Procesi i formimit të “Zajednicës”, njësoj si Gjykata Speciale në Hagë, nuk ka mundur të ndodhë pa lëshimet absurde që i kanë bërë ish krerët e Kosovës në vitin 2013, gjegjësisht 2015. Ky proces madje nuk ka mundur as të niset, sikur të mos kishte ndodhur një proces tjetër tepër i dëmshëm për Kosovën – decentralizimi etnik, i cili në fakt ia hapi rrugën dekompozimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës, ku komuniteti serb përmes komunave të tyre të pastra etnike (Shtërpca, Parteshi, Kllokoti, Mitrovica e Veriut, Graçanica) në mënyrë të heshtur por “demokratike” fituan disa kompetenca të cilat një shekull më parë i kishte paraparë Vasa Çubriloviqi (!)
Shkruan Emin AZEMI
Ambasadori i Serbisë në Amerikë, Marko Gjuriq për gazetën “Politika” ka zbuluar tre postulate, siç ka thënë ai, mbi të cilat mbështetet formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Postulati i parë – teksti origjinal i Marrëveshjes së Parë për Normalizim, i datës 19 Prill 2013, i cili përcakton gjerësisht kornizën e përgjithshme të punës me të cilën merret “Zajednica Srpskih Opstina” – ZSO.
Postulati i dytë është Rregullorja e punës e Ekipit menaxhues për themelimin e ZSO-së, e cila u pranua nga Edita Tahiri në emër të Prishtinës. Ajo vendosi kompetencën e plotë dhe ekskluzive të përfaqësuesve serbë për hartim, me konsultime sipas nevojës me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe misionin e OSBE-së”, thotë Marko Gjuriq.
Postulati i tretë dhe kryesori janë Parimet për formimin e ZSO-së, të cilat u nënshkruan në gusht 2015. “Fjala është për 23 parime për të cilat Prishtina është pajtuar me shkrim dhe me nënshkrimin e kryetarit të atëhershëm të pushtetit krahinor, Isa Mustafa, për elaborimin e plotë të një game të gjerë të kompetencave të ZSO-së, natyrisht me garancitë e Federica Mogherini, nënkryetare e atëhershme e KE-së. Më vonë, e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese e Kosovës i ‘anuloi’ pikërisht këto 22 nga 23 parimet, me çka filloi një krizë në dialogun që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që nuk do të zgjidhet pozitivisht derisa të formohet ZSO në mënyrën siç është nënshkruar në prill 2013 … dhe në gusht 2015”, thekson Marko Gjuriq.
Sot, në tavolinë janë dy modele kur bëhet fjalë për shkrimin e statuteve: amerikane dhe gjermane. Dhe të dyja nuk janë në përputhje me parimet për të cilat flet Marko Gjuriq. Sipas modelit amerikan, të publikuar nga “Financial Times”, Prishtina duhet t’u japë autonomi më të madhe serbëve, veçanërisht ZSO formalej në veri. “Ndërsa serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë një nivel të caktuar të sovranitetit, Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj etnikë serbë autonomi më të madhe, veçanërisht komunitetit formal të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, thuhet në tekst, transmeton gazeta “Politika”.
Këto formulime (amerikane) janë shumë të rrezikshme, sepse përjashtimi i komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit nga ZSO do të kishte pasoja të mëdha për mbijetesën e serbëve në Kosovë. Ka disa arsye, më e rëndësishmja është se pozita e serbëve nga veriu do të jetë shumë më e vështirë nëse serbët nga jugu largohen, sepse mbijetesa e tyre është e lidhur pazgjidhshmërisht. Një vendim i tillë do të çonte edhe në përçarje mes serbëve, sepse ata nga veriu i Kosovës do të merrnin papritur të drejta më të mëdha se ata nga jugu. Nëse një plan i tillë do të pranohej, do të ndërtohej një sistem që do të centralizonte më tej pushtetin dhe nuk do të kontribuonte në ndjenjën e barazisë dhe lirisë që serbëve u nevojitet për të mbijetuar në getot në jug, shkruan “Politika”.
Nëse del kështu, siç po thotë Marko Gjuriqi, atëherë procesi i formimit të “Zajednicës”, njësoj si Gjykata Speciale në Hagë, nuk ka mundur të ndodhë pa lëshimet absurde që i kanë bërë ish krerët e Kosovës në vitin 2013, gjegjësisht 2015. Ky proces madje nuk ka mundur as të niset, sikur të mos kishte ndodhur një proces tjetër tepër i dëmshëm për Kosovën – decentralizimi etnik, i cili në fakt ia hapi rrugën dekompozimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës, ku komuniteti serb përmes komunave të tyre të pastra etnike (Shtërpca, Parteshi, Kllokoti, Mitrovica e Veriut, Graçanica) në mënyrë të heshtur por “demokratike” fituan disa kompetenca të cilat një shekull më parë i kishte paraparë Vasa Çubriloviqi, i cili propozonte futjen e të ashtuquajturave pyka në hapësirat e caktuara të Kosovës ku serbët do të dominonin dhe do të vendosnin regulla qarkullimi për shumicën shqiptare… Për t’u vërtetuar kjo tezë e Çubrilloviqit mjaftojnë ngjarjet e fundit ku serbët lokal të Shtërpcës, Mitrovicës së Veriut, apo të Graçanicës, Kllokotit, Parteshit munden në çdo moment ta paralizojnë qarkullimin që lidhë venbanimet e Kosovës…
Decentralizimi dhe “Zajednica” si projekte, fillimisht, u formuluan në Beograd dhe pastaj u paketuan si projekte evropiane.
Fatkeqësia e shqiptarëve qëndron në atë se edhe sot në shek. 21 nuk arritën të detektojnë dredhitë e Serbisë, e cila edhe pse e humbi luftën në 1999, ajo pastaj i fitoi disa beteja diplomatike në dëm të sovranitetit të Kosovës, por gjithmonë në “bashkëpunim” me krerët politikë të Kosovës, cilët me të dy duart nënshkuan edhe decentralizimin edhe ZSO-në. Me fjalë të tjera, Kosova filloi të çahet nga pykat e veta.
Sot të flasësh për gabimet e kaluara, të shpallin njëfarë heretiku, njëfarë gogoli që “je kundër Amerikës”, ndonëse nuk ka pasur kurrfarë presioni që të nënshkruhen këto projekte antiKosovë, ashtu siç nuk ka pasur kurrfarë presioni që të rinegocohet statusi i Kosovës nga viti 2010 e këndej, siç ka ndodhur fatkeqësisht…
Tani çka mund të bëhet, përpos të themi “luaje macë kryet e buallit…”, ndonëse macën e kanë frikësu aq shumë sa që ajo tani trembet edhe prej minjëve.
Shkup, 23. 01. 2023