Komuna e Kumanovës synon që të ruajë traditën e zejeve të vjetra, të cilat janë në zhdukje e sipër, por edhe të stimulojë të rinjtë që të ushtrojnë zeje të ndryshme
Kumanovë, 31 maj, 2023 – Në organizim të OZ-RMV, në Kumanovë, sot u mbajt panairi i zejtarëve, në të cilën, zejtarë të ndryshëm, jo vetëm nga Kumanova ekspozuan prodhimet e tyre. Me këtë rast në kuadër të bashkëpunimit të Odës rajonale të Zejtarëve me Komunën e Kumanovës, Komuna për herë të dytë subvencionoi zejet e vjetra. Sivjet subvencionet ishin më të larta dhe arrijnë në 15 mijë denarë. Me këtë gjest Komuna synon që të ruajë traditën e zejeve të vjetra, të cilat janë në zhdukje e sipër, por edhe të stimulojë të rinjtë që të ushtrojnë zeje të ndryshme, informon TVM2.
“Para dy vitesh me odën rajonale të zejtarëve kemi filluar t’i mbështesim zejtarët e qytetit tonë. Vitin e kaluar Komuna e Kumanovës i ka ndarë çdo zejtari subvencion në vlerë prej 10 mijë denarë, shumë kjo simbolike, e cila për qëllim kishte që personalisht t’i stimulojë ata, por edhe t’i stimulojë edhe qytetet tjera në vend ta përcjellin këtë trend. Këtë vit kemi ndarë nga 15 mijë denarë për zejtarë. Kurse, tash gjatë vizitës së këtij manifestimi me kryetarin e Odës së zejtarëve konstatuam se nga viti ardhshëm duhet të financohen edhe iniciativat e zejtarëve të rinj që vijnë nga shkollat e mesme profesionale , si shkolla e mesme teknike dhe ajo ekonomike, të cilat u prezantuan me punime kreative të artizanateve të ndryshme”, – deklaroi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“Jam tepër i kënaqur se komuna jonë, për herë të dytë subvencionon zejet e vjetra dhe panairi është për herë të parë dhe sigurisht se do ketë pozitivitet edhe te gjeneratat e reja dhe tek ekonomia formale. Vitet e ardhshme mund të krenohemi me panaire të këtilla, sepse në vendin tonë mungojnë panairet dhe mungon inovacioni dhe përkrahja e këtyre zejeve që janë tejet rralla dhe duhet t’i ruajmë si kulturë dhe traditë të shtetit tonë. Komuna e Kumanovës për herë të parë subvencionoi zejet e vjetra që të ulë mungesën e hyrjeve. Kjo është herë e dytë që ndahen subvencionet”, – theksoi kryetari i OZRMV-së, Agron Fazliji.
Organizatorët paralajmërojnë panairet e këtilla të bëhen tradicionale dhe numri i pjesëmarrësve të rritet me pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të vendit tonë, transmeton Gazeta FAKTI.