• Today is: Sunday, November 24, 2024

KOSOVA NË MES TË “PROAMERIKANIZMIT” TË OPOZITËS DHE “ANTIAMERIKANIZMIT” TË KURTIT

fakti
June06/ 2023

Çuditërisht,  “proamerikanizmi” i Kosovës nuk po matet sipas disponimit gjithpopullor që kanë shqiptarët ndaj Amerikës, por po matet vetëm kur po vjen në pyetje qëndrimi i qeverive të Kosovës ndaj Serbisë. Gjeneza e të gjitha sherreve të pambyllura me serbët (tash dhe në të ardhmen), është në projektin famëkeq të decentralizimit etnik (me autorë shqiptar  “proamerikanënga ish qeveritë e Kosovës), i cili paradoksalisht ka shumë pikëtakime me elaboratin fashizoid të Çubrilloviqit (!)

 

Nga Emin AZEMI

Në mungesë të një politike shtetërore (kombëtare) afatgjate të Kosovës ndaj Serbisë, në periudhën e pasluftës, janë prodhuar situata absurde në raport me aleatët dhe partnerët e saj strategjik, kryesisht me SHBA-të.
Nëse Albin Kurti qenka antiamerikan, siç po thotë opozita dhe një pjesë e  analistëve, kjo do të ishte shumë keq, jo për Kurtin por për Kosovën. Prandaj kryeministri i Kosovës duhet një orë e më parë të reflektojë, që i bie, të koordinohet fillimisht me vetveten, sepse po shihet se vendimmarrja politike e tij nuk po kalon gjithmonë nëpër një fleksibilitet të nevojshëm, që duhet ta ketë çdo politikan i përgjegjshëm.
Kurti nuk duhet të harroj se vendimet e tij shtetërore  e politike, kanë reperkusione edhe të jashtme- gjeopolitike, për shkak se procesi i normalizimit dhe paqes në rajon ende nuk është mbyllur, ku Serbia vazhdon të jetë fajtori kryesor për këtë dhe për shkak se Rusia është ende e interesuar ta ukrainizojë Ballkanin. Vendimet e Kurtit mund të jenë të dobishme në shikim të parë për kredibilitetin shtetëror të qeverisë së tij, por ndoshta mund të jenë me pasoja për politikën e jashtme amerikane mbi Ballkanin (?!).
Nëse opozita qenka “proamerikane”, siç po proklamohet deklaratavisht, atëherë sa ka përfituar Kosova nga kjo, sepse në kulmin e “proamerikanizmit” të saj ka ndodhur marrëveshja e vitit 2013 me Serbinë e cila kurrë nuk u ratifikua në Parlamentin serb.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka ndodhur decentralizimi monoetnik i Kosovës, ku si pasojë dhjetë komuna xhuxhe të pakicës serbe u shndërruan  artificialisht në shumicë serbe. Gjeneza e të gjitha sherreve të pambyllura me serbët (tash dhe në të ardhmen), është pikërisht në projektin famëkeq të decentralizimit etnik (me autorë shqiptar  “proamerikanë”nga ish qeveritë e Kosovës), i cili paradoksalisht ka shumë pikëtakime me elaboratin fashizoid të Çubrilloviqit (!)
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka ndodhur debati për shkëmbimin territorial, një debat ky klandestin që kurrë nuk u mor vesh nëse ishte  produkt i mendjeve politike të Kosovës,imponim i Beogradit, apo ishte njëfarë miksture interesash shumëpalëshe, ku SHBA disi mbeti njëfarë lojtari i mjegullt, por gjithsesi shumë i informuar.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, për dy dekada me radhë, ka ndodhur pastrimi etnik i Serbisë së jugut, ku shqiptarëve iu pasivizuan adresat dhe iu mbyllën të gjitha shtigjet e perspektivës për të jetuar dhe punuar në vendlindjet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Për këto veprime gjenocidale, madje regjimi i Beogradit nuk u koordinua fare as me amerikanët as me eskimezët.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, veriu i Kosovës mbeti jashtë kontrollit të institucioneve të Prishtinës, por shumë i kontrolluar nga bandat mafioze të Vuçiqit. Në fakt, sot këto banda po e kundërshtojnë shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin, e jo popullata vendore serbe e veriut. Kjo popullatë vazhdon të jetë e kidnapuar nga ambiciet e pafshehura të Vuçiqit për ta paraqitur këtë pjesë të Kosovës si zgjatim i projektit të “botës serbe”.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka ndodhur rinegocimi i statusit të Kosovës pas mendimit pozitiv të GJND-së (2009) mbi shpalljen e shteti të pavarur të Kosovës.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka vazhduar ankthi i moskthimit të personave të pagjetur nga gropat misterioze të Serbisë dhe ky problem vazhdon të jetë aktual edhe sot. Këtë krim të fshehur, por të pandëshkuar ndaj shqiptarëve, Beogradi vazhdon ta kultivojë si pjesë e  një regjimi dhe shoqërie që nuk e ka kaluar procesin e denacifikimit dhe e gjithë kjo po bëhet pa kurrfarë koordinimi me amerikanët (!)
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, mbi 1200 artefakte të Kosovës qëndrojnë më shumë se njëzetë vite në Beograd, ndonëse Serbia ishte dakorduar para ndërkombëtarëve që t’ia kthejë Kosovës këtë trashëgimi kulturore. Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës në maj të vitit 2002 i është kthyer vetëm një prej tyre, “Hyjnesha në Fron”. Moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare, mirëpo burokratët spanjollë dhe sllovak të Brukselit deri më tani nuk e kanë thënë as edhe një fjalë të vetme.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ndodhi ikja nga Kosova e dhjetëra investimeve të jashtme që mund të shndërroheshin në fabrika gjigante për punësimin e mijëra njerëzve, si pasojë e urisë gërditëse për ryshfet të sekserëve qeveritarë. Në vend se investitorët e jashtëm të priteshin duar hapur për shkak të gjendjes së mjerueshme të popullatës së papunë të Kosovës, ata iu nënshtroheshin haraçit të njerëzve që përfaqësonin qeveritë e kaluara. Vetëm në Maqedoninë e Veriut janë tri korporata të mëdha multinacionale, të cilat fillimisht kishin planifikuar të investonin në Kosovë, por ato u dëbuan nga ish qeveritarët të cilët  “proamerikanizmin” e përdornin si uniformë të maskuar për t’u mbrojtur nga veprimet korruptive.

