Të shtunë në Bujanoc, pa prani të asnjë medie lokale, u promovua monografia me titull VERBANI (Fshat i boshatisur) vatër e patriotizmit e autorit Prof.Dr.Musa Limani.
Me këtë rast, njëri nga recensentët, Mazllum Baraliu, ndër të tjera vlerësoi se autori, pa asnjë përtesë as hamendësim, i është rrekur punës që, me pasion e me krenari, ta pasqyrojë e ta përvijojë kronologjikisht dhe faktografikisht – të kaluarën – sa rezistente, qendrestare e heroike; po aq edhe tragjike – historikisht vështruar – 20 të vendlindjes së tij dhe të popullit të tij – po me aq dhimbje e trishtim; me objektivitet të plotë; me buzavaj e me indinjatë të thellë, por edhe në mënyrë burimore; plastike dhe autentike, profesor Musa, përpos së kaluarës, edhe tragjike por edhe heroike, e pasqyron edhe të tashmen pothuajse fatale e fatamorganike – të po kësaj vendlindjeje dhe më gjerë se kaq. Ai me sinqeritet maksimal, në mënyrë të shkoqitur e pa ekuivokë, flet për vendlindjen e vet – “të mbetur shkretë” … me vetëm edhe dy vetë…”, tha Baraliu.
Ndërkaq, recensenti tjetër Sadri Rexhepi vuri në dukje se kjo monografi është me leverdi historike dhe dokumentare me vlera të rëndësishme për aktualitetin dhe ardhmërinë kombëtare në përgjithësi dhe për Bujanocin dhe Verbanin në veçanti. Më përkushtim të thellë autori i hyri përshkrimit të rrethanave historike që nga themelimi i Verbanit e deri me sot jo vetëm si entuziastë por edhe si profesionist në fushën e publicistikës historike e dokumentare. Për të shkruar për Verbanin autorit iu ka dashur të gjurmojë mbi te kaluarën, prandaj materialin e mbledhur dhe të studiuar e ka shtruar shumë mirë në menyrë kronologjike duke përfshirë intervalin kohor që nga themelimi i fshatit e deri në ditët e sotit. Pas shumë përpjekjesh duke hulumtuar here ne Lushnje e herë në Tropojë për të gjetur vendin se prej nga ka ardhur i pari i tyre më në fund vjen në përfundim se i pari i Verbanit kishte ardhur nga Merturi i Gurit të Pukës. Si bazë kryesore për hartimin e kësaj monografie autori ka shfrytzuar burimet arkivore, të cilat iu afruan aspekte të përgjithshme të zhvillimit që nga themelimi e deri me sot, me theks të veçantë mbi pozitën gjeografike dhe popullsinë e fshatit, gjeneza dhe minitoponimet, veprimtaritë ekonomike të banorëve të fshatit me të cilat merreshin ata për mbajtjen familjeve të tyre në jetë, nëvizoi Sadri Rexhepi.
Shkrimtari dhe publicist, Emin Azemi, duke u ndërlidhur me parafolësit tha se një vend mund të ketë të kaluar, por mund të mos ketë histori, sepse që të bëhet histori një vend, duhet të kalojë nëpër procese e zhvillime që feremtojnë vetëdijen kombëtare drejt një ndërgjegjësimi kolektiv për vetveten dhe të tjerët. Verbani pati histori, tha Azemi, prandaj edhe bëhet objekt studimi, siç është rasti me monografinë e prof.dr. Musa Limanit, i cili duke paraqitur Verbanin në mikroplan gjeografik, historik, politik, ekonomik e social, në fakt ka detektuar një planimetri më të gjerë zhvillimesh kombëtare e shoqërore të shqiptarëve. Verbani përmes kësaj monografie na del si një shirit që lëviz nëpër kohë dhe sjell para nesh në miniaturë gjendjen e një popullate në faza të ndryshme të historisë, për të arritur në kohën e sotme ku autori me fakte e dëshmi argumenton se ky fshat, me dramën e vet të shpopullimit, është viktimë e drejtpërdrejt e politikave serbe të spastrimit etnik.Thënë figurativisht, prof.Limani duke hedhur një guralec në ujë, ka shkaktuar rrathë koncentrik në një sipërfaqe më të gjerë ujore. Kështu ka ndodhur edhe me monografinël e tij. Duke trajtuar historinë e këtij fshati, ai ka prekur edhe nervaturën e një pjese të trungut tonë kombëtar, prandaj kjo është edhe arsyeja se pse këtë monografi nuk do të duhej ta vështrojmë në kontekstin e ngusht të analizës, vuri në dukje Emin Azemi.
