• Today is: Wednesday, May 15, 2024

RMV – SHBA, një vit marrëdhënie strategjike

fakti
June02/ 2023

Maqedonia e Veriut dhe ShBA-të shënojnë përvjetorin e parë të dialogut strategjik. Gjatë kësaj dite përkujtojmë sfidat që ka kaluar Maqedonia e Veriut, por edhe për të garantuar se ShBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, tha ambasadorja amerikane Aggeler.

 

“Rruga e vendit drejt këtij momenti vendimtar të historisë së tij nuk ka qenë e lehtë dhe vendime të vështira janë përpara. Por, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë gjithmonë mbështetësi juaj i vazhdueshëm dhe miku më i madh. Ne do të jemi me ju krah për krah, ndërsa arrini qëllimet tuaja për siguri, prosperitet dhe mundësi brenda komunitetit evropian”, – deklaroi ambasadorja e ShBA-ve në RMV, Anxhela Aggeler.

Ministri i Punëve të Jashtme, Osmani, tha se dialogu strategjik është një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe, informon TVM2.

Si partnerë strategjikë, kemi përpara një sërë aktivitetesh për të adresuar sfidat e vendit, si forcimi i mëtejshëm i modelit tonë autentik të demokracisë funksionale multietnike, lufta kundër korrupsionit, investimet në infrastrukturë, por edhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, i cili është synimi ynë i përbashkët strategjik”,  theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Çështjet thelbësore në lidhje me përparimin e Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane, ishin temë diskutimi edhe në takimin mes kryeministrit Dimitar Kovaçervski me ambasadoren amerikane Aggeler.

“Si qeveri, ne respektojmë vullnetin e mirë të partnerit tonë të madh dhe strategjik, ShBA-të, si dhe vendeve të tjera mike, anëtare të NATO-s dhe BE-së, të cilat na mbështesin në hapin e ardhshëm të integrimit evropian, i cili ka një drejtim përcaktues drejt anëtarësimit të plotë të vendit tonë në BE. Është realiste të pritet që kjo të ndodhë deri në vitin 2030 dhe ne jemi të gatshëm të punojmë me intensitet edhe më të madh në proceset e nevojshme reformuese”, ka thënë kryeministri Kovaçevski, gjatë takimit me ambasadoren Aggeler, njoftojnë nga Qeveria, transmeton Gazeta FAKTI.