Khaled Hosseini*
Dhe kështu, brenda pak ditësh, talibanët janë kthyer. Flamuri i tyre valon me krenari mbi qytetet e mëdhaja afgane, duke përfshirë edhe vendlindjen time, Kabul – në kontrast mahnitës me vlerësimet e inteligjencës amerikane që thonin se do t’i duheshin muaj kryeqytetit për të rënë. Ngjarjet kaotike e bëjnë të vështirë të besosh gjithçka që thonë zyrtarët amerikanë për Afganistanin. Pyetja është: A mund të besohet çdo gjë që thonë talibanët?
Në intervistat që nga marrja e Kabulit, udhëheqësit talibanë kanë këmbëngulur se qytetarët afganë nuk duhet të kenë frikë, pavarësisht imazheve, tashmë të bëra virale, të afganëve të dëshpëruar që ndiqnin aeroplanët në katin e aeroportit të Kabulit.
Pse janë afganët të tmerruar? Më lejoni t’ju rifreskoj kujtesën.
Për më shumë se 20 vjet, talibanët kanë terrorizuar, brutalizuar, gjymtuar dhe vrarë njerëzit e tyre në një mënyrë sistematike. Talibanët kanë bombarduar shkolla dhe spitale. Për dy dekada, ka vrarë afganë të panumërt; – burra, gra dhe fëmijë, – shumë prej tyre të varfër dhe fshatarë të zakonshëm. Herën e fundit që talibanët drejtuan vendin, ata prenë duar për vjedhje të vogla dhe ekzekutuan publikisht të akuzuarit për kurorëshkelje. Regjimi praktikisht burgosi gratë, u mohoi atyre kujdesin e duhur shëndetësor dhe u hoqi të drejtën për arsimim. I fshikulloi ato që patën guximin për të treguar fytyrat e tyre në publik dhe i rrahu ato që ecnin jashtë pa një shoqërues mashkull. Ky regjim keqtrajtoi burrat publikisht për gjatësinë e papërshtatshme të mjekrave të tyre, u hoqi afganëve kënaqësitë e thjeshta të jetës si muzika, arti dhe vallëzimi dhe shkatërroi objekte historike me vlera të paçmueshme. Kush mund t’i harrojë britmat e “Allahu Akbar” teksa talibanët qëlluan me raketa mbi Budat e bukura të Bamian-it, të cilat datojnë që nga shekulli i gjashtë?
Të tjerë, gjithashtu, luajtën rolin e tyre në tragjedinë që po ndodh sot në Afganistan. Vendet fqinje, veçanërisht Pakistani, janë bashkëfajtorë. Udhëheqësit afganë kanë një faj të madh për lakminë e tyre dhe korrupsionin të cilin e kanë kultivuar gjatë viteve, për paaftësinë e tyre për të ofruar shërbime dhe më e rëndësishmja, për dështimin e tyre për të mbrojtur civilët afganë nga sulmet e talibanëve dhe grupet e tjera kryengritëse. Pastaj, janë amerikanët. Shtetet e Bashkuara ndajnë gjithashtu fajin – dhe jo vetëm për hapat e gabuara strategjike dhe llogaritjet e gabuara që dënuan Operacionin Liria e Qëndrueshme (Operation Enduring Freedom). E mbani mend bombardimin e tmerrshëm të vitit 2015 ku u vranë 42 njerëz në qendrën e traumave të “Mjekët pa Kufij” në Kunduz? Apo sulmin ajror të korrikut të vitit 2008 në Nangahar që vrau 47 anëtarë në një dasëm – duke përfshirë nusen dhe fëmijë? Nëse amerikanët i kanë harruar, afganët e mbajnë mend.
Por, amerikanët janë larguar dhe talibanët janë kthyer. Dhe populli afgan është i frikësuar.
