Diktatori serb ka nevojë të mbajë gjallë konfliktet në Kosovë, Bosnje e Mal të Zi, jo se është nacionalist, por se e di që pa gogolin e armikut të jashtëm, serbët do ta rrëzojnë nga pushteti
Nga Ruben Avxhiu*
Deklarata e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë për zhvillimet në veri ishte zhgënjyese, por akoma më zhgënjyese ishte deklarata e Senatorit Amerikan Chris Murphy, i cili e quajti hyrjen e kryetarëve të komunave në zyrat e tyre në veri, një “provokim”.
Ambasadori Jeff Hovenier, në fund të fundit, është i detyruar të përcjellë qendrimin e Departamentit të Shtetit, kurse Murphy ka të drejtën madje dhe detyrën që të kundërpeshojë, e të vlerësojë në mënyrë kritike qendrimet e politikës së jashtme amerikane.
Për ata që nuk i kanë ndjekur zhvillimet, me urdhër të Vuçiqit, bandat kriminale serbe vendosën të bojkotojnë zgjedhjet për drejtues të komunave me shumicë serbe, në veri të Kosovës. Serbët që deshën të votonin u kërcënuan me jetë e me dhunë.
SHBA e komuniteti ndërkombëtar dështoi në përpjekjet për të bindur Vuçiqin që t’i lërë serbët në Kosovë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vuçiqi refuzoi në kuadër të presionit që po bën për të detyruar formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.
Pas refuzimit serb, SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar thanë se do të njohin rezultatet e zgjedhjeve edhe pa ta. Zgjedhjet u mbajtën, në qetësi dhe në mënyrë demokratike ashtu si i mban rregullisht Kosova, demokracia më funksionale në mbarë rajonin tonë të “Ballkanit Perëndimor”.
Mungesa e serbëve solli zgjedhjen në këto poste të kryetarëve shqiptarë, ndonëse shqiptarët janë pakicë në këto komuna të Kosovës.
Sot, këta kryetarëtë zgjedhur në mënyrë demokratike shkuan në zyrat e tyre, sipas rregullave në fuqi.
Presidenti serb Vuçiq i cili ndodhet në hall për shkak se po përballet me një dallgë të re protestash, pas më shumë se dhjetë vitesh në pushtet, shfrytëzoi rastin për të krijuar një krizë. Turma e përhershme e militantëve të dhunshëm serbë bllokuan hyrjet e ndërtesave të pushtetit të komunave.
Mirëpo me ndihmën e policisë së Kosovës, kryetarët e zgjedhur, hynë në zyrë dhe kryen ceremonitë e betimit dhe filluan punën.
Për këtë Vuçiqi ka vënë ushtrinë serbe në gatishmëri për luftë dhe ka nisur trupat drejt kufirit me Kosovën.
Në këtë situatë, në vend që të sqarojë Serbinë se Kosova po zbaton ligjet e saj në vendin sovran, të njohur nga mbi 100 shtete, SHBA ka dënuar veprimet e “autoriteteve të Kosovës” dhe ka kërkuar ndalimin e dhunës.
Deklarata është e nxituar dhe tërësisht e zhveshur nga konteksti moral. Çfarë kuptimi ka që SHBA ka njohur Kosovën nëse autoritetet e Kosovës nuk mbrojnë dot zyrtarët e zgjedhur nga turma të dhunshme. E dyta, çfarë kuptimi ka që njeh rezultatet e zgjedhjeve por kundërshton që zyrtarët e zgjedhur të zënë postet ku janë zgjedhur? E treta, mungesa e cilësimit të autorësisë së dhunës dhe mungesa e fjalës Serbi apo serb në tekst lë të nënkuptohet sikur dhuna ka ardhur nga policia e Kosovës, kur në fakt, ajo thjesht është dashur të neutralizojë dhunën e turmave serbe që pengoi kryetarët e zgjedhur nga populli që të kryejnë punën që u kërkon ligji.
Nëse kjo turmë donte të ndalonte hyrjen e këtyre drejtuesve në zyra, mund t’i kishte ndaluar lehtësisht me anë të votës. Komuniteti ndërkombëtare, madje edhe “autoritetet e Kosovës” i lutën serbët për javë e muaj që të merrnin pjesë në zgjedhje e të zgjidhnin përfaqësuesit që donin. Ashtu ndalohen drejtuesit që nuk dëshiron në demokraci dhe në shtetin ligjor. Jo duke u mbledhur pas zgjedhjeve për t’i ndaluar fizikisht që të hyjnë në zyrë. Në zyrë ose jashtë saj, këta janë kryetarët. Nuk ua heq dot titullin duke i penguar fizikisht.
Tani si mund të presësh që opinion serb ta kuptojë këtë, kur SHBA, demokracia më e madhe në botë dënon zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe justifikon bojkotuesit e demokracisë dhe shkelësit e ligjit?
