• Today is: Saturday, May 4, 2024

Dhuna tek të rinjtë/A mund të bartet sindromi i Serbisë në Maqedoninë e Veriut?

fakti
May13/ 2023

Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar të testohen njohuritë e pedagogëve, psikologëve dhe sociologëve të shkollave për mirëkuptimin dhe ndihmën e re për problemet e nxënësve. Ndërkohë po shqyrtohet mundësia që të ndërmerren  masa për kufizimin e përdorimit të aplikacioneve  elektronike që nxisin dhunë tek të rinjtë. Në Francë, qasja në platformat sociale si Instagram, TikTok ose Snapchat do të bllokohet për fëmijët nën 15 vjeç, përveç nëse prindërit e tyre u japin leje.

 

Shkup, 13 maj, 2023 – Ditë më parë në Serbi mbetën të vrarë disa persona si pasojë e dy sulmeve me armë nga ana e dy të rinjëve. Këto raste kanë alarmuar gjithë rajonin për mundësinë e rrëshqitjes së këtij skenari edhe në vendet e tyre.

Edhe në Maqedoninë e Veriut ka indikacione për paraqitje të tilla devijante me karakter kriminal. Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Shkup, 10 vjeçari i një shkolle fillore ka shkruar tekst kërcënues në bankë.

Policia bëri të ditur se zyrtarët policorë kanë kryer bisedë informative me të miturin dhe prindërit e tyre, pas raportimin se në shkollë fillore në Komunën Aerodrom ka pasur kërcënime.

Për rastin është njoftuar edhe Prokurori Publik dhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa nga policia thonë se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Kujtojmë se më herët në Shkup, nxënësit ka përpiluar lista me emra të nxënësve të tjerë, ndërsa në Tetovë, dy 11 vjeçarë kanë lëshuar letër në tualetin në shkollë. Po ashtu edhe një gjimnazist në Shtip u privua nga liria pas kërcënimeve që bëri në rrjete sociale.

Ndërkohë MASH ka dalë me porosi, ku ndër të tjerat аpelohet për një mjedis shkollor paqësor dhe harmonik pa asnjë formë dhune. Të krijojmë ambient në të cilin të rinjtë do të fokusohen ekskluzivisht në qëllimet reale të procesit arsimor, sipas MASH, në përvetësimin e njohurive dhe vlerave që do t’i bëjnë ata njerëz të mirë dhe dhuna nuk do të jetë aspak temë. Nevojitet mjedis ku do të mbizotërojë toleranca, të rinjtë do të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit dhe nuk do t’i shohin ato si shkaktarë të konflikteve.

“Do të përpiqemi t’iu afrohemi të gjithëve, nxënësve, mësimdhënësve dhe punonjësve të tjerë të shkollës, prindërve dhe kujdestarëve, për të treguar se kontributi i secilit prej nesh është i rëndësishëm në arritjen e qëllimit. Është e nevojshme t’i jepet përparësi dialogut verbal ndërmjet nxënësve dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Rritja e ndërgjegjësimit për pasojat e sjelljeve të mundshme devijuese, të cilat ne i kemi parë, mund të jetë katastrofike”, thuhet n; porosinë e MASH.

MASH apelon deri te të gjithë qytetarët, nëse në shkolla vërehet ndonjë formë e sjelljes së dhunshme, të lajmërojnë në adresën elektronike prijavinasilstvo@mon.gov.mk, gjegjësisht paraqitdhune@mon.gov.mk, ose deri te shërbimet profesionale në shkolla, për të reaguar sa më shpejt dhe për të parandaluar incidente dhe pasoja më të rënda. Vetëm së bashku mund t’i japim fund dhunës në shkollë.

Edhe ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se ka propozuar një vlerësim urgjent të rreziqeve të sigurisë për nxënësit në rrjetet sociale, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) është duke zhvilluar protokolle që madje do të ndalojnë përdorimin e tyre në shkolla. Shaqiri tha gjithashtu se në konsultim me komunitetin e ekspertëve do të forcohen edhe më tej programet parandaluese për luftimin e bullizmit, duke promovuar dialogun dhe jo dhunën si elemente kryesore në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve. Ai gjithashtu u bëri thirrje prindërve që të marrin pjesë aktive, duke i rritur fëmijët e tyre me tolerancë, jo dhunë si dhe respekt e mirëkuptim për ata që janë të ndryshëm nga vetja.
Ndërkohë, Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme ka kërkuar ditë më parë në takimin me ministrin Shaqiri që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të testojë njohuritë e pedagogëve, psikologëve dhe sociologëve të shkollave për mirëkuptimin dhe ndihmën e re për problemet e nxënësve.

Kjo ka detyruar autoritetet që të ndërmarrin  masa për kufizimin e përdorimit të aplikacioneve  elektronike që nxisin dhunë tek të rinjtë. Në Francë, qasja në platformat sociale si Instagram, TikTok ose Snapchat do të bllokohet për fëmijët nën 15 vjeç, përveç nëse prindërit e tyre u japin leje.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu thotë se qëndrimi përfundimtar në lidhje me iniciativën për ndalimin e rrjetit social Tik-Tok në Maqedoni do të merret vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë. Në një deklaratë me shkrim pasditen e sotme, Aliu ka shprehur keqardhje të thellë dhe ngushëllime për familjet e viktimave dhe qytetarët e Serbisë. “Censura është e rregulluar me Kushtetutë. Pra, një qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm një aktivitet të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet e tjera arsimore e të sigurisë në vend. Nga atje, ne mbështesim nismën e Ministrisë së Arsimit për të vlerësuar rreziqet e të gjitha platformave sociale. MPB-ja ka qëndrim të qartë se është kundër çdo lloj gjuhe të urrejtjes apo dhunës, pa përjashtim dhe ne mbështesim sanksionimin e çdo burimi të gjuhës/dhunës së urrejtjes”, thotë Aliu, transmeton Gazeta FAKTI.