• Today is: Monday, April 29, 2024

Në Maqedoninë e Veriut ka mungesë të punëtorëve për kompanitë gjermane

fakti
June08/ 2023

Shkup, 07 qershor 2023 – Sfidat më të mëdha me të cilat përballen kompanitë gjermane në realizimin e planeve të tyre investuese janë rritja e çmimeve të energjisë dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Për investitorët gjermanë, pakënaqësia me proceset dhe procedurat kundër korrupsionit, efikasiteti i pamjaftueshëm i administratës publike dhe skepticizmi për sigurinë ligjore, e vështirësojnë planifikimin afatgjatë të aktiviteteve të tyre, informon DW në gjuhën maqedonase.

Në anketën  e fundit për klimën e biznesit në vend, të cilin Delegacioni i Ekonomisë Gjermane në Maqedoninë e Veriut (AHK) dhe Asociacioni Maqedono-Gjerman i Biznesit e bëjnë prej 20 vitesh, rezulton që 80% e kompanive të anketuara dëshirojnë t’i zgjerojnë investimet, si dhe rritjen e numrit të vendeve të punës në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, kompanitë e anketuara shprehën pakënaqësi për luftën kundër korrupsionit, sigurinë juridike dhe efikasitetin e administratës publike. Një tjetër e gjetur nga kjo anketë është fakti se vitet e fundit kompanitë janë përballur me mungesë të punëtorëve të kualifikuar.

Nga rezultatet e anketës, mund të konkludohet se si investitorët gjermanë e vlerësojnë atraktivitetin e Maqedonisë së Veriut në kushtet e investimit në krahasim me konkurrencën. Nga anketa për klimën e biznesit për vitin 2023, vëhet re se kompanitë sërish situatën e tyre të biznesit e vlerësojnë pozitivisht, megjithëse vlerësimi që ata i japin situatës së përgjithshme ekonomike është më pak pozitiv. 22 për qind e kompanive të anketuara vlerësojnë situatën e tyre aktuale të biznesit si të mirë, ndërsa rreth 31 për qind e kompanive të anketuara presin përmirësim gjatë këtij viti kalendarik, tranmseton Gazeta FAKTI.