Grupi i punës për ndryshime kushtetuese ka propozuar që në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut të shtohet edhe bullgarët, kroatët, malazezët dhe tre kombe tjera.
Këtë e bëri të ditur kryetarja e grupit të punës, prof.dr. Margarita Caca-Nikolovska, duke shtuar se të gjitha vendimet janë marrë njëzëri.
Propozim-iniciativa e miratuar nga grupi punues tani do t’i dërgohet Qeverisë, e cila, nga ana tjetër, duhet ta çojë në Kuvend.
Në Preambulë, përveç maqedonasve, janë shkruar “shqiptarët, turqit, vllehët, serbët, romët dhe boshnjakët dhe të tjerë”, dhe sipas asaj që ka prezantuar Caca-Nikolovska, propozimi parasheh shtimin e gjashtë popujve të tjerë.
“Ndryshimet janë në seksionin e Preambulës duke shtuar disa kombe. Pas popullit boshnjak shtohen fjalët: popull bullgar, popull kroat, popull malazez, popull slloven, popull hebre, popull egjiptian”, theksoi ajo.
Lidhur me kërkesën e disa partive shqiptare për zëvendësimin e fjalës “20 për qind” me gjuhën shqipe, Caca-Nikollovska tha se kjo ishte diskutuar, por sipas saj, ky grup pune ka për detyrë vetëm atë që tani është përgatitur për ndryshimin e pjesës së preambulës.
“Ka pasur propozime, por ne i kemi konsideruar vetëm si propozime në aspektin e prezantimit dhe nuk kemi vendosur për to, së pari sepse ne kemi një punë primare që duhet ta kryejmë dhe së dyti këto ndryshime nuk janë kërkuar nga ne. Megjithatë, duke qenë se ka pasur prezantime të caktuara, nuk ka asgjë problematike për t’i dëgjuar dhe se kur do të vijë radha e tyre nuk dihet”, theksoi kryetarja e grpit të punës./INA