“Uroj që shembullin e prof. Limanit do ta ndjekin edhe intelektualët tjerë nga Lugina e Preshevës, sidomos disa me tituj akademikësh që ndodhen në Prishtinë, sepse neglizhenca dhe pasiviteti i tyre ia shton orekset politikës serbe për një Bujanoc, Preshevë e Medvegjë pa shqiptarë. Pasiviteti dhe neglizhenca e tyre i jep shtytje edhe më të mëdha Beogradit për ta shndërruar këtë pjesë të populluar me shqiptarë në zona të shpopulluara, të cilat nesër do t’i mbajm vetëm si kujtim në fotografitë e zverdhura nga koha”, nënvizoi Emin Azemi.
Me një vlerësim përmbledhës dhe konciz u paraqit edhe ing. Ahmet Asani i cili u shpreh se libri monografi “Verbani vatër e Patriotizmit” eshte nje liber i cili kalon konturat e nje libri monografi. Ajo që e bënë kete libër të veçant janë dokumtetet e shumeta dhe puna e madhe kërkimore me prova të shumta që nuk lëne asnje dyshim ne konkluzionet e tij.Duke e lexuar librin me personazhe të shumtë në kohë e hapsirë, tha Asani, nganjeherë të lihet pershtypja sikur je duke lexuar një roman, me shumë personazhe, e që për personazh kryesor e ka fshatin Verban, respektisht frymën e Verbanit, frymë e cila nuk e pranon boshatisjen dhe është në kërkim te një zgjidhjeje! Fryma e Verbanit e cila e rriti dhe e ngriti autorin Musa Limani dhe e beri njeri të dijes e shkencës, nuk e le rehat autorin dhe ai detyrohet ta merr rugën e gjetjes se burimit, burim te cilin autori e gjenë në Mertur të Malësisë së Dukagjinit. Me theks te posaçem autori flet per gjithë ata qe e deshten dijen, per mesuesit e parë në keto treva, per intelektualet nga kohera te hershme e deri ne ditet e sotit, duke shkruar per secilen figurë nje jetshkrim te shkurter dhe publikuar ne fotografi.
Prandaj ky liber monografi dallohet nga librat e kësaj natyre sepse brenda tij ka nje dimension te nje energjie inspiruese e cila lexuesin e bene per vete, konstatoi ing. Ahmet Asani.
Krejt në fund me disa fjalë u paraqit edhe vet autori i monografisë, Prof.dr. Musa Limani, i cili pasi faleminderoi referuesit dhe gjithë ata që kanë kontribuar (finaciarisht dhe në forma të ndryshme) në përgatitjen e kësaj monografie, sidomos Ekrem Limani, Adnan Salihu dhe Vaid Limani, tha se si intelektual i kësaj ane është munduar të laj një borxh, jo vetëm ndaj vendlindjes së tij, Verbanit, por edhe një rrethi më gjerë njerëzish e krahinash që kanë kontribuuar në avancimin e çështjes kombëtare.
“Kjo monografi është një përpjekje modeste imja për t’i afirmuar, për t’i prezantuar dhe për t’i ndriçuar e për t’i bërë më të njohura për ne e për brezat e ardhshëm luftërat e njëpasnjëshme të popullatës, jo vetëm verbanase, por edhe të gjithë Luginës së Preshevës dhe të gjitha trojeve etnike shqiptare, për idealin e tyre, e që ishte ribashkimi dhe formimi i një shteti shqiptar, pra të Shqipërisë etnike”,
Ribotimi i kësaj monografie, tha prof. Limani, ndriçon një spektër të gjerë të historisë së verbanasve, duke përfshirë edhe një pjesë të konsiderueshme të figurave nga Lugina e Preshevës e më gjerë, që me pushkë në dorë luftuan për kauzën tonë kombëtare dhe për ribashkimin e trojeve edhe të kësaj anë në Shqipërinë etnike[1]gjeografike, apo më mirë të themi – natyrale. Andaj, nëpërmjet ribotimit të kësaj monografie, prezantohen idealet e verbanasve dhe të popullatës së këtyre trojeve etnike shqiptare, u shpreh prof.dr. Musa Limani./ Gazeta FAKTI