• Today is: Thursday, May 16, 2024

TikTok së shpejti do të bllokohet edhe në Maqedoninë e Veriut

fakti
May11/ 2023

Debati kryesor në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet lidhur me kërkesën në rritje për bllokimin e aplikacionit TikTok, për shkak të përmbajtjes së dhunshme në videot e shkurtra që publikohen në të, e që në shumë raste besohet kanë nxitur akte dhune.

Institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë nisur konsultime me ekspertë, në drejtim të marrjes së masave për parandalimin e akteve të dhunës, në shkolla dhe jashtë tyre.

Aktivitetet janë intensifikuar, pas vrasjes së tetë nxënësve në një shkollë fillore afër Beogradit, më 3 mars, dhe tetë të tjerëve, dy ditë më vonë në vendbanimin Vraçar të këtij shtet.

Ky aplikacion i formatit me video të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.

 

Debati kryesor në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet lidhur me kërkesën në rritje për bllokimin e aplikacionit TikTok, për shkak të përmbajtjes së dhunshme në videot e shkurtra që publikohen në të, e që në shumë raste besohet kanë nxitur akte dhune.

 

Më 27 nëntor të vitit 2022, një vajzë e mitur në Shkup kishte pësuar djegie të rënda nga rryma derisa ishte ngjitur në një vagon treni për të bërë video.

Më 15 prill, një mjek anesteziolog nga Tetova u arrestua pasi kishte publikuar në TikTok një video nga Reparti i Gjinekologjisë, dhe tani përballet me padi për veprat, “punë e pakujdesshme në shërbim” dhe “incizim i paautorizuar”.

Pas ngjarjeve në Serbi, dhe incidenteve tjera në vend, Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar edhe për rritjen e denoncimeve për bullizëm dhe dhunë në shkolla.

“Çdo raport do të hetohet dhe do të merren masat e duhura”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, duke bërë të ditur edhe fillimin e konsultimeve me ekspertë, për mundësitë e kufizimit apo edhe të ndalimit të aplikacionit TikTok.

“Ne fillimisht do të kërkojmë nga institucionet që merren me sigurinë kibernetike, të përgatisin raport në lidhje me atë se çfarë publikohet në këtë platformë, grup-moshat e përdoruesve dhe informata të ngjashme. Deri në përfundimin e këtyre analizave, shqyrtojmë ndalimin e përkohshëm të TikTok-ut, dhe pastaj, nëse është e nevojshme, edhe ndalimin e plotë”, thuhet në njoftimin e dikasterit të arsimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka konfirmuar, gjithashtu, takimet mes institucioneve për marrjen e masave konkrete.

“Edhe para ngjarjeve që ndodhën në Serbi, ne kishim iniciuar koordinimin e aktiviteteve mes ministrive të Arsimit, të Punës dhe Politikës Sociale dhe të Punëve të Brendshme, për hartimin e masave për parandalimin e akteve të dhunës. Por, një rol shumë të madh këtu duhet të ketë familja në edukimin e fëmijëve, dhe së bashku me institucionet të sigurohemi se po rrisim një shoqëri të shëndoshë. Kemi propozime për ndalimin e rrjeteve të caktuara sociale, e masa tjera, dhe asnjëri prej tyre nuk duhet të përjashtohet, por paraprakisht të kemi një debat të gjerë dhe vendimet të mos i marrim të nxituar nga emocionet, por me mirëkuptim”, ka deklaruar Spasovski./REL/