Akoma më e papranueshme është deklarata e Senatorit të Amerikës, Chris Murphy i cili pas një telefonate nga Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, e shpall veprimin e Kosovës “një provokim” të kryeministrit Albin Kurti.
Duke parë reagimin e ashpër të shqiptarëve në rrjetet sociale, Murphy është përpjekur të ndreqë deklaratën duke thënë se këto zyra janë të Kosovës dhe kryetarët e zgjedhur kanë të drejtë, por ky nuk është momenti.
Po kur është momenti, zoti Senator? Diplomatët e zyrtarët amerikanë, le të na i sqarojnë se kur është momenti që ta lejojmë demokracinë dhe shtetin ligjor që të veprojë? Mos vallë Presidenti Vuçiq që e ka kapur për fyti demokracinë dhe lirinë e fjalës në Serbi, do të pranojë atë në Kosovë? Ashtu si Vladimir Putini që druhej se hyrja e pakicës ruse të Ukrainës në BE do të ndikonte te rusët në mbarë Rusinë, edhe Vuçiqi sheh me tmerr idenë se serbët e Kosovës mund të zgjedhin dikë një serb që nuk është vasal i tij.
Departamenti i Shtetit është angazhuar në një nismë diplomatike naïve për të mos thënë të rrezikshme, që kujton se do të shkulë Serbinë nga orbita ruse nëse i bën lëshime në Kosovë e në rajon. E sheh Vuçiqin si një interesaxhi që mund të blihet tërthorazi. I jam mirënjohës Amerikës për ndihmën që ka dhënë dhe jep për Kosovën dhe nuk do të ndryshoj mendim edhe nëse ka vendosur të sakrifikojë disa interesa tona për të balancuar forcat në rajon. Asgjë nuk na garantuar se nuk na presin edhe humbje në këtë përplasje historike me Serbinë. Mirëpo, problem kryesor këtu nuk është humbja që do të pësojmë. Është paaftësia e diplomatëve amerikanë që po merren tani me Ballkanin që nuk e kuptojnë se mbijetesa e Vuçiqit në krye të pushtetit ka nevojë jetike për konfliktin në Kosovë, e për problemet në Bosnje e Malin e Zi. Pa gogolin e armikut të jashtëm, serbët, ashtu si rusët me Putinin, do të kërkonin llogari për dështimet e pushtetit. Do të kërkonin më shumë demokraci dhe mundësinë për të ndryshuar pushtetarët si në çdo demokraci.
Është për të ardhur keq që Senator Murphy nuk kryen detyrën e tij si anëtar i Senatit për të kundërpeshuar vizionin e Departamentit të Shtetit e për të kërkuar me të drejtë rishikimin e tij. Si ai ashtu edhe Senatori Gary Peters, që të dy politikanë që i njohin shqetësimet e shqiptarëve dhe kanë gëzuar prej vitesh mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve, në Connecticut dhe Michigan, nuk arritën të ngrihen në lartësinë e Senatorit Menendez për të vënë në diskutim drejtimin e politikës së jashtme amerikane në Kosovë e Ballkan, në seancën e fundit dëgjimore në Senatin Amerikan. Në Senatin Amerikan ata flasin si përfaqësues edhe të këtyre shqiptaro-amerikanëve. Ndryshe nga diplomatët Chollet dhe Escobar që nuk janë zgjedhur nga populli dhe nuk na kanë ndonjë detyrim, kemi arsye të presim më shumë nga senatorët e zgjedhur. Vetë sistemi amerikan pret nga ata që të shërbejnë si rregullues të politikës së jashtme e jo të veprojnë si ushtarë të Departamentit të Shtetit. Shumë shqiptarë do të kishin qenë shumë më të hapur për këto Kritika nga Senatori Murphy sot, nëse në seancën e fundit në Senat do të kishte folur më hapur e do të kishte vënë më shumë në provë zyrtarët e Departamentit të Shtetit që të argumentonin se pse mendojnë që kjo rrugë e përkëdheljes së Vuçiqit do të japë vërtet rezultate në Ballkan.
Sepse ky është problem kryesor dhe dyshimi që më mundon më shumë. Se nuk është këmbëngulja e kryeministrit Albin Kurti për t’u sjellë sikur Kosova është një vend i pavarur normal, por ledhatimi i sedrës së Presidentit Vuçiq nga diplomatët amerikanë që vë në rrezik qendrueshmërinë dhe trupat amerikane në rajon. Sa më shumë diktatori serb bindet se amerikanët ia kanë nevojën aq më shumë do të provojë të luajë me Kosovën dhe rajonin. Në një farë mënyre, sidomos duke pasur parasysh lodhjen e serbëve me të, ai sheh te një marrëveshje që sjell normalizimin dhe paqen e vërtetë me Kosovën si rrezikun e tij më të madh personal.
/Botuar në Gazetën Illyria
*Autori është kryeredaktor i gazetës shqiptaro – amerikane “Illyria”