T’i kthehemi edhe një herë Kurtit.
Ku e ka mirë ai dhe ku gabon?
Ai e ka mirë kur si kryeministër i një shtetit sovran mundohet që para bashkësisë ndërkombëtare Kosovën të mos e perceptojë si problem të brendshëm të Serbisë, kurse popullatën vendore serbe ta paraqes si pjesë integrale të politikave sociale, arsimore, ekonomike të shtetit të Kosovës.
Veriu i Kosovës deri para dy viteve ka qenë në hartat elektorale të Serbisë dhe regjimi i Beogradit papengueshëm ka mbajtur zgjedhje atje sikur të ishte ai territor i Serbisë. Kjo hartë për Kurtin u shpall e pavlefshme.
Në veriun e Kosovës, simbolet shtetërore të Serbisë, duke filluar nga flamujt, targat, dokumentet e identifikimit dhe të udhëtimit, kanë  shprehur fuqishëm prezencën jo vetëm fizike, por edhe juridike, kushtetuese e shtetërore të Serbisë në atë pjesë të Kosovës.
Ka dy vjet që kjo prezencë fizike e shtetërore e Beogradit po has në kundërshtim nga kryeministri Kurti dhe këtu fillon trajtimi i Kosovës jo si problem i brendshëm i Serbisë, por si problem i qytetarëve të saj, pa dallim etninë, fenë, gjuhën etj. Këtu fillon trajtimi i Kosovës në frymën e një realiteti të ri të krijuar pas vitit 1999, realitet ky që u deformua dhunshëm nga Serbia e ndihmuar indirekt edhe nga ish qeveritarët shqiptarë në Prishtinë.  Çuditërisht këtu fillon edhe përplasja me bashkësinë ndërkombëtare, e që në gjuhën opozitare të Kosovës kualifikohet si “antiamerikanizëm” i Kurtit.
Por, të gjitha këto lëvizje politike e shtetërore, nuk e bëjnë Kurtin “antiamerikan”, siç po thotë opozita dhe një pjesë analistëve.
Nëse Kurti qenka “antiamerikan” pse po e nxjerr Kosovën nga orbita e “botës serbe”, ky është një vlerësim i gabueshëm dhe i pastudiuar mirë, që është pasojë e mungesës së një strategjie shtetërore (kombëtare) afatgjate të Kosovës (në bashkëpunim edhe me Shqipërinë) kundrejt Serbisë.
Të nxjerrësh Kosovën nga orbita e “botës serbe”, i bie që ta largosh atë nga ndikimi rus, një angazhim ky permanent edhe i Washingtonit zyrtar. Me fjalë të tjera, Kosova e vogël po i ndihmon sado pak Amerikës së madhe në përpjekjet saj për të dobësuar ndikimin rus në Ballkan.
Të nxjerrësh Kosovën nga orbita e “botës serbe”, nënkupton paraqitjen e Vuçiqit para dhjetëra mijëra protestuseve serbë në Serbi si politikan i dobët që Kosovën e përdor për konsum të brendshëm politik e jo si kauzë e interesave nacionale të serbëve. Kjo, pra është meritë e Kurtit, sepse fundja edhe vet Vuçiqi e ka piketuar atë si bashkëbiseduesin më “problematik” në mesin e politikanëve të Kosovës, ndonjërin prej të cilëve ai e kishte “testuar” edhe sa i përket njohurive të gjuhës serbe.
Çuditërisht,   “proamerikanizmi” i Kosovës nuk po matet sipas disponimit gjithpopullor që kanë shqiptarët ndaj Amerikës, por po matet vetëm kur po vjen në pyetje qëndrimi i qeverive të Kosovës ndaj Serbisë.
Një shtet apo një popull është antiamerikan, kur del hapur në anën e Rusisë, Kinës, Iranit, Koresë  së Veriut, Hezbollahut, ISSIS-it dhe kundërshton sanksionet ndaj këtyre shteteve dhe organizatave terroriste
Një shtet apo një popull është antiamerikan, kur përqafon vlera të dyshimta civilizuese  që biejnë ndesh me doktrinat kulturologjike e civilizuese euro-atlantike.
Të gjitha këto pozicione dhe anime, shqiptarët jo vetëm që nuk i kanë, por madje janë treguar edhe më “katolik se Papa” duke e paraqitur veten si shteti i 51-të i SHBA-ve për shkak të respektit dhe mirënjohjes ndaj popullit amerikan dhe udhëheqësve të tij të lavdishëm për gjithçka që kanë bërë për shtetndërtimin e shqiptarëve.

