Në Shkup, më 28 Nëntor të këtij viti, festa jonë kombëtare ishte veshur në një petk të posaçëm solemn. Atë ditë në teatrin e madh të spektaklit artistik kishte zbritur i gjithë Ansambi Shqiptar për të pritur kalorësit e largët të Arbërisë.
Ishte një shfaqje që tejkalonte përmasat rutinore të një koncerti, sepse atë mbrëmje në Shkupin Dardan, Ansambli Shqiptar kishte ngritur për disa oktava filtrin kristalor të këngës plot gjallëri krijuese, e cila u shoqëria natyrshëm me hapat elegant të një koreografie që burimin e kishte në gjetjet filigranike të stilistikës sonë krahinore.
Të bësh bashkë 110 artistë dhe t’i vendosësh ata në një harmoni estetike-fonike bashkë me bravurozitetin e valles-kult “Festë të madhe ka Shqipnia”, një kryevepër kjo e Tish Daisë dhe Pajanot Kanaçit, kjo mund t’i ndodhë vetëm një Ansambli me përvojë disa dekadëshe dhe një vizitor i panjohur që përherë të parë ballafaqohet me këtë spektakël, do ta ketë vështirë të besojë se mosha e Ansamblit Shqiptar, i udhëhequr nga Shkodran Tolaj, numerikisht është e barbart me moshën e një fëmije që posa ka filluar t’i merr hapat. Por estetikisht, ky Ansambël del të ketë një moshë më të pjekur, sidomos pasi të kishe qenë protagonist i asaj fushe magnetike që krijon arti me fuqinë e tij ndikuese në publik, ku edhe vizitori i panjohur në ditarin e tij të kujtimeve do ta ketë vështirë të sistemoj të gjitha përshtypjet pozitive. Sepse, siç ndodhë zakonisht, gjithmonë ngelë diçka e pa thënë, që e bartim me vete një kohë të gjatë në formë të një mekanizmi që prodhon imazhe të larmishme akustike.
Skenografia e menduar mirë, që përkonte me epikën e kostumeve, duke filluar nga plisat-dhuratë për 1200 spektatorët nga fabrika e familjes Gjurgjiali nga Prizreni, e deri tek laryshia krahinore e veshjeve tona popullore, që natyrshëm u integruan në dramaturgjinë e valleve të Kërcovës, Tetovës, Dibrës Prespës, Karadakut e Dërvenit, doli të jetë dhurata më sublime e spektaklit që për autorësi pati artistët e koreografisë Gjergj Prevazi, Dilaver Kryeziu, Artan Ibershimi e Genc Kastrati.
Në grafikonin e përshtypjeve të çdo spektatori kishte shumë pika që identifikonin shijet personale të çdo njërit, por ishte një pikë kulmore kur në skenë erdhi kënga me motive të jugut “Janinës ç’i panë sytë” , interpretuar nga grupi i solistëve, pastaj ishte vallja premierike e Dervenit dhe Dibrës dhe sidomos dueti i dy artistëve Shkodran Tolaj e Jetmir Rexhepi, të cilët në mënyrë krejt të veçantë sollën plasicitetin epik të këngës “Ç’po i bjen era retë e zeza”.
E veçanta e këtij spektakli ishte se për herë të parë krahas profesionistëve në skenë u bashkëngjitën edhe shoqëritë kulturore vendëse “Karshiaka”,”Drita” e Dervenit,”Shqiponja”, “Ilirida”, “Duflla”, një ide kjo e drejtorit Tolaj e cila u realizua dhe pati sukses duke e shndërruar Ansamblin në një “shkollë-akademi” ku të rinjë e të rejat motivohen për të siguruar ardhmërinë artistike.
Jehona e këtij spektakli nuk do ta kishte vulën e suksesit, sikur të mos ishin edhe interpretimet dinjitoz të Agron Kalisit me këngën “Brahim Keta“, Era Azemit me këngën “Sazet e Ohrit”, Zekirija Lamallari -“Tetovare”, Kastriot Latifi – “ Shqiptaria”, Salajdin Miftari e Zëkirija Lamallari – “More djalo i mejdanit” dhe mbi të gjitha këngët acapella të interpretuara nga solistët e ansamblit :“Cili je ti more burrë”, “Bjen lodra”, “Janinës ç’i panë sytë“ nga Jetmir Rexhepi dhe “Bijë çobanësh” nga Besarta Murtezani.
Pejsazhi artistik i përfshirë në këtë spektakël i ngjante një harte etno-muzikore që shtrihej mbi pentagramin e pasur të këngëve më të bukura të krahinave shqiptare nga veriu deri në jug. /E. AZEMI