• Today is: Sunday, April 28, 2024

DY MASAKRAT E FUNDIT NË SERBI , OSE ETIMOLOGJIA E NJË MENDËSIE SHOQËRORE TË KRIMINALIZUAR

fakti
May06/ 2023

Vetëm tani e kuptuam se politika serbe, edhe atëherë kur bëhet sikur e ka humbur luftën, sërish mendon për luftëra të reja, duke toleruar armatosjen e popullatës e cila një ditë do të hidhet sërish në istikamet e turpshme të “mësyemjes drejt Kosovës”. Plumbat fatkeq kësaj radhe goditën vet shoqërinë “e kalbur” serbe, e cila një kohë të gjatë ishte edukuar me mitin për Kosovën si “djep i Serbisë”e cila një ditë  “sërish duhet të ripushtohet”. Por si çdo mit, edhe miti serb për Kosovën po paguan faturën e revanshit historik, sepse nuk po arrin të menaxhohet në kufijtë racional të sjelljeve normale civilizuese

Nga Emin AZEMI

Brenda dy ditëve në Serbi u vranë afro 20 veta, jo në ndonjë fushëbetejë për të mbrojtur vendin nga ndonjë agresion i jashtëm, apo pragun e shtëpisë nga ndonjë hajn ordiner, por në një hapësirë socio-psikologjike ku rrënjët e krimit janë më thellë se sa që duken në shikim të parë.  Hetimet e hollësishme do të nxjerrin në pah detajet e këtyre vrasjeve makabre, ndërkohë që analiza e debate të shumta janë hapur mbi motivet, pistat dhe shkaqet e mundshme që sollën këto tragjedi.
Pati edhe ndonjë zë dashakeq që tha se kjo situatë horrori mund t’i konvenojë pikërisht regjimit të Vuçiqit për të defoksuar vëmendjen e opinionit serb kundrejt Kosovës, çështja e së cilës duhet të merr epilog duke hequr dorë nga egoja iracionale e “mosdorëzimit të djepit të Serbisë”  në duartë e shqiptarëve.
Paralelisht me këto analiza e hamendësime të tjera, tani për tani i sigurt është vetëm një fakt: në shoqërinë serbe ka armë me bollëk dhe nuk ka kurrfarë kontrolli apo mbikëqyrje menaxhuese ndaj këtij arsenali privat armatimi.

“Sipas vlerësimeve të tjera pothuajse po kaq armë ndodhen në posedim ilegal”, deklaron për DW Predrag Petroviç, drejtor i studimeve në Qendrën e Beogradit për Politikën e Sigurisë (BCBP). “Sipas të dhënave zyrtare të policisë serbe nga viti 2021 në Serbi ka pasur 920.000 armë – ndërkohë janë dorëzuar 50.000 deri në 60.000 copë.”

Është e tepërt të flitet se çfarë pasojash prodhojnë këto situata kur popullata është e armatosur deri në dhëmbë. Aq më tepër kur kjo popullatë ndodhet në Serbi, e cila për çdo ditë është e trajnuar psikologjiksht dhe shpirtërisht  nga politikanët e tyre për ndonjë marshim apokaliptik në Kosovë.
Kësaj radhe nuk ndodhi kurrfarë marshimi drejt Kosovës. Plumbat fatkeq kësaj radhe goditën vet shoqërinë “e kalbur” serbe, e cila një kohë të gjatë ishte edukuar me mitin për Kosovën si “djep i Serbisë”e cila një ditë  “sërish duhet të ripushtohet”. Por si çdo mit, edhe miti serb për Kosovën po paguan faturën e revanshit historik, sepse nuk po arrin të menaxhohet në kufijtë racional të sjelljeve normale civilizuese. Aq më tepër kur elita aktuale politike serbe nuk po arrin ta arsyetojë narrativin e vet të brumosur në opinionin  publik për “rikthimin triumfal në Kosovë”. Kësaj radhe në Kosovë arriti të rikthehet vetëm jehona e fiaskos morale e politike serbe, e cila pamjaftueshmërinë e saj për të gjykuar të keqen brenda vetes, po e shndërron në një demiurg të përbindshëm të vetasgjësimit.
Vetëm tani kur ndodhën këto dy tragjedi, e kuptuam se politika e Beogradit gjatë kohë e paska ushqyer shoqërinë serbe me krenarinë false që sjell arma e përdorur vend e pa vend.

