• Today is: Tuesday, December 10, 2024

Pse Moska flet për një “shpërthim të madh” në Evropë për shkak të Kosovës?

fakti
May30/ 2023

Deklaratat nxitëse, të cilat nuk i shërbejnë aspak paqes dhe stabilitetit apo rivendosjes së besimit dhe mirëkuptimit mes popujve dhe vendeve, vijnë shpesh nga Moska sepse Rusisë do t’i interesonte shumë nëse situata në Kosovë do të përshkallëzohej, thonë ekspertët serb.

Lidhur me ngjarjet në Kosovë, Lavrov tha se situata është alarmante dhe se mund të shkaktojë një shpërthim të madh në qendër të Evropës. Megjithatë, për ekspertët e  situatës gjeopolitike në Beograd, “e vetmja rrugëdalje për Serbinë në kohën e riorganizimit global, është të kërkojë neutralitet ushtarak të njohur ndërkombëtarisht dhe autonomi strategjike për vete”. Pra shkëputje nga varësia e Moskës.

Ish-ambasadori serb në Bjellorusi, Srećko Đukić thotë për Danas se nga ajo anë e botës, ka rregullisht deklarata shumë nxitëse që nuk janë në asnjë mënyrë në interes të paqes dhe stabilitetit, kthimit të besimit dhe mirëkuptimit midis kombeve dhe shteteve.

“Këto deklarata janë kryesisht në varësi të interesave të Rusisë dhe luftës që ajo po bën në Ukrainë. Kujt mund t’i interesojë një “big bang në qendër të Evropës”- nëse e thjeshtojmë kështu, duke përdorur në vend të termave të deklaratës së Lavrov, një term nga fizika eksperimentale – që në fund të fundit që të përfitojë vetë Rusia dhe veçanërisht Serbia. Na mjaftuan luftërat dhe shpërthimet. Ne kemi nevojë për një Evropë paqeje dhe bashkëpunimi, nga Atlantiku në Urale, atë që çdo qytetar e ka ëndërruar prej dekadash” – thotë ai.

Sakaq, përfaqësuesi i Lëvizjes Qytetarët e Lirë, Natan Albahari, thekson se për Rusinë do të ishte më së miri nëse situata në Kosovë do të përshkallëzohej, sepse kjo do të nënkuptonte se ka një konflikt tjetër në Evropë.

“Gjithashtu, është një devijim i vëmendjes nga pushtimi i tyre i pasuksesshëm në Ukrainë dhe problemet e brendshme, konfliktet midis ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake. Nuk besoj se do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, por duhet të kujtojmë se si arritëm në këtë situatë: së pari, braktisja e institucioneve në veri të Kosovës dhe krijimi i një vakumi ligjor dhe të sigurisë; pasuar nga bojkoti i zgjedhjeve në veri dhe dorëzimi i komunave te shqiptarët dhe në fund tërheqja e një numri të madh të serbëve në një tubim në mbështetje të presidentit Vuçiç” – thotë ai për Danas.

Lideri i Lëvizjes Popullore për Liri, Miroslav Paroviç, beson se Kosova është një nga pikat nevralgjike të Evropës, gjë që më së miri e dëshmon fakti se forcat paqeruajtëse ndërkombëtare duhet të jenë të pranishme për të ruajtur paqen.

“Ngjashëm është edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën. Këtu, si Lindja ashtu edhe Perëndimi, secila për arsyet dhe interesat e veta, kërkojnë të ruajnë tensionin në mënyrë që, nëse është e nevojshme, të provokojnë një luftë. Për Serbinë, në këtë kohë të riorganizimit global, e vetmja rrugëdalje është të kërkojë neutralitetin ushtarak të njohur ndërkombëtarisht dhe autonominë strategjike për veten, por edhe për mjedisin. Gjithçka tjetër na vendos në vijën e parë të përballjes, e cila është një rrezik për mbijetesën si të popullit ashtu edhe të shtetit”– përfundon Paroviç për Danas, transmeton Gazeta FAKTI.