• Today is: Sunday, November 24, 2024

Momentin historik duhet të dijmë ta shfrytëzojmë

fakti
January27/ 2023
Për të shkruar këtë shkrim më motivoi publikimi i Komandantit Gjen. Sadik Halitjaha, me shkrimin e tij: “Deri ku duhet të na shkoj thika!, ku bënë thirrje për unitet pozitë e opozitë për zgjidhjen e çështjes së Veriut të Kosovës dhe gjendja e rëndë politike pikërisht në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Shkruan Prof.dr. Musa LIMANI
Ska dyshim se, Kosova tani gjendet në një situatë të rëndë politike. Pjesa Veriore e Kosovës që nga pas lufta (çlirimi), e deri në ditët e sotme u la e lirë në duar të bandave, të cilët vepronin pa kurrfarë kufizimesh, përgjegjësie, duke cenuar territorialitetin, sovranitetin dhe kushtetshmërinë e Republikës së Kosovës. Me këto banda manipulonte dhe po manipulon drejtpërdrejtë Serbia, përkatësisht Presidenti z. Vuçiq, ish ministër i informatave të Millosheviqit, si dhe me konceptin e tij hegjemonist, që nga Pavarësia e Kosovës dhe tani, dhe në ketë mënyrë po pengon funksionimin dhe zbatimin e kushtetutshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Mbrojtja dhe të drejtat e pakicës serbe, për Beogradin, alias z. Presidentin Vuçiq paraqite alibinë kryesor, për t’u interesuar për minoritetin serb në Kosovë, veçmas të atyre që gjenden në pjesën Veriore të Kosovës. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, kjo nuk ishte kurrfarë arsye. Arsyeja kryesore ishte shkëputja e kësaj pjese të Kosovës dhe bashkëngjitja me Serbinë. Madje, as që ishte në pyetje mbrojtja e të drejtave të pakicës serbe, por marrja e resurseve natyrore të kësaj pjese të Republikës së Kosovë. Të drejtat që i ka minoriteti serb në Kosovë, nuk i kanë as serbët në Serbi, e as një minoritet në Ballkan, Evropë e në botë. Ata deri më tani, nuk kanë paguar rrymë, ujë, taksa e obligime tjera shtetërore, të cilat Qeveria e Kosovës ua ka mbuluar. Çka është edhe më e keqja për diku rreth 70 mijë serb në Kosovë zbatohet dygjuhësia shqip-serbisht në nivel të Republikës së Kosovës, kurse 130-140 mijë shqiptar në Serbinë jugore, përkatësisht në Kosovën Lindore, nuk gëzojnë as të drejtat elementare kombëtare dhe paraqesin minoritetin më të përbuzur në këtë shtet hegjemonist, shovinist e uzurpator të trojeve të popujve tjerë. Madje, në komunat me shumicë serbe, nuk kemi asnjë element: as dygjuhësinë, as flamurin e as simbolet e tjera të Republikës së Kosovës, që drejtpërdrejtë paraqet shkelje flagrante kushtetuese. Të gjitha këto, Kosova i ka toleruar, në kuptimin që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar të zgjidhet kjo nyje që është pjellë e Serbisë.
Andaj, duke pasur parasysh të gjitha ato që u cekën më sipër, e shumë çka që nuk u potencuar me këtë rast, tani më shumë se kurdoherë më parë, është momenti historik, bile do të thoja është ora dy (2) minuta në 12, të jemi unik pozitë e opozitë të flasim me një gjuhë, t’i flakim inatet e kokëforsinë, sepse është në pyetje një çështje madhore kombëtare, shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës. Tani më shumë se kurrë më parë na duhet uniteti mbarëkombëtar, sepse vetëm kështu mbrohet territorialiteti, sovraniteti, kushtetutshmëria dhe identiteti mbarë kombëtar. Është momenti historik që duhet ditur ta shfrytëzojmë, ashtu si ndodhi edhe me Konferencën e Rambujes. Për zgjidhjen e kësaj çështje, tani e kemi në mbështetje faktorin ndërkombëtar, duhet ditur shfrytëzuar, duhet ndenjura, veçmas miqtë tanë historik dhe më besnik SHBA, por në asnjë moment në dëmë të territorialitetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Çelësi i krejt kësaj është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. S’ka dyshim se ky është obligim kushtetues i Republikës së Kosovës. Mirëpo, gjatë negociatave Kosovë-Serbi, lidhur me këtë çështje janë ber marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ato gabime, me qëllim apo pa qëllim (ndonëse dihen kush dhe pse janë bërë), tani duhet gjetë formën dhe mënyrë e evitimit të tyre dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por në bazë të Kushtetutës, e cila nuk lejon Asociacion një etnik dhe me të drejta ekzekutive. Këtë po e kërkon edhe faktori ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Projektin franko-gjerman, veçmas qëndrimin e SHBA. Zëvendës Asistent Sekretari i Shtetit për marrëdhënie me Evropë dhe Euroazi, z. Gabriel Eskobar, lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndër të tjera ka deklaruar, po e përfoli: Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim kushtetues dhe duhet formuar. Formimi i këtij Asociacioni, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, pa të drejta ekzekutive, jo një nacional dhe nuk do të lejojmë që në Kosovë të formohet një “Srpska Republika” dhe nuk ka ndryshim kufijsh dhe për këtë Kosova e ka mbështetjen e fortë të SHBA-së. Ky qëndrim i është thënë edhe Presidentit të Serbisë z. Vuçiq. Mendojë se mesazhi i SHBA nëpërmjet Eskobarit, është i qartë, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Miqtë duhet dëgjuar dhe sa më parë duhet të hartohet draft projekti i Marrëveshjes për formimin e Asociacionit në fjalë, në suaza të Kushtetutës së Kosovës, jo një nacional dhe pa të drejta ekzekutive. