• Today is: Sunday, November 24, 2024

Asociacioni favorizon territorializimin e të drejtave etnike të serbëve në Kosovë

fakti
January31/ 2023

Heshtja dhe indiferenca e subjekteve shqiptare në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e gjetiu bashkë me heshtjen e intelektualve, akademive, universiteteve, studentëve e kështu me radhë është e pafalshme dhe indikator se qëllimi i të tjerëve për parcializimin e çështjes shqiptare në Ballkan është arritur.

Nga Albulenë Halili

1. Në Kosovë lejohet, madje inkurajohet territorializimi i të drejtave etnike të serbëve (kolonë) në Kosovë, të cilët përbëjnë 1,5% të popullsisë së Kosovës (Regjistrimi 2011).

2. E njëjta nuk lejohet, e lëre më të inkurajohet në komunat me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës/ Kosovë Lindore.

3. Në Maqedoninë e Veriut realizohet deterritorializimi i tërësishëm i të drejtave etnike të shqiptarëve (autoktonë) në Maqedoni të Veriut të cilët janë pothuajse 30% (Regjistrimi 2021). Kjo politikë fillon të zbatohet që nga viti 1991 dhe kulmon në vitin 2001 me Marrëveshjen e Ohrit, ku ky shtet kinse fillon të zbatojë konceptin qytetar në vend të atij etnik. Maqedonia e Veriut akoma funksionon si shtet monoetnik, ndonëse ka një shoqëri multietnike dhe proklamon konceptin qytetar.

4. Serbët në Kosovë duhet të trajtohen si çështje e brendshme e Kosovës, njashtu siç kërkohej nga Shqipëria që mos të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë kur bëhej fjalë për shqiptarët.

5. Qëndrimi i opozitës në Kosovë në dhomën e pritjes për hyrje në qeveri dhe pranim pa kushte të BKS është shkelje e kushtetutës së Kosovës (për të mos thënë tradhëti kombëtare). Qëndrimi i subjekteve politike kur bëhet fjalë për çështje të interesit shtetëror e kombëtar duhet të jetë unik e jo mundësi për pushtetizim.

6. Imponimi i BKS është çështje e interesit tonë kombëtar e jo vetëm çështje e Kosovës. Heshtja dhe indiferenca e subjekteve shqiptare në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e gjetiu bashkë me heshtjen e intelektualve, akademive, universiteteve, studentëve e kështu me radhë është e pafalshme dhe indikator se qëllimi i të tjerëve për parcializimin e çështjes shqiptare në Ballkan është arritur. Me këtë është parcialuzuar edhe interesi ynë kombëtar dhe ne tani jetojmë të lumtur në mëhallat tona.

7. Ky parcializim dhe në veçanti pranimi i rolit të palës konstruktive nga politika shqiptare në Maqedoni të Veriut e pamundëson sot përdorimin e politikës së reciprocitetit midis të drejtave të shqiptarëve këtu dhe serbëve në Kosovë.

8. Ajo që mbetet tërësisht e papranueshme është mendësia e lehtësisë së papërballueshme të pranimit të tiranisë e cila po lejohet të instalohet në ligjërimin diplomatik në truallin evropian e më gjerë, atë perëndimor se: kryerësi i gjenocidit (Serbia) joshet, ndërkaq viktima (Kosova) dënohet. Palët nuk janë dhe nuk mund të trajtohen kurrë si të barabarta. Nëse si pozicion fillestar në dialog merret se Serbia ka humbur Kosovën dhe tani asaj i duhen bërë lëshime në dëm të Kosovës, kjo është në radhë të parë huqje totale e moskuptim i thelbit duke përfshirë edhe arsyen e intervenimit të tyre për të ndalur këtë gjenocid.