Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur gjatë kësaj të premte se ecuria e kursit të këmbimit kundrejt euros është reflektim i ofertës se shtuar të valutës në tregun e brendshëm financiar.
Kjo pasi monedha evropiane është zhvlerësuar ndjeshëm në dy javët e para muajit maj të këtij viti, në raport me lekun.
Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 3%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zhvlerësimi i euros ka arritur në 8.1%.
Sipas Bankës, ajo është diktuar nga përmirësimi i bilancit të pagesave si rrjedhojë e prurjeve të larta valutore, të cilat vlerësohet të jenë të pranishme edhe në muajt e parë të këtij viti.
BSH-ja vëren se, luhatshmëria e kursit euro/lekë, ashtu edhe spread-i mes çmimit të kuotuar në shitje dhe atij në blerje, kanë qenë pranë vlerave normale të tyre.
Ecurinë mbiçmuese të lekut e përkrah edhe zgjerimi i diferencës pozitive mes normës së kthimit të fondeve në lekë dhe asaj në euro në tregun vendas.