Komisioni Evropian parashikon se ekonomia e Maqedonisë do të shënojë rritje për dy për qind këtë vit, ndërsa në vitin 2024 prej 3,1 për qind.
Në parashikimin ekonomik pranveror të KE-së, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, thuhet se pas një rikuperimi të pjesshëm nga recesioni i shkaktuar nga pandemia KOvid-19, rritja vjetore e BPV-së është ngadalësuar nga 3,9 përqind në 2021 në 2,1 përqind në 2022. Ekonomia e vendit është prekur nga ulja e kërkesës së jashtme, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global dhe rritja e çmimeve globale të ushqimit dhe energjisë.
“Përderisa pensionet dhe pagat realisht u ulën, remitancat dhe konsumi privat u rritën. Konsumi i brendshëm, megjithëse më i ulët se në vitin 2022, mbetet shtytësi kryesor i rritjes, thuhet në raport. Rritja e investimeve parashikohet të mbetet e qëndrueshme me një rritje të mëtejshme të atyre ekzistuese.
Ndikimet e jashtme negative pritet të ulen, në përputhje me rritjen e kërkesës së huaj dhe rritjen më të ulët të importeve, thekson KE.
Deficiti i llogarisë aktuale u zgjerua ndjeshëm në vitin 2022, për shkak të rritjes së mprehtë të çmimeve të energjisë dhe varësisë nga importi. Rritja e ndjeshme e transfertave private (remitancave) dhe suficiti në aktivitetin e shërbimeve, të ndihmuara nga rimëkëmbja e turizmit, kompensuan pjesërisht përkeqësimin e tregtisë së energjisë. Reduktimi i projektuar i deficitit të llogarisë gjatë periudhës së parashikimit është kryesisht për shkak të një përmirësimi të ndjeshëm të bilancit tregtar, uljes së çmimeve të mallrave, si dhe rritjes së kërkesës së jashtme, mbështetur nga lehtësimi i presioneve në zinxhirët e furnizimit.
Norma e inflacionit u rrit në 14,2 për qind mesatarisht në 2022, krahasuar me 3,2 përqind në 2021. Ushqimi dhe energjia së bashku përbëjnë pothuajse 60 për qind të strukturës së brendshme të indeksit të çmimeve të konsumit dhe ka qenë pikërisht rritja e çmimeve në këto dy kategori që ka pasur ndikimin më të madh në inflacionin e përgjithshëm, i cili arriti kulmin në 19,8 për qind në muajin tetor. Edhe pse në rënie, inflacioni bazë vazhdon, për shkak të vonesës së përhapjes së çmimit të energjisë, por pritet të vazhdojë të bjerë.
Rritja ekonomike duhet të forcohet në vitin 2024, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Parashikohet gjithashtu një reduktim gradual i deficitit fiskal.
Si rreziqe për rritjen ekonomike, KE vë në dukje pengesat që vendosen para planeve të qeverisë për investimet publike dhe reformën tatimore. Nga ana tjetër, procesi i anëtarësimit të vendit në BE është një katalizator për zhvillimin dhe zbatimin e reformave strukturore dhe qëndrueshmërinë fiskale.