Çka po ndodhë me disa adminstrata amerikane, të cilat dikur harxhonin miliarda (tomahovka) për të rrëzuar diktaturën e Millosheviqit, kurse sot bëjnë çmos që të instalojnë zgjatimet e atyre diktaturave në formë të Vuçiqit, ose tolerimin e Dodikit në Banja Llukë. T’i bësh sot presion Kosovës të negocojë me Vuçiqn, është njësoj sikur t’i kishin bërë presion De Gollit të bënte negociata me Himlerin apo me Gebellsin pas LDB. Pse Vuçiqi i sotëm qenka i ndryshëm nga Gebelsi i djeshëm
Shkruan EMIN AZEMI
1. Si ndodhi që Kosova nga një entitet me subjektivitet të pranuar ndërkombëtar, të shndërrohet në çështje të brendshme të Serbisë?
2. Si ndodhi që pas mendimit të GJND-së – 2010- (Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare), filloi rinegocimi i statusit të Kosovës (!), duke i mundësuar Beogradit që për çdo çështje të brendshme, që ka të bëjë me pakicën serbe, duhet biseduar patjetër me Serbinë?
3. Nëse merret i mirëqenë ky model, atëherë pse nuk i mundësohet Kosovës të bisedojë me Beogradin për çështjet e pakicës shqiptare në Serbi?
4. Si ndodhi që lidershipi i ri i PDK dhe LDK nuk e thanë asnjë vërejtje, asnjë vetëkrtikë për marrëveshjet e v. 2013/15. Reforma partiake nuk nënkupton vetëm ndërrimin e liderëve, por edhe reflektim mbi gabimet e liderëve pararendës. Kjo nuk po ndodhë, pse?
5. Nëse pranohet çdo ide dhe inisiativë e Serbisë mbi rregullimin e statusit të serbëve në Kosovë, kush mund të garantojë se nesër nuk do të aplikohen modele të ngjashme edhe në pjesë të ndryshme të shteteve multietnike në Ballkan?
6. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është jetike për Kosovën në planin e sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme, por insistimi që Serbia ta njeh medoemos shtetin e Kosovës, sikur e zbeh subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, e pranuar nga më shumë se 100 shtete dhe sikur peretendohet se nëse “nuk na ka njohur Serbia, nuk jemi tamam shtet”. Nga u impotua ky mendim i egër se vetëm me njohjen e Serbisë, Kosova bëhet tamam shtet? Kush e solli këtë mendim-kopil në dyert tona?
7. A do të lexojmë nesër memoare të diplomatëve amerikanë e evropianë që ishin të përfshirë në presionet e paskrupullta për formimin e Asociacionit serb, ku do të shprehet edhe ndonjë dozë vetëfajëse, një dozë pishmanllëku, siç ndodhi me Richard Holbrukun, i cili në memoaret e tij thoshte se ishte treguar i padrejtë me entitetet joserbe (sidomos me boshnjakët) në BeH në prag të Konferencës së Dejtonit, e cila e prodhoi edhe monstrën “Republika Srpska”?
8. Çka po ndodhë me disa adminstrata amerikane, të cilat dikur harxhonin miliarda (tomahovka) për të rrëzuar diktaturën e Millosheviqit, kurse sot bëjnë çmos që të instalojnë zgjatimet e atyre diktaturave në formë të Vuçiqit, ose tolerimin e Dodikit në Banja Llukë. T’i bësh sot presion Kosovës të negocojë me Vuçiqn, është njësoj sikur t’i kishin bërë presion De Gollit të bënte negociata me Himlerin apo me Gebellsin pas LDB. Pse Vuçiqi i sotëm qenka i ndryshëm nga Gebelsi i djeshëm?/
9 Nëse është përcaktim strategjik i Washingtonit që të mbaj sa më larg Serbinë nga Kremlini, pse këtë nuk e bëjnë duke zbatuar strategjinë për Maqedoninë, ku i jepet përparësi territorit, e jo konjukturave politike. Pse Washingtoni me patjetër ta mbështes Vuçiqin, kur Serbinë mund ta mbaj larg Kremlinit edhe pa Vuçiqin, por me ndonjë elitë tjetër politike, siç vepruan në Kosovë kur mënjanuan për 24 orë një qeveri legjitime e zgjedhur nga populli. Pse dhe deri kur me këto standarde të trefishta të Washingtonit , të cilat janë një terren shumë i përshtashëm për elitat e korruptuara politike në Ballkan, të cilat deklarativisht janë me Amerikën, kurse realisht janë kundër parimeve fundemantele demokratike të etërve themelues amerikanë .
Shkup, 27 shkurt 2023