• Today is: Monday, November 25, 2024

Spyware famëkeq ‘Predator’ që kishte spiunuar gazetarë, biznesmen dhe politikanë është zhvilluar në Maqedoni të Veriut

fakti
May28/ 2023

Predator i dizajnuar nga një kompani softuerike izraelite dhe i përdorur në Greqi dhe Egjipt për të spiunuar gazetarët, disidentët dhe të tjerët është zhvilluar në Maqedoni të Veriut. Parlamenti Evropian gjithashtu po e heton këtë çështje.

Më 19 qershor 2022, disa muaj pasi u zbulua se ky sofware për spiunazh kishte infektuar telefonin e gazetarit grek Thanasis Koukakis, një grup anëtarësh të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbërritën në Gjenevë për të marrë pjesë në një trajnim intensiv për të përmirësuar mbikëqyrjen e tyre mbi agjencitë e inteligjencës së vendit.

Organizuar Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF), nëntë anëtarë të Komisionit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Agjencisë së Inteligjencës, së bashku me disa përfaqësues nga institucione të tjera qeveritare, morën pjesë në një trajnim.

Deri në këtë moment, publiku dhe parlamentarët e dinin se Predator ishte shitur nga Intellexa te kompania Dilian – dhe ishte zhvilluar nga filiali i saj në Maqedoninë e Veriut, Cytrox. Fillimisht kjo është zbuluar nga Citizen Lab, i cili është raportuar se në dhjetor 2021, Predator ishte zhvilluar në Shkup. Por raportit i mungonte informacioni se si ishte lejuar kjo të ndodhte në Maqedoninë e Veriut, në atë që ishte një shkelje e qartë e ligjeve të saj.

Në dritën e ngjarjeve në Greqi, ku u zbulua në vitin 2022 se gazetarët, ministrat dhe anëtarët e opozitës ishin spiunuar nga qeveria greke duke përdorur procedurat ligjore të përgjimit dhe Predatorin, parlamentarët maqedonas do të shprehnin shqetësime të reja, duke kërkuar nëse Qeveria e Maqedonisë së Veriut e zotëronte këtë sofware të spiunazhit.

Në vitin 2015, policia sekrete maqedonase dhe zyrtarë të nivelit të lartë qeveritar u implikuan në një skandal në lidhje me përgjimin e paligjshëm telefonik në një shkallë masive – më shumë se 20,000 individë u përgjuan midis viteve 2008-2015, derisa Nikolla Gruevski ishte në pushtet.

Drejtori i atëhershëm i Agjëncisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov dyshohej se kishte përgjuar ilegalisht bisedat e 5,827 numrave të telefonit. Objektivi përfshinte aktivistë të shoqërisë civile, politikanë nga të gjitha partitë, gazetarë, diplomatë, biznesmenë.

Për një çështje të ngjashme, Mijalkov ishte hetuar në vitin 2016 nga prokurorët e Speciales për kryerjen e kontrollit të fshehtë të internetit duke përdorur softwarin Finfisher. Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski, dy nga të besuarit më të ngushtë të Mijalkovit në mesin e oficerëve të inteligjencës, u përmenden në hetimet e prokurorëve.

Në tetor 2017, Grujevski dhe Boshkovski u arrestuan në Greqi, ku kishin kërkuar azil politik. Një gjykatë në Selanik vendosi që ata të dy të ekstradoheshin sepse nuk plotësonin kushtet për azil politik. Ky vendim, megjithatë, u rrëzua nga Gjykata e Lartë e Greqisë duke vendosur se për shkak se ata ishin falur nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, ata nuk kishin nevojë të ekstradoheshin. Ata kishin qenë në pritje të gjyqit me akuzën e shkatërrimit të pajisjeve të spiunazhit në skandalin e përgjimeve dhe mund të përballeshin me 15 vite burg.

Ky skandal i përgjimeve në Maqedoninë e Veriut mund t’i kishte dhënë fund regjimit autoritar të partisë nacionaliste të udhëhequr nga Gruevski, por nuk i dha fund lidhjeve midis demokracisë së dobët ballkanike dhe tregtarëve të spyware në mbarë botën. Pothuajse në të njëjtën kohë që skandali i përgjimeve po mbyllej, Maqedonia e Veriut po bëhej tashmë një vend pritës për zhvillimin e asaj e që do të bëhej një nga programet më famëkeqe softuerike të spiunazhit: Predator.