Edhe në vendet më të zhvilluara, popullata civile mban armë nëpër shtëpia, por atje shteti është më i fuqishëm se çfarëdo lloj vetmburrje që vjen nga arma.
Vetëm tani e kuptuam se politika serbe, edhe atëherë kur bëhet sikur e ka humbur luftën, sërish mendon për luftëra të reja, duke toleruar armatosjen e popullatës e cila një ditë do të hidhet sërish në istikamet e turpshme të “mësyemjes drejt Kosovës”.

Por jo. Kuajt e apokalipsës kësaj radhe po përtypnin një taxhi tjetër që e kishin gatuar gjatë kohë baballarët serb të vetëshkatërrimit. Dy masakrat që ndodhën ditë më parë në Serbi, mund ta kenë burimin edhe në mallkimin e nënave të Kosovës që fëmijët iu therrën nga bajonetat e forcave pushtuese serbe.
Më mirë se shqiptarët, askush tjetër nuk do ta kuptojë dhembjen që shkakton vrasja e pafajshme. Askush më mirë se nënat kosovare, nuk i kuptojnë nënat e viktimave të vrara ditë më parë në Serbi, sepse edhe sot në Kosovë vazhdojnë të përkujtohen me lot e pikëllim  përvjetorët e masakrave serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Kush më mirë se kosovarët do ta kuptonin tmerrin që mbjell breshëria e plumbave të shkrepur mbi një trup njeriu të strukur me duar mbi kokë. Dhe ndodhi ajo që as në skenarët më të tmerrshëm të filmave horror nuk do të vizuelizoheshin epizodet e krimeve të dyfishta, pas përpjekjeve të forcave serbe për të fshehur gjurmët e krimit, qoftë duke i djegur kufomat e shqiptarëve, qoftë duke i zhvendosur ato në disa gropa misterioze në Serbi.
Raporti me armët i shqiptarëve dhe serbëve, është krejt i ndryshëm dhe për shumë çka i ndërtuar mbi parametra të pakrahasueshëm.
Pas qershorit të 1999-tës, shoqëria kosovare filloi të çmilitarizohet si pasojë e instalimit të adminstratës politike -ushtarake ndërkombëtare. Shqiptarët armën filluan ta konsdierojnë më tepër si trofe të sentimenteve të së kaluarës, për të treguar edhe ndonjë budallallëk krisamsh nëpër odat e tymosura të mbushura plot me micsokola të vonuar para avujve  të çaji të rusit, se sa instrumente të një krenarie të humbur që po kërkonte të kompensohej në paqe.
Në anën tjetër, Serbia në Kumanovë u gjunjëzua e me këtë u shfry edhe krenaria e pompuar serbe nëpër betejat qyqare me fëmijë e gra të Kosovës,  me çka u bënë të panevojshme  dhe për përdorime muzeale edhe armët që deri para një kohe kishin mbjellë vdekje e gjenocid mbi popullatën e Kosovës.
Dy procese paralele të kundërta që ndodhën në Kosovë dhe në Serbi, e kishin pikërisht qasjen e ndryshme ndaj armëve. Dorëzimi i armëve pas një lufte të lavdishme që ndodhi në Kosovë, u bë me marrëveshje me miqtë dhe aleatët që ndihmuan në çlirimin e vendit, ndërkohë që Serbia vazhdoi të armatoset edhe privatisht edhe zyrtarisht.  E gjithë kjo çmenduri milirariste ndodhi madje edhe para syve të Brukselit dhe për rrjedhojë BE çuditërisht e toleroi regjimin e Vuçiqit që me ndihmën e Putinit të rivalizojë  njëfarë kundërpeshe gjeostrategjike kundrejt NATO-s në fushën e armatimit rus e kinez.

Askush nuk mund ta dijë saktësisht epilogun e gjithë këtij tifozllëku serb ndaj sportit të rrezikshëm që sjell armatosja ilegale, por ajo që është e sigurt ndërlidhet pikërisht me karakterin dhe etimologjinë socio-politike të një një shoqërie e cila vazhdon të jetoj në një botë paralelel ku gjithçka jashtë saj është armiqësore, kundër së cilës “duhet luftuar me të gjitha mjetet dhe metodat”.
Megjithatë, amiku më i madh i kësaj shoqërie nuk është askush jashtë kësaj bote, pos pasioneve që janë brumosur thellë në mendësinë mesjetare serbe për të zaptuar liritë dhe hapësirat e popujve të tjerë.
Deri sa të mos lirohen nga ky pasion, serbët do ta kenë vështirë ta kuptojnë se mos distancimi nga mendësia kriminale sjell edhe tragjedi të tjera në shoqëri, sepse,  fundja,  Zoti nuk ësht mace që të gërrith.

Shkup, 06. 05. 2023