Noel Malcolm në librin me titull: “The case for Kosova – passage to independence”, i botuar më 2006, nën editimin e Anna Di Lellio, me parathënie të Ismail Kadaresë, ndër të tjera i kundërvihet tezës serbe mbi prendimin se shqiptarët në Kosovë gjoja nuk nuk janë shqiptarë, por janë pasardhës të serbëve të shqiptarizuar.
Këtë pretendim, Noel Malcolm, e gjen në disa burime të historiografisë serbe:
“Deri në mesin e shek. XVIII, Kosova dhe Metohia ka qenë rajon homogjen me shumicë serbe. Megjithatë, në dekadat e para të shek. XVIII, shqiptarët filluan të zbritnin në mënyrë masive nga malet në rajonet e kultivuara të Kosovës dhe Metohisë … Disa nga këta shqiptarë erdhën si katolikë dhe u konvertuan në myslimanë në Kosovë e Metohi. Ekzistojnë shënime edhe sot se si dhe kur fshatra të tëra të rajonit të Kosovës e Metohisë u uzurpuan nga shqiptarët kurse popullata ortodokse serbe që jetonte aty, u islamizua me dhunë e pastaj u shqiptarizua”. (Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë i Sinodit të Shenjtë i peshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe. Shtator 2003).
“Sikur që shqiptarët e krishterë që emigruan me sllavët, u bënë serbë, ashtu edhe shumica e serbëve që mbeten në këto rajone, u islamizuan e madje edhe u shqiptarizuan” (Stevan Pavloviq, profesor emeritus i historisë në Universitetin e Southamptonit në Angli).
Prezenca e vendbanimeve shqiptare në kohën e Kosovës para-moderne, është spjeguar si e bashkësive që më parë ishin serbe, por më vonë të shqiptarizuara me dhunë. Ky argument, sipas N. Malcolm, i paraqitur nga Kisha Ortodokse Serbe, nga intelektualë dhe qarqe politike serbe, e përqafon idenë se serbët kanë qenë popullatë stabile në Kosovë kurse shqiptarët janë relativisht ardhacakë të rinj dhe popull migrues.
Malcolm më tutje në librin e sipërcituar shkruan se : “Historiografia nacionaliste serbe i ka vënë në funksion dy teori alternative për të bërë me dije në mënyrë implicite, për të nënçmuar apo zhvlerësuar prezencën e popullatës shqiptare në Kosovë. Një kërkesë thotë se shqiptarët e Kosovës janë të gjithë imigrantë nga Shqipëria, që kanë ardhur pas të ashtu quajturës ‘Dyndja e Madhe’ e vitit 1690 ose, në disa verzione të teorisë, gjatë Luftës së II Botërore; ky pretendim është përdorur për të sugjeruar se këta shqiptarë në realitet nuk i takojnë këtij vendi. Teoria tjetër sugjeron se ata e kanë vendin këtu, por në të vërtetë nuk janë shqiptarë. Kjo është e ashtuquajtura teza ‘Arnautaši’, e cila argumenton se në fakt këta janë serbë të shqiptarizuar, për të cilët përdoret termi i veçant ‘Arnautaši’.
Që të dy teoritë kanë bashkëekzistuar që nga fundi i shek. XIX, përkundër konfliktit të dukshëm që kanë mes veti. Verzioni maksimal i tezës ‘Arnautaši’ ofron mënyrën e zgjidhjes së konfliktit: pretendohet se të gjithë gegët (shqiptarët e veriut), janë serbë të shqiptarizuar, që do të thotë se ‘shqiptarët’ që kanë migruar në Kosovë nga Malësia (Shqipëria Veriore), kanë qenë thjeshtë serbë që kanë lëvizur nga një vend në tjetrin. Kjo teori maksimale është propozuar nga dy shkrimtarë nacionalistë, Millosh Millojeviq dhe Spiridon Gopqeviq, të viteve 1870-tave dhe 1880-tave; por, ekspertët, përfshirë edhe ata serbë, me shpejtësi kanë bërë me dije se ky pohim është me defekte, pretendim të cilin e kanë cilësuar si tërësisht absurd.
