• Today is: Monday, November 25, 2024

DIPLOMATËT PERENDIMOR, NË KURTHIN E PËRDORIMIT JOPROPORCIONAL TË “ARTILERISË” TERMINOLOGJIKE MBI KOSOVËN!

fakti
May27/ 2023

Të “dënosh veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, i bie që të dënosh shtetin e Kosovës që të mos ushtrojë të drejtën e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin.  Madje, i bie që  gjithë ai aksion fenomenal ndërkombëtar në vitin 1999, që rezultoi me dëbimin e aparatit represiv të Serbisë nga Kosova, të konsiderohet një farsë (!)

Nga Emin AZEMI

Parlamentet dhe senatet e katër shtetet me superfuqi botërore ( Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) do të duhej të alarmohen pas deklaratave skandaloze të diplomatëve të tyre, të cilët “dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.
Këto deklarata vinë në kohën kur Presidenti i Serbisë, Vuçiq,  urdhëroi ngritjen e nivelit të gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën.
Ky vendim i Serbisë nuk dënohet nga diplomatët e katër shteteve me superfuqi botërore. Ky vendim tek ata shkakton vetëm shqetësim.
“Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën…”

Në gjuhën diplomatike, të dënosh diçka dhe të jesh i shqetësuar për diçka, paraqet dallim të madh semantik. Është një përdorim joproporcional i “artilerisë” terminologjike dhe diplomatët që operojnë në këtë mënyrë me këto nocione, mund të konsiderohen nxitës të tensioneve të mëtejme dhe përshkallëzues të situatës konfliktuoze.
Kosova në veriun e saj po e refuzon kategorikisht zbatimin e formulave të Putinit për përvetësimin arbitrar të tokave të huaja.
Kosova në veriun e saj po e mbron Evropën dhe Amerikan nga kërcënimi që del prej këtyre formulave të çmendura.
Serbia në anën tjetër, e cila ende vazhdon të jetë një aleate e denjë e Putinit dhe një konsumator i zellshëm mjeteve të sofistikuara të luftës hibride, po e kërcënon hapur Kosovën, duke e detyruar këtë të fundit të vetëmbrohet prej bandave që hapur shantazhojnë institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit lokale (23 prill) në katër komunat veriore.

Diplomatët perëndimor që “dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, në fakt po ia lehtësojnë punët Putinit  bukur mirë që të jetë më komod në planet e tij për të ukrainizuar gjithë Ballkanin me aventurat e tij të rrezikshme luftënxitëse.
Diplomatët perendimorë nuk po e dënojnë aleancën e Serbisë me Kremlinin, por po e dënojnë një proces legjitim zgjedhor në një pjesë të Evropës.

Për shumicën e këtyre diplomatëve këto zgjedhje ishin legjitime dhe nuk e kemi të qartë se si mund të  jetë një proces zgjedhor njëkohësisht edhe legjitim dhe i dënueshëm.
Këtë dilemë është mirë ta sqarojnë parlamentet dhe senatet e katër shtetet me superfuqi botërore ( Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuara). Sepse konfuzionet që kanë shkaktuar deklaratat e këtyre diplomatëve tejkalojnë kufijt normal të logjikës së gjërave.

Kosova e pas vitit 1999 nuk është njësoj si ajo e para vitit 1999. Që Kosova të jetë krejt ndryshe dhe të sillet si shtet sovran, kan kontribuuar edhe katër shtetet me superfuqi botërore ( Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar).
Madje Kosova është krej më ndryshe pas vititi 2008 kur atë e kanë njohur si shtet sovran mbi 100 shtete të botës.
Tani, ne që nuk marrim vesh nga diplomacia e stërholluar, a mund të na sqarohet se çfarë problemi ka Kosova të organizoj zgjedhje vendore e parlamentare në gjithë territorin e saj, nëse ajo që nga viti 2008 qenka shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombtarisht nga mbi 100 shtete të botës?
Pse vetëm në Kosovë efektet e zgjedhjeve legjitime nuk po mundkan të prodhojnë vendimarrje përmes kryetarëve të zgjedhur legalisht dhe si është e mundur të kontestohet  ky process kaq i rëndësishëm, pa të cilin demokracia nuk ka kurrfarë kuptimi?!
Spanja ka kohë që nuk e njeh legjitimitetin e referndumit të Katalonisë për pavarësi, ndërkohë që burokratët e këtij shteti në Bruksel duan një Kataloni të re në Kosovë (!).
Çdo shtet që “dënon veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, në fakt do të vepronte ndryshe nëse në shtetet tyre dikush nga jashtë iu dikton receta se si duhet të dizajnohet pushteti lokal!
Të “dënosh veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, i bie që të dënosh shtetin e Kosovës që të mos ushtrojë të drejtën e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin.  Madje, i bie që  gjithë ai aksion fenomenal ndërkombëtar në vitin 1999 që rezultoi me dëbimin e aparatit represiv të Serbisë nga Kosova, të konsiderohet një farsë.
Leximi mbrapsht i realitetit të krijuar pas vitit 1999 e ka vendosur Kosovën në një pozitë të vështirë, duke ia lidhur asaj duart para bandave që hapur e shantazhojnë sovranitetin e saj në veri të vendit.
Zgjedhjet  e 23 prillit  në veri, sikundër dihet,  janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, një instalacion ky jodemokratik i mbështetur fuqishëm nga Beogradit zyrtar. Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.
Pra Lista Serbe ka kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Ksovës ë cili ka qenë pjesë e marrëveshjeve të negocuara në Bruksel.
Dhe ku është këtu problemi? Si do të duhej të sillet një shtet sovran, siç është Kosova, kundrejt një situate të tillë, e krijuar artificialisht nga një subjekt politik i cili direktivat nuk i merr nga baza, nga serbët lokal të Kosovës, por nga Beogradi?
Edhe çka duhet të ndodhë që diplomatët e QUINT-it ta kuptojnë se halli i Vuçiqit nuk është zgjidhja e problemeve të serbëve lokal, por tendenca për ta bërë shtetin e Kosovës sa më jofunksional, një rekomandim ky që buron edhe nga Mdemorandumi II i Akadmisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.
A po i bie që sipas këtij rekomandimi po punojnë edhe disa dipolmatë të huaj në Kosovë?!
Duke e fuqizuar aleatin e Putinit në Ballkan, presidentin serb Vuçiq, diplomatët perendimorë po ia hapin një front të ri telashesh Evropës dhe Amerikës dhe po e shantazhojnë demokracinë në Kosovë. Kësaj të fundit po ia mohojnë kënaqësinë e të qenit shtet me mbështetje perëndimore (!).
Duke zbatuar standarde të dyfishta përmes përdorimit joproporcional të “artilerisë” terminologjike, diplomatët perëndimorë do ta ken vështirë t’i  mbrojnë dhe arsyetojnë qëndrimet e tyre joparimore sa i përket Kosovës në vendet e tyre dhe sidomos në parlamenet dhe senatet e vendeve të tyre.

Shkup, 27 maj, 2023