Firmoset aneks marrëveshja mes Sindikatës së punonjësve shëndetësorë dhe Ministrisë së Shëndetësisë përmes së cilës punonjësit shëndetësor në sektorin publik do të marrin rritje të pagave, duke filluar nga muaji mars. Sipas sqarimit të MSH, marrëveshja parasheh rritje prej 3000 denarësh, 2500 dhe 2000 denarëve për të gjithë të punësuarit në institucionet publike shëndetësore.
“Infermieret me shkollim të mesëm marrin rreth 9,6% të pagës, për motrat me shkollim të lartë rritja do jetë 5,8%, për mjekët e përgjithshëm 5,8%, për bashkëpunëtorët shëndetësor 5,8% dhe rritje më të vogël kanë pësuar 2,7% për mjekët specialist. Mund të them se kjo rritje përfshin 15,000 të punësuar në kuadër të marrëveshjes kolektive, nga të cilët rritjen e pagave do ta ndjejnë rreth 12,000 të punësuar sepse 3 mijë të tjerë të punësuar rritjen do e ndjejnë përmes rritjes së pagës minimale”, u shpreh Lubisha Karanfillov, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se është i vetëdijshëm se kjo rritje nuk kënaq nevojat e punonjësve shëndetësorë, dhe për këtë arsye do të angazhohet në rritje të mëtejme të pagave.
“Ne nuk do ndalemi këtu, pajtohem me krerët e sindikatave. Do të angazhohemi edhe më tej për rritjen e pagave. E kemi parasysh dhe buxhetin e shtetit me ministrin e Financave , do flasim më tej do angazhohemi që të mund më pas ta fitojmë atë të cilën e meritojmë për atë që punojnë çdo ditë”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Këtë rritje të pagave, sindikatat e kërkojnë nga viti I kaluar, ndërkaq thonë se për vitin 2023 kërkesat kanë ndryshuar, dhe në periudhën që vjen do të kumtojnë kërkesat tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e statusit të tyre. /Alsat