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, Asociacioni me shumicë serbe një nacional me të drejta ekzekutive, nuk duhet pranuar për asnjë çmim edhe nëse mbetet edhe vetëm një shqiptar në Kosovë. Madje, asociacioni i komunave me shumicë serbe një nacional, me epo pa kompetenca, si i tillë paraqet subjekt juridiko-politik antikushtetues dhe një “bombë”, që në çdo moment Kosovën e bënë jo funksionale si shtet i pavarur. Ky lloj i asociacionit një nacional në bazë të kompetencave të pushtetit lokal do të reflektojë negativisht në të gjitha sferat dhe segmentet jetësore të Kosovës. Me fjalë të tjera, nuk guxon të formohet asociacion një etnik, sepse në fakt kjo formë paraqet de facto një “Republika Srpska”, brenda Kosovës. Andaj, nga Qeveria e Kosovës lypset të gjendet një formë dhe mënyrë të formimit të Asociacionit, që nuk e cenon territorialitetin, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.
Serbia gjatë bisedave me 5 vendet më të zhvilluara dhe me ndikim më të madh politik dhe ekonomik, nuk e pranon projektin franko-gjerman dhe venë linja të kuqe. Si Presidenti i Serbisë z. Vuçiq, ashtu dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Daçiq, ka vuar linja të kuqe në projektin franko-gjerman, duke potencuar se, Serbia për herë do të jetë kundër që Kosova të pranohet në OKB, dhe organizmat e tjerë ndërkombëtar, si dhe kurrë nuk do të pranojnë Pavarësinë e Kosovës. Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Në këso kushtesh, si mund të vazhdohen bisedimet Kosovë-Serbi. Për këto qëndrime të Serbisë, nuk reagon faktori ndërkombëtar, veçmas BE-ja. Andaj, kur Serbisë i lejohen të vejnë linja të kuqe, pse me këtë rast mos të ketë të drejtë edhe Kosova të vejë pika të kuqe. Kjo aq më par kur po shihet se sa më shumë që po prolongohet dhe po kalon koha e zgjidhjes përfundimtare të problemit Kosovë-Serbi, nga faktori ndërkombëtar po ledhatohet dhe përkëdhelet Serbia, kurse Kosovës po i vihen ultimatume, po i bëhen trysni dhe kërkesa jo reale. Pra, personalisht mendojë se Kosova me rastin e vazhdimit të negociatave dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare që për finish të ketë pranimin reciprok Kosovë-Serbi, duhet t’i parashtrojë këto linja të kuqe:
– Të heq nga preambula e Kushtetutës së Serbisë se Kosova dhe Metohija janë krahinë e Serbisë.
– Në të folurit dhe në të shkruarit të përdoret termi adekuat: Republika e Kosovës, e jo e ashtuquajtura Kosova. Me këtë rast thehet e drejta ndërkombëtare juridike, si dhe nënçmime dhe përdhosja e 117 vendeve të botës që e kanë pranuar me emrin Republikën e Kosovë shtet të pavarur, sovran dhe ndërkombëtarisht të pranueshëm.
– Heqja dorë e formimit një nacional dhe me kompetenca ekzekutive të asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
– Mos përzierja e Beogradit (Serbisë) në punët e brendshme të Kosovës.
– Zbatimin e reciprocitetit me zgjidhjen e të drejtave të minoritetit serb në Kosovë, me minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës.
– Përdorimi i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës në institucionet publike në komunat me shumicë serbe.
– Të mos pengohet nga Serbia integrimi i minoritetit serb në struktura, institucione dhe organe të Republikës së Kosovës etj.

Andaj, për realizimin e këtyre qëllimeve dhe arritjen e marrëveshje finale që në qendër ka pranimin, dhe shfrytëzimin e këtij momenti historik, ja sot ja kurrë, na duhet unitet pozitë-opozitë, bashkëpunim ndërpartiak, përfshirja e Akademisë, institucioneve shkencore, universiteteve, studentëve, rinisë, OJQ, institucioneve mediatike, qytetarëve etj. Përçarja në këto momente historike, dëmton jo vetëm Kosovën, por edhe interesat tona mbarëkombëtare. Andaj, “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur, e nëse jemi të përçarë, e mundur bëhet e pamundur” (Faik Konica). Të veprojmë ashtu si Delegacioni jonë veproi në Rambuje. Dëgjuam SHBA-të dhe miqtë e tjerë dhe fituam. Kështu, duhet të veprojmë edhe tani. Ti dëgjojmë miqtë tanë, veçmas SHBA-të, dhe të ecim përpara, të zgjidhim ketë nyje dhe këtë gërç që po e pengon perspektivën, jo vetëm të Kosovës, por edhe të kombit në tërësi.

Prishtinë, 27 janar 2023