Verzioni i tezës ‘Arnautaši’ që thotë se të gjithë shqiptarët e Kosovës janë serbë kosovarë të shqiptarizuar, në shikim të parë duket më pak ekstrem. Por, logjika e thjeshtë sugjeron se kjo ka shumë pak gjasa të jetë e vertetë: nëse që në fillim popullata ka qenë tërësisht serbe, atëherë si dhe pse ka ndodhur procesi i shqiptarizimit? Për ta bërë këtë tezë të besueshme, kjo duhet të reduktohet në pretendimin se një përqindje e rëndësishme e shqiptarëve të Kosovës janë serbë të shqiptarizuar dhe kjo duhet të kalojë në supozim se presioni për shqiptarizim, së pari ka ardhur nga shumica prezente e shqiptarëve të vërtetë, pa marrë parasyshë nëse kanë qenë imigrantë apo vendas të vjetër.
Është padyshim e vërtetë se me kalimin e kohës, disa sllavë janë shqiptarizuar, mu ashtu sikur që disa shqiptarë janë sllavizuar (disa vllahë janë serbizuar dhe një pjesë e popullsisë rome është asimiluar në të dy drejtimet). Asnjë grup etnik apo linguistik në Ballkan nuk ka jetuar në izolim të plotë. Në një rast specifik, në atë të fshatrave të Lumës, mu në kufi me Kosovën në drejtim të jug-perëndimit, dihet që fshatarët sllavë së pari janë konvertuar në myslimanë e pastaj, në shek. XVIII, kaluan nga gjuha sllave në atë shqipe. Por, këtu pyetja është nëse shqiptarizimi i serbëve të Kosovës ka qenë proces i gjatë dhe dominant.
Faktet historike bëjnë me dije se kjo nuk ka ndodhur. Ekzistojnë disa raste të shënuara të islamizimit të sllavëve që gradualisht e kanë adoptuar gjuhën shqipe (psh. imigrantët nga Sanxhaku në rajonin e Mitrovicës), janë raste të dëshmuara që popullata sllave e ka ruajtur gjuhën e tyre (psh. fshatrat e Gorës në jug të Kosovës). Në rastet e martesave të përziera ka qenë normale – por, jo gjithmonë – që nusja të fliste gjuhën e burrit: vajzat shqiptare janë sllavizuar me martesa të këtilla mu ashtu sikur vajzat serbe që janë shqiptarizuar. Por, niveli i martesave të përziera mes sllavëve myslimanë dhe shqiptarëve myslimanë ka qenë përgjithësisht i ulët.
Disa përfaqësues së tezës ‘Arnautaši’ janë bazuar në dëshmitë e tërthorta: ata kanë argumentuar se çfarëdo gjurme e praktikave religjioze folklorike të origjines ortodokse që haset në mesin e shqiptarëve të Kosovës është dëshmi se kanë qenë fillimisht sllavë ortodoksë. Një argument i tillë i jep keqkuptim tërë natyrës së sinkretizmit religjioz në Ballkan. Poashtu, kjo i keq paraqet disa praktika si ekskluzivisht ortodokse serbe (siç janë ‘slava’, festa e patronit të ditës së shenjtë, dhe ‘badnjak’ apo cungut të oxhakut), që janë festa me origjinë parakrishtere e që gjenden larg matanë rajonit të Kishës Ortodokse Serbe.
Ajo që është më problematikja për tezën ‘Arnautaši’, nuk është tendenca historike, e cila mund të testohet karshi dëshmive, por janë implikimet e saja politike dhe ideologjike. Atë që përfaqësuesit e kësaj teze provojnë ta sugjerojnë është se një person shqipfolës, i lindur nga prindërit shqipfolës dhe që e identifikon veten si shqiptar, në të vërtetë nuk është shqiptar për shkak se paraardhësit e tij në shek. XVIII kanë mund të jenë serbë.
Sugjerohet se në thellësi dhe në vazhdimësi ka ekzistuar – në të vërtetë i pandryshuar – identiteti serb dhe se ky identitet mund të zbulohet me procesin e serbizimit – proces i cili e ka zhbërë më parë shqiptarizimin, ka qenë disi si natyral dhe i drejtë edhe nëse është bërë me dhunë. Njeriu duhet të shpresojë se nuk është e nevojshme që të elaborohet pasoja e neveritshme morale e pikëpamjes së këtillë”, nënvizon N. Malcolm në librin e tij “The case for Kosova – passage to independence”, transmeton Gazeta FAKTI.
Shënim:
Fragmentet e cituara nga libri i sipërpërmendur janë të studiuesit që jeton në Londër, Dr. Daut Dautit
Noel Malcolm dhe Daut Dauti