Nga vera dhe armët deri te zhvillimi i spyware

Në fillim të vitit 2017, sipërmarrësi i atëhershëm 26-vjeçar maqedonas Ivo Malinkovski la postin e tij si kreu i Chateau Kamnik, kompani familjare për prodhim e verërave dhe themeloi dhe drejtoi disa biznese teknologjike në Shkup. Biznesi i tij i radhës u bë zhvillimi i Predatorit.

Në muajt e parë të ekzistencës së tyre, më 6 tetor 2017, dy nga kompanitë që drejtonte Malinkovski – Cytrox dhe Cyshark – do të kërkonin nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut autorizim për prodhimin, shitjen dhe rishitjen dhe eksportin e disa produkteve softuerike që mund të përdoret për të mbrojtur të dhënat personale.

Kompanitë do t’ua shisnin këtë pajisje qeverive dhe agjencive qeveritare të certifikuara si shërbimet sekrete, policia, agjentët kufitarë dhe policia detare, thanë dokumentet e klasifikuara. Ministria e Brendshme ka thënë se nuk e autorizoi kurrë prodhimin e spyware. MBP gjithashtu tha se nuk ishte në dijeni se po prodhohej ky software – por dokumentet tregojnë një histori tjetër.

Aplikimet e dërguara në emër të Cytrox dhe Cyshark nuk ishin të plota. Malinkovski kishte neglizhuar t’i bashkëngjit specifikimet e pajisjeve që i kërkon ligji. MPB-ja u dha kompanive kohë shtesë për të dorëzuar dokumentet e kërkuara, duke u lejuar atyre një muaj shtesë. Njësia qeveritare e ngarkuar për shqyrtimin dhe autorizimin e produkteve të tilla është Njësia e Kundërzbulimit në Ministrinë e Brendshme, e njohur si Policia Sekrete.

Së shpejti u zbulua se sistemi i mbikëqyrjes së telefonave inteligjentë përdorej nga qeveritë armiqësore autoritare dhe organizatat paraushtarake në mbarë botën, si milicia famëkeqe e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në Sudan dhe Qeveria e Mianmarit.

Citizen Lab zbuloi në vitin 2021 se telefonat e të paktën dy shtetasve egjiptianë ishin hakuar me spyware Predator, i zhvilluar nga Cytrox. Të dhënat tregojnë se kryeshef ekzekutiv është Ivo Malinkovski. U përhapën thashetheme se pas kompanisë qëndronte babai dhe jo djali, por Ilija Malinkoski.

“Cytrox u raportua se ishte pjesë e Intellexa, e ashtuquajtur si Star Alliance e Spyware, e cila u formua për të konkurruar me NSO Group”, thuhet në raportin e Citizen Lab.

Por softueri i zhvilluar në Shkup për Intellexa nuk iu dha asnjëherë autorizimi i kërkuar nga Ministria e Brendshme.

Të paktën tre burime në njësinë e Kundërzbulimit konfirmuan se askush nuk donte të merrej me këtë kërkesë. Ministria e Brendshme tha se ata nuk miratuan kërkesat e Cytrox dhe Cyshark. Arsyet për këtë hezitim mund të jenë të rrënjosura në skandalin e përgjimeve, i cili u zbulua në vitin 2015.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka autorizuar një software të tillë për kompanitë në fjalë dhe as MPB-ja nuk ka blerë software të tillë”, thekson zëdhënësi Toni Angelovski.

Lidhjet e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut dikur ishte bërë pjesë e titujve botëror që rrjedhin nga një raport tjetër i Citizens Lab, i cili zbuloi në vitin 2015 skandalin masiv të përgjimeve të Qeverisë Gruevski. Fokusi i skandalit ishte në softuerin Predator të prodhuar nga kompania e Intellexa Cytrox, me seli në Shkup. Në të njëjtën ditë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ishte duke u larguar nga pozita, organizoi një festë në Chateau Kamnik. Veraria është në pronësi të familjes Malinkovski, të cilët nuk janë vetëm vreshtarë, por kanë qenë edhe tregtarë armësh për gati tre dekada – dhe tani kanë hyrë në biznesin e softwareve kibernetikë.

