• Today is: Sunday, November 24, 2024

BE-ja duhet t’i japë fund dyzimit të Serbisë midis Lindjes dhe Perëndimit

fakti
December15/ 2022

Brukseli nuk duhet të vazhdojë të lavdërojë dhe të shpërblejë një vend që shpërfill politikën e BE-së ndaj Rusisë, është gjithnjë e më autoritar dhe ka aspirata ekspansioniste ndaj fqinjëve të tij.

Shkruan Visar XHAMBAZI

 

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka arritur me sukses të ruajë një ekuilibër diplomatik të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kinës. Kjo qasje ka qenë efektive për Serbinë, duke sjellë mekanizma politik, investime ekonomike dhe aftësi ushtarake.

Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike peizazhin gjeopolitik dhe arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

Mes rrethanave të tilla të jashtëzakonshme, Vuçiç ka vazhduar të ndjekë një akt balancues midis Rusisë dhe Perëndimit. Kjo e ka vënë Serbinë në qendër të vëmendjes, duke pasur parasysh se është një nga dy vendet e vetme në Evropë që nuk vendos sanksione kundër Rusisë dhe nuk përputhet me politikën e jashtme të BE-së.

Por Vuçiç ka dëshmuar se nuk është i prirur t’i ndryshojë taktikat e tij. Sot, Vladimir Putin i Rusisë është lideri më popullor në Serbi dhe, për herë të parë në dy dekada, shumica e serbëve tani janë kundër anëtarësimit në BE.

Megjithatë, përkundër sfidave të tilla themelore me të cilat përballet vendi, Serbia ende konsiderohet si kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE. Pyetja e rëndësishme është, a do të vijë BE-ja në vete dhe më në fund do të ndërmarrë masa?

Ende përshëndetet si “faktor stabiliteti” në Ballkan

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Foto: Facebook/Aleksandar Vucic.

Serbia ka mbajtur bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe NATO-n duke hapur kapituj të rinj të anëtarësimit në BE dhe duke kryer stërvitje ushtarake me NATO-n.

Në dekadën e fundit, BE-ja ishte donatori më i madh i Serbisë, me bllokun që llogaritet për rreth 16 miliardë euro në investime të huaja direkte.

Më vete, bashkëpunimi i Serbisë me NATO-n ka qenë në rritje. Në vitin 2019, nga 17 stërvitje ushtarake të zhvilluara me vende të tjera, 13 ishin me anëtarë të NATO-s. Vetëm katër ishin me Rusinë.

Por ndërsa Serbia bashkëpunon më shumë me vendet perëndimore, kjo nuk është ajo çfarë Vuçiç dëshiron që qytetarët e tij të besojnë. Dhe ajo që shfaqet në vend tregon një histori tjetër.

Mediat që kontrollon regjimi i tij publikojnë histori të bujshme dhe dezinformata. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, për shembull, një gazetë pro-qeveritare serbe, Informer, publikoi një artikull me titullin: “Ukraina sulmon Rusinë” në faqen e saj të parë.

Në të njëjtën kohë, marrëdhënia e Serbisë me Perëndimin mbetet sipërfaqësore në mediat serbe dhe toni ndaj BE-së është shpesh akuzues.

Akti balancues i Vuçiçit shpesh mund të dallohet përmes deklaratave të tij publike, të cilat luhaten, në varësi të audiencës.

Për shembull, kur merrej me pandeminë COVID-19, Vuçiç akuzoi BE-në se nuk ofronte mjaftueshëm vaksina. “Solidariteti evropian nuk ekziston”, tha ai. Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi presidentin kinez Xi Jinping, duke e quajtur “vëlla” për dërgimin e vaksinave në Serbi.

Nga frika se Serbia mund të afrohet më shumë me Rusinë dhe Kinën, BE-ja përmbahet në kritikat e saj ndaj Vuçiçit dhe në vend të kësaj e përshëndet atë si një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo qasje e BE-së i ka shërbyer shumë mirë regjimit të Vuçiçit.

Shpërblehet për regresin demokratik

Serbia, e cila ka qenë në rënie pothuajse në të gjitha frontet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe liritë liberale, është shpërblyer me hapjen e kapitujve të rinj në bisedimet për anëtarësim në BE. Ndërkohë, vendet e angazhuara për reforma demokratike, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, nuk janë shpërblyer për progresin e tyre.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bllokuar vazhdimisht në rrugën e tyre të integrimit në BE dhe Kosova është ende në pritje të liberalizimit të vizave, edhe pse Komisioni Evropian ka deklaruar në shumë raste se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet në vitin 2018.

Një tjetër çështje madhore janë aspiratat irredentiste dhe ekspansioniste të Vuçiçit ndaj fqinjëve të tij, kryesisht Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës, si dhe ndërhyrja e vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi. Asnjëra prej tyre nuk ka marrë vëmendje të mjaftueshme në BE.

Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin e boshnjakëve të Srebrenicës në vitin 1995 nga forcat serbe të Bosnjës dhe i cilëson masakrat në Kosovë, si Masakra e Reçakut, si sajesa. Mungesa e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës që ajo ka kryer i zhvlerëson viktimat dhe ilustron një qëllim revizionizmi historik.

Në vitin 2022, Serbia u konsiderua një regjim hibrid nga Freedom House dhe ishte në prag të rënies në autoritarizëm. Në të njëjtën kohë, Serbia mbetet “pararendëse” e procesit të anëtarësimit në BE.

