• Today is: Monday, November 25, 2024

Ageler: “Behtel” punon në mënyrë transparente dhe ligjore, opozita kritikon për shkak të pikëve politike

fakti
May18/ 2023

Shkup, 18 maj – Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Anxhela P. Ageler është e bindur se procesi në të cilin është involvuar “Behtel” është plotësisht transparent dhe ligjor, sepse, siç thotë, kjo është mënyra në të cilën funksionon kjo kompani, në të kundërtën nuk do të kishte pasur projekte çdokund në botë dhe disa në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ageler në intervistë për MIA-n shprehi zhgënjim për shkak se opozita, pa disponuar me të gjitha faktet dhe informatat, e kritikon projektin, duke cekur se atë e bën për arsye politike, për marrje të pikëve politike.
Lidhur me disharmoninë e pushtetit dhe opozitës për marrëveshjen me “Behtel dhe Enka”, me ç’rast për të parin kjo është marrëveshje e shekullit, ndërsa për të dytën vjedhje e shekullit, por edhe për praninë e saj në ngjarjen solemne, të cilën opinioni e priti si mbështetje për projektin, Ageler thekson se ajo si ambasadore dhe Ambasadë amerikane bëjnë gjithpka është në fuqinë e tyre për promovim të investimeve amerikane në vend. Ageler theksoi se kjo është në interes jo vetëm të investuesve dhe kompanive amerikane, por kjo është mjaft e volitshme edhe për qytetarët e këtij vendi.

“Konsideroj se është mjaft zhgënjyese ajo që ata në opozitë kritikojnë pa të gjitha faktet apo kritikojnë diçka për të cilën nuk kanë informatë. Atë e bëjnë thjeshtë vetëm për të qenë kundër Qeverisë, po, kjo është puna e opozitës, por njëkohësisht jam plotësisht e bindur se procesi në të cilin është i involvuar ‘Behtel’ është tërësisht transparent dhe ligjor, sepse ata punojnë në atë mënyrë, përndryshe nuk do të kishin pasur projekte çdokund në botë dhe një numër të caktuar këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk do të kishin qenë kompani e besueshme edhe qytetarët e këtij vendi do të jenë mjaft të lumtur t’i kenë korridoret 8 dhe 10d, kur do të kompletohen. Mendoj se bisedimet akoma zgjasin, por konsideroj se është për keqardhje që të tillë, të cilët do të qëndrojnë në rrugë, thjeshtë për të përfituar pikë politike”, theksoi Ageler në intervistë për MIA-n.

Në intervistë ambasadorja amerikane flet edhe për përmbajtjen e letrës dërguar organeve gjyqësore dhe ekzekutive, për marrëdhëniet maqedono-bullgare, për listën e zezë të SHBA-së, për vizitën e kryeministrit Kovaçevski në Uashington, për mediumet në vend…

Intervista me ambasadoren amerikane Anxhela P. Ageler, me video material tërësisht do të publikohet së shpejti.