Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami kanë zyrtarizuar gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të këtyre dy partive.
Siç thonë nga këto parti bashkëpunimi ka për qëllim ndërtimin e një kampi opozitar, që fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe në përgjithësi, ato qytetarë, me synimin që ky bashkëpunim të shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik, njofton TVM2.
“Arsyeja është e thjeshtë, qytetarët janë të lodhur me 20 vite pushtet të dështuar të BDI-së dhe kërkojnë një zgjidhje. Ne treguam se si partia politike edhe përkundër keqkuptimeve që i kemi pasur në të kaluarën nëse është interesi i qytetarëve, ne tejkalojmë vetveten. Këtë trend bashkëpunimi do ta vazhdojmë edhe me subjekte tjera politike jemi në komunikim të afërt edhe me grupe tjera të pakënaqura nga BDI-ja, nga ASh-ja, nga gjithë subjektet tjera politike, por edhe faktorë të tjerë politik me të cilët ne do të punojmë fuqishëm për të ndërtuar një bllok të fuqishëm opozitar.”, – deklaroi Bilall Kasami nga Lëvizja “Besa”.
Edhe nga Alternativa konfirmojnë bashkëpunimin me anë të një njoftimi.
“Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve.”, – thuhet në njoftimin e ASh-së.
Dy kryetarët, Gashi dhe Kasami, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, që është zotimi formal i dy partive përkatëse për ta zyrtarizuar këtë dakordim, transmeton Gazeta FAKTI.