidomos atëherë kur në vend të çelësit do të kërkohet porta për të hapur ndonjë “kuti pandore” ku mund të jetë edhe ai njëfar personazhi.

Shkup, 07 qershor 2023