• Today is: Sunday, November 24, 2024

SHËRBIMET SHËNDETËSORE NË RMV/ KOSOVARËT NUK DO TË PAGUAJNË DYFISH

fakti
June08/ 2023

 Sipas legjislacionit në fuqi të Kosovës, gjithsecili qytetar  gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë. Numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore në vitin 2022 ishte 1 mijë e 14 persona

Shkup, 07 qershor 2023 – Aktualisht shumë qytetarë të Kosovës shfrytëzojnë shërbime shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, por për dallim nga sektori privat, ku pagesat janë të njëjta, në sektorin publik, çmimet për ta janë dyfish më të shtrenjta.
Por, ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, thotë se tani e tutje kjo nuk do të jetë kështu, pasi qytetarët e Kosovës, shërbimet shëndetësore në Institucionet publike të RMV-së do të mund t’i kryejnë me çmim të njëjtë me qytetarët e RMV-së, informon tvm2.

Qytetarët  e Kosovës kanë  paguar çmime të dyfishta edhe atë vetëm në shëndetësinë publike, jo në atë private. Në atë private edhe ju si gazetare edhe ata të Kosovës kanë qenë të barabartë, kanë pasur një çmim të njëjtë, në shëndetësinë publike ka pasur një dallim të madh, edhe atë prej ditën e parë kam pasur takim, kam thirrur edhe ambasadorin të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Maqedoni dhe kemi rënë dakord dhe menjëherë kam marrë masa dhe i kam drejtuar te të gjithë, te klinikat dhe organizatat shëndetësore në RMV dhe të gjithë sistemin publik shëndetësor  që kjo të nivelizohet të ketë çmim të njëjtë, si për të vendit, si për të huajt, për nevojat shëndetësore”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Mexhiti njëherit theksoi se ka marrë masa që kjo çështje të rregullohet edhe për shqiptarët e Shqipërisë, të cilët i vizitojnë spitalet në Resnjë dhe Ohër, ndërsa kjo çështje është diskutuar edhe me ambasadorin e Greqisë për bashkëpunim të njëjtë bilateral me shtetin grek.
Edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sot në konferencë për 100 ditët e kësaj partie në Qeveri, ka thënë se së shpejti do të mundësohet që shtetasit e Kosovës të paguajnë tarifa të njëjta si shtetasit e Maqedonisë së Veriut në shërbime shëndetësore.

“Do të sigurojmë 20 ambulanca për institucionet shëndetësore në vend dhe në fund jam i lumtur të iu njoftoj se vëllezërit tanë nga Kosova nuk do të paguajnë më shuma astronomike për shërbime shëndetësore në Shkup. Tarifat për shtetasit e Kosovës do të jenë të njëjta sikur ato për shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Taravari.

Qindra-mijra kosovarë kërkojnë mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës.

Sipas këtij Fondi numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore në vitin 2022 ishte 1 mijë e 14 persona.

“Numri i pacienteve të cilat kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin tyre jashtë institucioneve shëndetësore për periudhën Janar- Nëntor 2022, është: 1014”, thuhej nga Fondi për lajmi.net.

Ndërsa për Radion Evropa e Lirë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës kishte njoftuar se numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike të Kosovës në vitin 2021, ka qenë 1,124, ndërsa shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara ka shkuar në gati 10 milionë euro

Sipas legjislacionit në fuqi, gjithsecili qytetar i Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Ndihma ofrohet përmes programit të Ministrisë së Shëndetësisë: Trajtimi Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP).

Edhe pse janë mijëra pacientë nga Kosova që kërkojnë trajtim jashtë vendit, institucionet e Kosovës kanë vetëm një marrëveshje për këtë qëllim – atë me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga viti 2010, çdo vit, 100 pacientë nga Kosova mund të trajtohen falas në institucionet shëndetësore publike të Turqisë.

 

 

Mungesën e marrëveshjeve të tjera e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe vetë Ministria e Shëndetësisë (MSH) e Kosovës.

“MSH-ja nuk ka marrëveshje me spitale publike [përveç asaj me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë] apo private, sepse sipas Udhëzimit Administrativ me të cilin funksionon Programi TMJISHP, qytetari/pacienti është ai që vetë përzgjedh institucionin ku do ta marrë mjekimin, derisa Fondi paguan faturën me çmim më të arsyeshëm: 70% për personat mbi 18 vjeç [deri në 30,000 euro shuma maksimale] dhe 100% për fëmijë [deri në 30,000 euro]”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Shuma deri në 30,000 euro ndahet për periudhën deri në një vit. Qytetari apo pacienti ka të drejtë të aplikojë sërish pas një viti, varësisht sëmundjes dhe nevojave.

Në raste të veçanta, sipas legjislacionit në fuqi, Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të marrë vendim të ndajë shuma mbi 30 mijë euro për trajtim të pacientëve jashtë vendit, transmeton Gazeta FAKTI.