Kjo ideologji e rrezikshme depërtoi edhe të shqiptarët, por vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Në Shqipëri deri kur erdhi komunizmi, kjo ideologji nuk ishte prezente. Por, u bë gati zyrtare kur erdhën komunisët pas vitit 1945. Komunistët shqiptarë për të treguar se sa ishin pro rusë (lexo: pansllav), ia zhdukën varrin Gjergj Fishtës. Kjo nuk u bë pse ai ishte prift, por për shkak se ai ishte anti sllav.
Shkruan Dr. Daut DAUTI/Londër
Pansllavizmi është ideologji shoveniste që ka lindur në fillim të shek. XIX në Çekinë sotshme, fillimisht si lëvizje kundër sundimit të habsburgëve.
Më vonë, kah mesi i shek XIX kjo lëvizje u zgjerua dhe udhëheqjen e saj e morën intelektualët rusë, të cilët i dhanë edhe karakter politik e kulturor. Kjo u bë për arsye se Rusia ishte fuqi në ekspanzion dhe sllavët që ishin nën sundimin austro-hungarez dhe otoman i drejtuan sytë dhe duart nga shën Petersburgu – Rusia cariste.
Intelektualët rusë (shkrimtarët, poetët, filozofët, historianët …) te sllavët që ishin nën sundim austro-hungarez dhe otoman, me veprat e tyre e përhapën një mburrje të origjinës sllave duke i potencuar karakteristikat e përbashkëta të këtyre popujve. Por, kjo ‘mburrje’, e bazuar në ortodoksizëm, u ndërtua mbi urrejtjen ndaj katolikëve dhe myslimanëve. Kjo ishte për arsye se në këto dy perandori jetonin sllavët dhe u synua që të shkatërroheshin dhe mbi themelet e tyre të krijoheshin shtete sllave.
Me rënien e Perandorisë Austro-Hungareze urrejtja që përhapte pansllavizmi kundër katolikëve, gati pushoi për shkak se u krijuan shtetet sllave dhe mbetën nën ndikimin e Evropës, e cila ishte më e fuqishme se Rusia. Por, urrejtja mbeti ndaj myslimanëve dhe u zhvilua edhe më shumë. Kjo ishte për shkak se në territoret ish otomane kishte mbetur një numër i madh i myslimanëve që ranë nën Rusinë apo shtetet sllave e që ishin element i papërshtatshëm për asimilim. Prandaj, këto shtete filluan persekutimin, vrasjen dhe dëbimin e myslimanëve për shkak se ata nuk mund të integroheshin në ideologjinë pansllave.
Kur Lenini erdhi në pushtet, e shpalli pansllavizmin si ideologji shoveniste dhe e ndaloi. Por, e ktheu Stalini kur erdhi në pushtet. Stalini e ktheu për arsye se kjo ideologji kishte strukturë dhe kishte depërtuar thellë te intelektualët dhe popujt sllavë. Prandaj, ai e shfrytëzoi për nevoja të sundimit komunist. Stalini e mbështjelli pakon e komunizmit me pansllavizëm dhe e shpërndau gjithandej përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Por, tashti kjo ideologji ishte kryesisht anti myslimane. Veprat e intelektualëve sllavë e dëshmojnë këtë fakt, sidomos interpretimi i lëndës së historisë.
Kjo ideologji e rrezikshme depërtoi edhe të shqiptarët, por vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Në Shqipëri deri kur erdhi komunizmi, kjo ideologji nuk ishte prezente. Por, u bë gati zyrtare kur erdhën komunisët pas vitit 1945. Komunistët shqiptarë për të treguar se sa ishin pro rusë (lexo: pansllav), ia zhdukën varrin Gjergj Fishtës. Kjo nuk u bë pse ai ishte prift, por për shkak se ai ishte anti sllav. Plus, Fishta nuk kishte urrejtje për myslimanët dhe kjo nuk ishte gjë e mirë për pansllavët. Kjo ndodhi për shkak se mardhëniet me rusët ishin të mira dhe u madhështua literatura dhe arti rus, që në brendi e përmbante porosinë pansllave. Edhe te shqiptarët në ish Jugosllavi, kjo ideologji depërtoi pas vitit 1945.
Në vitin 1918 Jugosllavia, fillimisht shteti Serb-Kroat-Slloven, u krijua tërësisht mbi ndjenjën dhe planin pansllav. Emri Jugosllavi, pra sllavët e jugut, e spjegon përmbajtjen. Edhepse ideologjia pansllave ishte dominante dhe e vetme nga viti 1918 deri më 1945, shqiptarët, si myslimanë e si katolikë, nuk u ndikuan për shkak se nuk shkonin në shkollat e këtij shteti. E vetmja shkollë në të cilën shqiptarët shkonin, por me numër të kufizuar, ka qenë medresja e Shkupit, të cilën e ndërtoi mbreti serb dhe që kishte për qëllim të krijonte hoxhallarë me ndikim të kulturës pansllave se programi ishte i tillë.
Por, gjërat ndryshuan pas vitit 1945 kur filluan shkollat dhe mediat në gjuhën shqipe. Gjuha ishte shqipe, por tekstet ishin të përkthyera nga serbo-kroatishtja dhe tërësisht me ngjyrë të kulturës pansllave për shkak se as komunistët jugosllavë nuk e eleminuan këtë ideologji. Myslimanët në shtetin e sllavëve të jugut nuk kishin mundësi të asimiloheshin në sllavë. Sidomos shqiptarët që edhe gjuhën dhe prejardhjen etnike e kishin tërësisht tjetër. Prandaj, ata u dëbuan në Turqi në disa valë.
Ky ndikim ende është prezent te shqiptarët për shkak se nuk e kanë reformuar sistemin e arsimit, por edhe për shkak se ka kaluar një kohë mjaft e gjatë nën dominim pansllav dhe është krijuar ndikimi, i cili nuk hiqet lehtë. Prandaj, nëse sot vëreni urrejtje ndaj myslimanëve shqiptarë, por edhe ndaj katolikëve, duhet ta dini se ku është burimi.