Nuk duhet të merren masa vetëm kur ndodh ndonjë fatkeqësi, por para se të ndodhë ajo. Ky ka qenë konstatimi i Ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri në Klan Debat duke diskutuar për ngjarjet e para disa ditëve në Beograd. Shaqiri përmendi se MASH po merr masa dhe ka shtuar në ditët e fundit aktivitetet, duke rritur edhe bashkëpunimin ndërinstitucional me MPB-në. Ai përmendi rastet e denoncuara së fundmi në shkollat e vendit nga vet mësuesit, duke e cilësuar si hap pozitiv në luftën ndaj fenomeneve të tilla negative si në Beograd.
“Këto ndodhi ndezën të gjithë sistemin brenda institucioneve për të parë se ku jemi, ku kemi ngecur dhe ku është reaguar. Në vendin tonë janë marrë masa më shumë brenda kësaj kohe, por rritet intensiteti i masave preventive për të marrë që mos përsëritet një rast i tillë. U konstatua se shërbimet profesionale nëpër shkolla dhe institucionet arsimore, qoftë fillore apo të mesme, edhe pse është dashur të merren me shumë çështje që kanë pasur të bëjnë po me këto dukuri dhe fenomene, por janë marrë edhe me punë administrative të caktuara…kemi parë se ku duhet të ndërhyjmë”, theksoi Shaqiri në Klan Debat, duke përmendur edhe raportet prindër-fëmijë dhe arsimtar-nxënës si drejtime ku duhet të punohet më shumë./KlanM