Edhe një herë akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës i qasen gabimisht dhe me tendencë problemeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i konsideruar ata si periferikë, si një lloj diaspore e largët, kurse kundërvënien ndaj pretendimeve të gabuara të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë paskan vendosur ta bëjnë përmes individëve, e jo përmes institucioneve kompetente shkencore-arsimore, siç është ITSHKSH në Shkup dhe tre universitet shqiptare në Shkup dhe në Tetovë.
Shkruan Emin AZEMI
Pretendimi i Akademisë së Maqedonisë së Veriut se shqiptarët mbërritën në Maqedoni në shekullin e 16 dhe dëbuan vendasit nga shtëpitë e tyre, do ta merr një përgjigje nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, por kësaj radhe jo në linjë institucionale, por krejt individuale. Nga Shkupi është caktuar një person i cili do të luaj rolin e institucioneve shkencore-arsimore(!), sepse kështu dëshirojnë akdemitë në Prishtinë dhe Tiranë.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës paskan ngritur një grup të përbashkët për shkrimin e një enciklopedie shqiptare dhe në redaksinë e punës, siç merret vesh, janë të përfshirë 5 anëtarë nga akademia e shkencave të Tiranës, 5 nga ajo e Prishtinës dhe një përfaqësues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ensiklopedia e e ardhshme shqiptare do të ketë firmën e dy akademive tona në Prishtinë dhe Tiranë, dhe për rrjedhojë ato do të vendosin që për problematikat historike e kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të merren individët, me një përzgjedhje aspak transparente dhe jo objektive.
Edhe njëherë akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës i qasen gabimisht dhe me tendencë problemeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i konsideruar ata si periferikë, si një lloj diaspore e largët, kurse kundërvënien ndaj pretendimeve të gabuara të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë paskan vendosur ta bëjnë përmes individëve, e jo përmes institucioneve kompetente shkencore-arsimore, siç është ITSHKSH në Shkup dhe tre universitet shqiptare në Shkup dhe në Tetovë. Njësoj sikur nga Tirana të vinte Skender Gjinushi dhe të anashkalonte ASHAK-un ose Universitetin e Prishtinës dhe të lidhte kastraveca me ndonjë individ, sado i bukur e i mençur qoftë ai.
Puna për këtë enciklopedi, siç merret vesh, do të nis në janar të 2023tës dhe do të zgjas 5 vite. Ajo do te dokumentoje origjinën e shqiptarëve, historinë, drejtshkrimin dhe arkeologjinë.
Procesi do te zhvillohet në dy redaksi qendrore, në Tiranë dhe në Prishtinë, me nga 30 grupe sipas fushave të ndryshme. Deri tani është përcaktuar një fond prej 3-4 mln euro për financim në 5 vite pune.
Shkrimi i një enciklopedie shqiptare nga ana e akademive të Tiranës dhe Prishtinës, nuk do të kishte dimensionin e vet tragjikomik, sikur të mos dominonte prirja për rangimin e shqiptarëve në kategori të parë dhe të dytë. Nuk e kemi të qartë se ku e ka burimin ky guxim mospërfillës i akademikëve të Tiranës dhe Prishtinës, që duke dashur t’i kundërvihen një enciklopedie maqedonase bien vet në kurthin e po kësaj anciklopedie e cila shqiptarët i sheh të fragmentuar dhe të shkëputur nga zhvillimi i përbashkët historiko-kulturor, që nga periudha ilire deri në ditët e sotme. Për pasojë, kjo enciklopedi gjithashtu dëshiron t’i sheh shqiptarët jashtë institucioneve.
Në Maqedoninë e Veriut tash e tridhjetë vite shqiptarët kanë bërë përpjekje vetmohuese që të kultivojnë identitein e tyre nacional në trajta institucionale dhe kjo është bërë për dy arsye: që të ruhet kujtesa kolektiva nga ndikimet dhe mohimet e jashtme dhe të trajtohet kultura, tradita dhe etnopsikologjia shqiptare si pjesë e një vazhdimëse të përbashkët iliro-shqiptare –arbërore.
Tani me enciklopedinë e ardhshme shqiptare, akademitë e Tiranës dhe Prishtinës po tregojnë mungesë totale të përgjegjësisë intelektuale e kombëtare që të anashkalojnë pikërisht këto përpjekje dhe aspirate të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Nëse nga kjo enciklopedi përjashtohet dimensioni institucional i kulturës shqiptare dhe vazhdimësia e përbashkët iliro- arbërore- shqiptare e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, atëherë akademitë në Tiranë dhe Prishtinë pavetëdijshëm po biejn në grackat e akademisë maqedonase e cila në thelb ka relativizimin e autoktonisë dhe integralitetit të brendshëm etnik, gjuhësor, kulturor, historik të shqiptarëve.
Anashkalimi i institucioneve shkencore-arsimore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe përzgjedhja e individëve mbi baza jotransparente dhe jokorrekte, do ta bëjë enciklopedinë e ardhshme shqiptare një krijesë me gjymtyrë të pazhvilluara, sepse akademitë në Tiranë dhe në Prishtinë kanë vendosur që të sjellin paterica për të mbajtur në këmbë trupin e përbashkët të shqiptarëve në Ballkan.
Shkup, 14 dhjetor 2022