Pikërisht para 78 viteve, konkretisht në mbrëmjen e 6 janarit 1945, gjatë festës e Bozhiqit kishte ndodhur një ngjarje dramatike në Zhegër, që tejkalonte kufinjt e Karadakut. Brezat më të hershëm e kujtojnë këtë ditë si një pike reference që ua kishte kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur shqiptarëve të kësaj ane, por edhe më gjerë, në kohërat e vështira kur çetnikët serbë bënin ligjin e xhunglës dhe pa kurrfarë hezitimi vranin e masakronin shqiptarë.
Nga Emin AZEMI
Pikërisht si sot, më 6 janar 1945, ishte ftuar në stacionin policor të Zhegrës, Isuf Pidiqi, një nga figurat më markante të Karadakut, gjoja për një bisedë të shkurtër, por qëllimi kishte qenë që atë ta zënë të gjallë dhe në fund ta likuidojnë.
Isufi kishte parandjenja se kjo nuk ishte një ftesë e zakonshme, por megjithatë vendosi të paraqitet në Komandën e çetnikëve në Zhegër. Këta të fundit fillimisht nuk merren me të, pasi që po e festonin Bozhiqin dhe disponimin e tyre shtonte rakia, muzika e vallëzimi. Ata festonin e vallëzonin, kurse Isufin e mbyllin në një hapësirë të ngushtë, ku kishte njerëz të larë në gjak nga torturat. Ai si një trim i rrallë që ishte, filloi të bëjë planin e aksionit, me çka arrin të grabit një pushkë, e cila kishte pasur vetëm tre plumba dhe sipas Ramadan Hasanit, familjar i Isuf Pidiqit, me të i vret të vrarë 3 oficer policie: Dimitrije Mihajloviç oficer i OZN-s, Tihomir Petkoviç dhe Stanimir Petkoviq, nga Llashtica, kurse mbetet i plagosur Milloshi i Petrit (mbiemri i panjohur), cili deri vonë është pa me krahun e majtë të paralizuar.
Pas vrasjes së Isufit, një ekspeditë ndëshkuese çetniko-serbe shkon në fshatin Pidiq dhe në mënyrën më barbare hakmerren ndaj familjes së tij, duke ia djegur shtëpinë dhe burgosur anëtarët e familjes, madje dhe foshnjën 6 muajsh. Ata i mbajnë në burg për 6 muaj, ndërkohë që kufoma e Isufit nuk iu dorëzua familjes për varrim, e cila kurrë nuk arriti t`i gjejë eshtrat dhe as ta dijë varrin e tij.
Për figurën e lavdishme të Isuf Pidiqit, historiografia shqiptare nuk e ka marrë mundin të bëjë kurrfarë hulumtimi shkencor. Vetëm familjarët e tij e kujtojnë dhe mundohen t’ua lënë trashëgim gjeneratave të reja lavdinë e këtij trimi.
Sali Hasani, një familjar i tij, thotë se Isufi ka qenë jatak dhe bashkëmoshatar i Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit e Xheladin Kurbalisë, tre trimave të rrallë të kësaj ane.
“Ishte njeri i guximshëm, me moral e karakter të fortë dhe i pathyeshëm përballë armikut. Ai ishte udhërrëfyes i Malësisë së Karadakut të Gjilanit, për qëndresë e heroizëm. Në kohën e okupacionit bullgar, me autoritetin dhe guximin e tij, shumë herë e mbrojti popullin nga torturat më të tmerrshme që dinin t`i bënin bullgarët. Populli ende e krahason brutalitetin ndaj dikujt, me “çytekun bullgar”. Në vitin 1943, Isufi Pidiqi, në një qerre të mbushur me ushqim të bagëtive (sanë), fshehurazi hyn në kazermën ushtare në Shkup, ku i kërkon komandantit bullgar që të ndalojë zullumin e ushtarëve të tij ndaj popullsisë shqiptare. Pas këtij takimi, ushtarët bullgarë filluan të sillen më mirë. Por, kur disa banorë të fshatit Goden e sulmojnë një patrullë bullgare, e vrasin një ushtar dhe ia marrin pushkën, fillojnë maltretimet e rënda në tërë lagjen, me pretekst se po kërkonin pushkën e grabitur. Përsëri ndërhyri Isuf Pidiqi, i cili e lë peng për 24 orë djalin e vet, Esatin dhe del në pjesën italiane, matanë Moravës, për ta sjellë pushkën, që t`i shpëtojë bashkëfshatarët e tij nga torturat e tmerrshme (‘qyteku’ bullgar)”, rrëfen Sali Hasani. Ai thotë se për 78 vjet, emri i Isuf Pidiqit është përmendur nëpër odat e Karadakut dhe është kënduar fshehurazi për të. Edhe sot një grup i këngëtarëve nga Karadaku e këndon këngën për Isuf Pidiqin, e cila gjendet edhe në “Youtube”.
“Vendlindja, Zhegra e Gjilani nuk duhet ta harrojnë lehtë historinë e këtij trimi, që është tepër e rrallë për nga mënyra se si e dorëzoi peng të birin për t`i shpëtuar bashkëfshatarët e tij nga zullumi i ushtarëve bullgarë dhe si e përgjaku festën e ushtarakëve serbë, të cilët ishin dehur nga rakia dhe dhuna ndaj fshatarëve të varfër të Karadakut”, shprehet në fund Sali Hasani.