A ekziston një mundësi e largët që ata nuk duhet të jenë? Ndoshta talibanët kanë vënë re se vendi që kanë pushtuar në vitin 2021 nuk është ai i vitit 2001 kur u tërhoqën. Nuk është as Afganistani i qetë, i epokës para-sovjetike kur unë u rrita; ku gratë mbanin funde të shkurtra dhe mund të qarkullonit nëpër Kabul në pak minuta, pa u ndaluar nga pikat e kontrollit apo barrikadat e fortifikuara me tela me xhemba. Megjithatë, ndërsa talibanët ishin të zënë me lëshimin e armëve drejt oficerëve të policisë, vendi po transformohej. Gjatë 20 viteve të fundit, Afganistani formoi një bazë të fortë profesionistësh të arsimuar. Të rinjtë afganë, – meshkuj dhe femra, – shkuan në shkollë dhe mësuan të kodonin. Ata u bënë inxhinierë softuerësh dhe programues. Përmes mediave sociale, ata u angazhuan me botën e jashtme në fushat e të drejtave të njeriut, mjedisit dhe drejtësisë racore dhe sociale. Teksa talibanët ishin të zënë duke sulmuar ushtarët afganë, të rinjtë afganë mësuan t’i binin kitarës dhe formuan grupe garazhi alt-rok. Ata blenë miliona celularë dhe dërguan si mesazh votat e tyre për interpretuesit e tyre të preferuar në “Afghan Star”, “American Idol” i vendit. Deri në vitin 2020, më shumë se 9.5 milion fëmijë u regjistruan në shkollë, 39 përqind e tyre ishin vajza – krahasuar me vetëm 900.000 në vitin 2001, ku shumica prej tyre qenë djem. Gratë e reja hynë në fuqinë punëtore për të ndihmuar në rindërtimin e një vendi që talibanët e lanë të shkatërruar dhe të falimentuar. Jetëgjatësia afgane u rrit nga 56 vjeç në vitin 2001 në 65 vjeç në vitin 2021. Shkalla e vdekshmërisë për fëmijët nën moshën 5 vjeç ra me 50 përqind. Mijëra kilometra rrugë u ndërtuan – spitale, shkolla dhe xhami, gjithashtu. Talibanët i njohin ato. Ato bombarduan shumë prej tyre.
Por, ndoshta, në këto 20 vjet, ndryshuan edhe talibanët. Ndoshta tani talibanët po shohin mënyra gjithëpërfshirëse, më të moderuara. Në fund të fundit, është një gjë të pushtosh një komb, dhe një çështje krejt tjetër ta qeverisësh atë. Edhe në vitet 1990, talibanët morën kontrollin e vendit me vështirësi, por ata u larguan nga Afganistani në vitin 2001, në një kolaps ekonomik pothuajse total. Sot, a nuk do t’iu shërbente mirë talibanëve njohuria dhe edukimi i të rinjve afganë për të rindërtuar shoqërinë civile dhe për ta drejtuar kombin drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të begatë? A nuk mund të përfitonte nga kurajoja e grave të reja të vendosura si aktivistja e arsimit Pashtana Durrani, 23 vjeçe, e cila zotohet të fillojë një shkollë nëse talibanët ndalojnë mësuesit? A nuk do të bënin gra si ajo partnerë të frikshëm? A nuk do t’i ftonim ato të luanin një rol kuptimplotë në rindërtimin e vendit për të fituar vullnetin e mirë të qëndrueshëm të talibanëve brenda dhe jashtë vendit?
Ndoshta talibanët nuk po i japin përparësi këtyre gjërave. Por, duhet që t’u japin rëndësi – nëse jo për të mirën e afganëve të zakonshëm, atëherë për të vetën. Moderimi dhe gjithëpërfshirja do të ndihmonin në sigurimin e vendit të talibanëve si lojtarë të besueshëm në rajon dhe do të ndihmonin në sigurimin e qëndrueshmërisë së tyre shumë më tepër sesa kamxhikët dhe armët.
Sipas të gjitha gjasave, ky është një ushtrim në të menduarit me shpresë. Disa ditë më parë, pashë imazhe të “hajdutëve”, fytyra të lyera me ngjyrë të zezë dhe litarë rreth qafës, teksa ecnin me talibanët nëpër rrugët e Heratit. Ato foto duken sikur mund të jenë bërë edhe në vitin 1996. Dhe talibanët gjithashtu qëlluan mbi një turmë të vogël protestuesish në Jalalabad dhe vranë tre persona.
Sidoqoftë, në ditët e fundit, udhëheqësit talibanë kanë thënë gjërat e duhura në televizione, me raste edhe në transmetime para femrave gazetare. Talibanët shtiren sikur kanë ndryshuar. Ata këmbëngulin se do të respektojnë të drejtat thelbësore të afganëve si njerëz. Përfaqësuesi i tyre, Zabihullah Mujahid u zotua se regjimi do të respektojë të drejtat e grave – megjithëse, ai ishte i kujdesshëm për t’i cilësuar ato, brenda normave të ligjit të sheriatit. Megjithatë, premtimet e fundit të talibanëve nuk u besuan, siç dallohet qartë nga ata njerëz të kapur pas aeroplanëve ushtarakë amerikanë teksa fluturonin.
Talibanët kanë një shans të artë për të vërtetuar se ata e kishin gabim. Shpresoj se do ua provojnë atyre. Dyshoj se kjo do të ndodhë.
*Khaled Hosseini, autor i “Gjuetari i Balonave“, “Dhe malet oshëtinë” dhe “Një mijë diej vezullues“, është një ambasador afgan-amerikan i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Shoqata e tij Khaled Hosseini u jep ndihmë grave dhe fëmijëve afganë.
Artikulli u botua në gazetën Uashington Post
Përktheu dhe përgatiti materialin Gjergj Loka