“Arturo Ui” dramë e Bertolt Brecht erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë, si një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar të Manastirit, me regji nga Qëndrim Rijani
Të mërkurën në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, regjisori Qëndrim Rijani solli shfaqjen e Teatrit të Manastirit, “Arturo Ui” nga Bertold Breht.
Kjo është pjesëmarrja e parë e një teatri nga Maqedonia e Veriut në skenën e Teatrit Kombëtar në Shqipëri pas më shumë se 30 viteve, këtë herë e realizuar me mbështetjen e Qendrës Informative Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Tiranë dhe drejtorit Zllatko Origjanski.
Në realizimi e kësaj shfaqjeje u angazhuan aktorët Ivan Jerçiq, Ilina Çorevska, Nikolla Stefanov, Hari Mihajlovski, Valentina Gramosli, Viktorija Stepanovska-Jankulovska, Nikola Projçevski, Sandra Gribovska, Anastasia Hristovska, Aleksandar Dimitrovski, Petar Spirovski dhe Aleksandar Stefanovski.
Kostumograf i kësaj shfaqje por edhe i shfaqjeve të tjera të Teatrit të Manastirit, autor me karrierë evropiane është Bllagoj Micevski. Një pjesë e kreacioneve të tij janë të ekspozuara në QIK të Maqedonisë së Veriut në Tiranë si pjesë e kësaj ngjarjeje tetarore në Shqipëri.
Në shfaqjen e regjisorit Qëndrim Rijani, asistent i regjisë është Jovan Ristovski, dramaturge Biljana Krajçevska, skenograf Valentin Svetazarev, ndërsa kompozitor është Timor Domi.
Qëndrim Rijani i njohur tashmë për publikun përmes veprave të tjera të vëna prej tij në skenë sjell “Arturo Ui” si një koncept i ri modern. Ai thotë se drama “Arturo Ui” ka marrë disa çmime deri më tani. ““Arturo Ui” është produksion në gjuhën maqedone nën regjinë time. Në Tiranë vjen si shfaqja e parë mysafire në gjuhën maqedone deri tani. Është shfaqje, e cila ka marrë shumë çmime. Për publikun shqiptar kjo vepër vjen si një koncept i ri modern i vënies në skenë të kësaj vepre”, thotë regjisori Qëndrim Rijani për këtë shfaqje teatrore.
Drama e Brechtit në qendër të fabulës ka njeriun i dalldisur pas ambicieve të tija të pakufizuara, i cili pa meritë përmes krimit, presionit dhe shantazhit arrin t’u ngjitet shkallëve të pushtetit me qëllim që të përvetësojë famën e një pushtetari – gradualisht shndërrohet në një bishë skizofrene e rrezikshme për mbarë njerëzimin. Në këtë shfaqje trajtohen pikërisht jeta dhe bëmat një individ të tillë…Shfaqja është në gjuhën maqedonase dhe me titra në gjuhën shqipe, por nuk është e përshtatshme për publikun nën 18 vjeç.
Shfaqjen e ndoqën ministret e Kulturës të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Bisera Kostadionovska Stojçevska dhe Elva Margariti.
“Kjo vizitë triumfuese e ansamblit të Teatrit të Manastirit në Tiranë është ngjarje domethënëse për bashkëpunimin në fushën e teatrit dhe kulturës mes dy vendeve. Gjuha maqedonase me një shprehje aktuale teatrale kumbonte para sallës së mbushur me njerëz në skenën kryesore të teatrit në Shqipërinë fqinje dhe produksioni ynë u prit me emocione të sinqerta, me komplimente dhe miqësi të madhe. E gjithë atmosfera e çiltërsisë dhe solemnitetit është për ne një konfirmim i cilësisë së ekipit të ‘Arturo Ui’, por është edhe një udhërrëfyes drejt rrugëve të mundshme të bashkëpunimit në kulturë. Kjo ngjarje na tregon mundësitë e pafundme që na presin në drejtim të bashkimit dhe njohjes së kulturave mes dy popujve dhe për krijimin e një imazhi më të pasur kulturor në këtë pjesë të Ballkanit”, tha ministrja e Kulturës, Kostadinovska-Stojçevska, transmeton Gazeta FAKTI