Biznesi i armëve operon nën markën Mikei International, derisa familja Malinkosvki i mban punët e tyre larg vëmendjes së publikut. Kur Mikei u sanksionua nga qeveria amerikane më 2009 për tregtimin e armëve me regjimet e ndryshme, nuk u bënë asnjë raportim mediatik. Nëse nuk jeni politikan apo gazetar, nuk do të dinit për biznesin e tyre ndërkombëtar të tregtisë së armëve. Është kryesisht nën radarin publik. Për maqedonasit e zakonshëm, familja Malinkovski njihet si prodhuesit e verërave të Chateau Kamnik, një markë shumë e njohur.

Sipas dokumenteve zyrtare, Cytrox me bazë në Shkup është themeluar në mars 2017 si shoqëri aksionare nga gjashtë biznesmenë të huaj – pesë nga Izraeli (Dror Harpaz, Sharon Adler, Avraham Rubinstein, Eyal Avraham Oren, Alon Arabov) dhe një nga Hungaria (Rotem Farkas). Ivo Malinkovski u zgjodh si shef ekzekutiv i tyre. Pronari përfitues i Cytrox ishte Meir Shamir, një ish-veteran i Forcave Ajrore nga Izraeli. Të gjithë kanë lidhje me Tal Dilianin është kreu i Intellexa.

Regjistrimet tregojnë gjithashtu se Dilian po zgjeronte biznesin e tij në Maqedoninë e Veriut. Katër kompani të tjera janë regjistruar në të njëjtën adresë në Shkup – secila prej tyre kishte lidhje me bashkëpunëtorët e tij: Cyshark, Cygnet, Cintellexa dhe Cyberlab. Të gjithë këto janë regjistruar ndërmjet viteve 2017 dhe 2020. Avraham Rubinstein shfaqet në mesin e pronarëve përfitues në Cytrox dhe Cyberlab së bashku me Rotem Farkas, ndërsa babai i këtij të fundit, Moshe, është bashkëpronar i Cyshark së bashku me Ivo Malinkovskin. Të gjithë kanë lidhje biznesi me Dilianin.

Të dhënat e Policisë Kufitare, zyra e Shkupit është vizituar shpesh nga izraelitë të ndryshëm. Për momentin, zyrat e Cytrox në Shkup janë të mbyllura. Të dhënat e regjistrit publik të bizneseve në Maqedoninë e Veriut tregojnë se ka pasur ndryshime në strukturën e pronësisë për Cyshark, një nga kompanitë në pronësi të Moshe Izrael Farkas. Tani ajo është në pronësi të gjyshes pensioniste të Ivo Malinkovskit.

Heshtja e Maqedonisë së Veriut

Kompania Cytrox nga Maqedonia e Veriut po merr më shumë vëmendje nga Parlamenti Evropian.

Aktualisht komiteti PEGA po heton se si është përdorur Predator, pasi ka kuptuar se në shumicën e vendeve evropiane, si dhe në regjimet represive afrikane, disa politikanë të shquar, gazetarë dhe aktivistë qytetarë janë vëzhguar në mënyrë të paligjshme.

Sophie in ‘t Veld që është anëtare e Parlamentit Evropian dhe raportuese e Komitetit PEGA ka konfirmuar se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë në dispozicion një software të tillë.

Sipas eurodeputetes problemi ishte se softueri u abuzua, gjë që përbën një kërcënim të madh për demokracinë në të gjithë kontinentin.

Svetlana Nikoloska, profesoreshë e shkencave të sigurisë tha se institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë shumë të vëmendshme ndaj problemit të monitorimit të paligjshëm të komunikimeve. Po ashtu, për veprime të tilla të kundërligjshme, MPB-ja duhet të veprojë automatikisht në koordinim me prokurorin publik.

Ajo përmendi nenin 286 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, i cili parasheh gjobë ose dënim deri në tre vjet burg për këdo që, me qëllim të prodhimit të paautorizuar, vë në qarkullim, importon, eksporton ose shpërndan një topografi të mbrojtur të një qark ose softuer të integruar. /Inside Story/

//
https://insidestory.gr/article/predators-control-centre-has-its-roots-skopje