Në këtë kontekst, Vuçiç mund të konsiderohet si politikani më i “suksesshëm” në Ballkanin pas Jugosllavisë. Ai ka mbështetje masive në vendin e tij, kontroll mbi mediat, mposht lehtësisht kundërshtarët politikë dhe sipas indekseve ndërkombëtare, po minon liritë liberale të vendit.

Ende po zhvillon marrëdhëniet me Rusinë

Tre muaj pas pushtimit të Ukrainës nga Putini në shkurt, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, vizitoi Serbinë dhe deklaroi se BE-ja do të mbështesë pranimin më të shpejtë të vendit në BE, pavarësisht se Serbia nuk përputhet me politikën e BE-së për Ukrainën.

Muajin pasues, Serbia ra dakord për një kontratë trevjeçare për furnizimin me gaz me ofruesin shtetëror rus të energjisë, Gazprom. Vuçiç nuk u ndal me kaq. Më 7 qershor, Vuçiç do të priste ministrin e jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov në një vizitë dy-ditore, duke e bërë Serbinë të vetmin vend evropian që pret një politikan rus të nivelit të lartë. Por tre vende anëtare të NATO-s mbyllën hapësirën e tyre ajrore, duke bëreë të pamundur që Lavrov të mbërrinte në Serbi.

Tre ditë më vonë, kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Serbinë dhe kërkoi që Vuçiç të vendosë sanksione kundër Rusisë. Përgjigja e Vuçiçit ishte e shpejtë: “Ne nuk i përgjigjemi presionit në këtë mënyrë”.

Vuçiç shkoi edhe më tej, duke e krahasuar në mënyrë kontroverse fushatën e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 me pushtimin e Ukrainës, duke shpërfillur plotësisht fushatën e spastrimit etnik të Serbisë dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

“Çfarë ndryshimi ka nëse dikush sulmon Serbinë pa një vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, apo nëse dikush ndërmerr agresion kundër Ukrainës pa një vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara? Ju lutem më shpjegoni ndryshimin”, pyeti Vuçiç.

Në fund të gushtit, ish-ministri i brendshëm serb, Aleksandar Vulin, udhëtoi për në Moskë për të takuar Lavrovin. “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk vendosi sanksione dhe nuk ishte pjesë e histerisë anti-ruse”, tha Vulin, i cili në nëntor u emërua shefi i ri i inteligjencës së Serbisë, pas takimit.

Në shtator, Serbia nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për t’u konsultuar mbi çështjet e politikës së jashtme.

Kronologjia e ngjarjeve tregon se Serbia nuk ka qenë kurrë e interesuar të ndryshojë marrëdhëniet e saj me Moskën. Përkundrazi, ajo e ka zhvilluar në mënyrë aktive këtë marrëdhënie dhe i ka rezistuar çdo përpjekjeje për të ndjekur politikën e BE-së për Rusinë.

Më në fund një thirrje zgjimi?

Kancelari gjerman Olaf Scholz. Foto: Pixabay.

Mbështetja e Serbisë nga Rusia është e dyfishtë. Së pari, Serbia varet nga lëndët djegëse fosile të Rusisë, kryesisht furnizimet me naftë dhe gaz natyror. Së dyti, Serbia mbështetet në mbështetjen diplomatike të Kremlinit në lidhje me Kosovën.

Megjithatë, Serbia nuk mund të shikojë më nga Kremlini për mbështetje për Kosovën. Përdorimi i Putinit i përpjekjes së Kosovës për pavarësi për të justifikuar referendumet e aneksimit në Ukrainën lindore nuk i shërbeu mirë Vuçiçit.

Për më tepër, vendimi i BE-së për të ndaluar importet e naftës së Rusisë më 5 dhjetor, ka kufizuar ndjeshëm sasinë e naftës që Serbia mund të marrë nga Rusia. Përveç kësaj, është e besueshme që furnizimet me gaz natyror në Evropë do të jenë të kufizuara. Kështu, shumë shpejt, Serbisë do t’i duhet të diversifikojë furnizimet e saj me energji.

Serbia duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe të përafrohet me vlerat dhe parimet e BE-së, siç kërkohet. Nëse Serbia vazhdon në të njëjtën rrugë dhe dështon të përafrohet me politikën e BE-së për çështjet themelore, BE-ja duhet të marrë në konsideratë pezullimin e procesit të pranimit të Serbisë.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë më 23 nëntor, e cila kushtëzon progresin e Serbisë në procesin e saj të anëtarësimit në BE me përafrimin me reformat e BE-së dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ne duhet të shohim më shumë vendime vepruese si ky.

Si përfundim, duhet të jetë dëshira dhe angazhimi i të gjitha vendeve kandidate për në BE që t’i bashkohen bllokut. BE-ja nuk mund t’i detyrojë vendet kandidate të anëtarësohen. Megjithatë, është përgjegjësi e BE-së që të mbetet një fuqi serioze gjeopolitike, të monitorojë vendet kandidate dhe t’i kushtojë vëmendje më të madhe sferës së saj të ndikimit.

Mbetet për t’u parë nëse akti balancues i Vuçiçit midis Perëndimit dhe Lindjes do të funksionojë këtë herë. Përpjekjet e BE-së do të jenë të suksesshme vetëm nëse Vuçiç është i përkushtuar ndaj procesit të integrimit. Megjithatë, BE-ja nuk duhet të shpërblejë një vend që po zhytet në autoritarizëm, veçanërisht kur disa vende të tjera të Ballkanit janë të përkushtuara ndaj procesit. / Reporter.al

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.