• Today is: Monday, November 25, 2024

Abdulfeta Alimi lirohet nga burgu

fakti
May30/ 2023
Pas 6 vitesh e dy muaj, përfundoi dënimi me burg për ish-sigurimin e Kuvendit, Abdulfeta Alimin. Ai jashtë u prit nga familjarë dhe miqtë, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe ish-kryetari i ASh-së, Ziadin Sela, të cilit të enjten e përgjakshme Alimi i shpëtoi jetën, pasi që u rrah për vdekje nga turma që hyri në Kuvend. 
Gjashtë vitet nuk ishin të lehta, por me ndihmën e Zotit, me shëndet kam qenë mirë. Mos iu sprovoftë Zoti, sidomos pa faj. Me shëndet jam mirë, falënderoj familjen, bashkëfshatarët, gjithë shqiptarët anë e mban e sidomos mikun tim, Zijadin Sela, që më ka qëndruar mbrapa në çdo moment. Ju falënderoj dhe juve, medieve, që më keni përkrahur. Liria është e shtrenjtë, kam kaluar shumë kohë këtu. Vitet këtu nuk ishin të lehta, por me ndihmën e Zotit i kaluam, mos e sprovoftë Zoti askënd!”, – theksoi Abdylfeta Alimi, informon TVM2.
I lumtur dhe me plot emocione i biri i Alimit tha se shpreson që padrejtësitë të mos i ndodhin askujt.
Ndjehem shumë i lumtur. Uroj që këto padrejtësi mos të përsëriten më, sepse është shumë e vështirë ta përjetosh këtë pa faj.”, – u shpreh Burim Alimi.
Ziadin Sela sërish ripërsëriti se Abdylfetait i ka borxh jetën dhe se ai tanimë është vëllai i tij.
“Kam thënë se më është shtuar një mik, një vëlla, një anëtar i familjes, që nga 27 prilli. Sot ndihmë si një anëtar i familjes, ndjehem i lirë ashtu siç ndjehet Fetai. Unë sot e quaj një nga ditët normale, të cilën gjatë kohë nuk e kam parë. Ndjehem dhe krenarë me pamposhtësinë dhe burrërinë e Fetait. Ky burrë nuk u përul kurrë.”, – deklaroi ish-kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Alimi vuajti 6 vite e dy muaj burg nën akuzën për bindje ndaj urdhrit të paligjshëm dhe mos veprim, ndaj dy ish-deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski, të cilët kishin hapur portat kryesore të Kuvendit, duke i mundësuar hyrjen e protestuesve të dhunshëm në Kuvend. Gjykata kishte paraparë se akuza ndaj tij kërkon dënim më të lartë, por për shkak të veprimit human në shpëtimin e jetës së Ziadin Selës, trupi gjykues i caktoi 7 vite burg efektiv. Por, gjatë faljeve vjetore të presidentit, Alimi u fal nga kreu i shtetit me 8 muaj, transmeton Gazeta FAKTI.