Lidhur me përshkallëzimin e fundit të dhunës në veri të Kosovës, politologu dhe profesori në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, nuk pret përhapje të ndonjë konflikti, por, sipas tij, mund të ketë përsëritje të incidenteve të ngjashme me ato të 29 majit.
Sipas tij, ka më shumë gjasa që ky lloj konflikti që e pamë të hënën(29 maj) të përsëritet, nëse nuk ka de-eskalim mes qeverisë së Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur se pse shumica e serbëve të Kosovës bojkotuan zgjedhjet lokale të muajit të kaluar kur kjo do të thoshte se shqiptarët etnikë po merrnin kontrollin e komunave dhe nëse kjo do të thotë se ata hapën një gropë vetes, Bieber mendon se çështja është se atyre institucioneve dhe kryetarëve të zgjedhur vërtet u mungon legjitimiteti demokratik.
“Dalja në zgjedhje ishte dukshëm nën 10 për qind. Në disa raste, si në qytetin e Zveçanit, pjesëmarrja ishte rreth 3 për qind. Pra, rreth 100 njerëz votuan për kryetarin e atij qyteti. Megjithatë, serbët i bojkotuan zgjedhjet me urdhër të Beogradit. Ata insistuan që fillimisht të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe – kjo është pjesë e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe Kosova i çoi përpara ato zgjedhje, sepse që nga vjeshta, nga largimi i serbëve, nuk ka pasur pushtet lokal legjitim të zgjedhur. Pra, në këtë kuptim kemi një ngërç. Pak muaj më parë BE-ja vlerësoi marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Por doli të ishte goxha e pamend, dhe kjo është ajo që po shohim në praktikë tani. Pra, në një farë mënyre BE-ja dhe SHBA-ja kanë humbur lidershipin në përpjekjen për të negociuar rrugën e duhur për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Bieber.
“Më shumë është e kundërta, që Serbia, dhe konkretisht presidenti Vuçiq, kanë kontroll të madh mbi komunitetin serb në Kosovë. Pra, përderisa shumë serbë të Kosovës ishin të frustruar nga hapat e qeverisë së Kosovës, bojkoti pothuajse i plotë i zgjedhjeve ishte edhe për shkak të frikës, sepse Lista Serbe në veri kontrollohet nga Beogradi, ka kontroll të fortë përmes nëntokës, nëntokës kriminale dhe strukturave të sigurisë. Prandaj, kjo do të thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kontroll të plotë në veri të Kosovës dhe u jep shumë pak hapësirë serbëve vendas që të artikulojnë problemet e tyre politike”, ka shpjeguar Bieber. /Telegrafi/