Ku gabon Kurti?
Ai gabon, kur herë-herë vazhdon të sillet jo si udhëheqës shtetëror, por si udhëheqës partiak.
Ai gabon kur nuk instiston më tepër në një dialog të brendshëm dhe të hapur mbi tema të mprehta në shoqërinë kosovare, në një dialog me sa më pak militant trushpëlar partiak e me sa më shumë jobashkëmendimtarë konstruktiv.

Ai gabon kur kabinetin e tij qeverisës nuk e “ajros” pak më tepër, duke iu dhënë hapësirë edhe disa kuadrove në Kosovë e diasporë të cilët edhe kur janë në gjumë janë shumë më të dijshëm dhe më të kultivuar se sa Besnik Bislimi kur është zgjuar. Nuk bëhen politika të mëdha shtetërore me besnik bislima, të cilët i ke të kudondodhur, por jo aty ku duhet, sepse shteti nuk është parti, as OJQ. Shteti parasegjithash është kombinim i dijes, guximit dhe devotshmrisë ndaj atdheut. Kosova ka plot gra e burra, djem e vajza që i posedojnë këto atribute për të qenë në pozicione të rëndësishme, por Kurti duhet ta lirojë filozofinë e menaxhimit shtetëror nga psikoza e vetmbylljes partiake. Mosbesimi ndaj të tjerëve që mund të kenë të drejtë për një çështje që Kurti mendon ndryshe, mund ta shndërrojë qeverisjen e tij në një tren që është nisur në një destinacion shumë të dëshiruar, por me vagona të munguar që i pikojnë gjatë rrugës. Kujt do ti hynte në punë ai destinacion (shtetëror), nëse gjatë rrugëtimit ndodhë kidnapimi (partiak) i itinerarit të udhëtimit?
Është iluzore të shohim ndonjë zgjidhje të shpejtë në horizont për një konflikt që zgjat me dekada. Statuss-quoja i konvenon Serbisë, po jo dhe Kosovës. Kryeministri Kurti arriti ta ngrejë nivelin e pazarit në negociata me Serbinë, por nuk guxon ta ulë nivelin e besueshmërisë me aleatët tanë strategjikë. Sepse nga ky nivel pastaj varet edhe kredibilteti shtetëror i Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Tani për tani nuk ka ndonjë opsion tjetër që do ta bënte Kosovën palë më imponuese në këtë tryezë.

 

Shkup, 04 qershor, 2023