Që nga vepra e parë poetike “O Amë, o Amë”, që erdhi si produkt i një pjekurie më të gjatë krijuese para se të botohej ky libër (1995) e deri te veprat e fundit, Prend Buzhala përpiqet që arketipet e tija letrare t’i zhvillojë brenda një sistemi krijues, që sa është heterogjen për nga struktura, po aq është edhe shumështresor për nga fusha semantike e shprehjes dhe konfirgurimit të realiteteve mitike e reale.
Shkruan Emin AZEMI
Sado që të përpiqemi të bëjmë një sprovë të potretizimi pak a shumë të kompletuar të shkrimtarit e intelektualit Prend Buzhala, megjithatë jashtë kësaj sprove do të ngelë shumë çka pa thënë, sepse kemi të bëjmë me një format krijuesi që formimin e tij letrar e ndërtoi, jo vetëm mbi vokacionin e të qenit vetëm shkrimtar, por edhe mbi primesat e një angazhimi intelektual, që ndikoi bukur shumë në rrugën e tij jetësore e krijuese. Prandaj, kur flasim për Buzhalën shkrimtar, s’kemi si ta përjashtojmë dimensionin intelektual në rrugëformimine tij dhe, anasjelltas, kur flasim për Buzahlën intelektual s’kemi si të mos implikojmë letërsinë në rrugëtrguesit e fatit të të tij jetësor, sepse për shkak të letërsisë ai u anatemua jo njëherë. Kufiri në mes të këtyre dy angazhimeve – intelektuale e krijuese, shpesh herë është i padukshëm, sepse e padukshme është edhe distance që e ndan shkrimtarin Prend Buzhala nga konteksti social e politik në të cilin ai veproi si intelektual. Ndoshta ky është fati i krijuesve që jetojnë e veprojnë jashtë reflektorëve të vëmendjes publike që i kanë kryeqendrat, ndonëse në rastin e Buzhalës duhet nënvizuar faktin se ai ndikoi bukur shumë në ndryshimin e statusit socilogjik të provinces, duke i ndajshtuar asaj atributet e statusit kulturor, sepse ai edhe vet u angazhua që jeta kulturore e letrare në komunën prej nga vjen të mos vuaj pasojat e inferiritetit të panevojshëm që imponion provinca. Në këtë pikëpmaje madje mund të thuhet lirisht se një Prend Buzhalë do të duhej të kemi në çdo komunë tonën, që ngjashëm edhe si Gjilani, të kemi një harmoni zhvillimi kulturor proporcional, që me shumë çka i konkurron edhe kryeqendrës me menaxhim dhe institucionalizim të jetës kulturore.
Prend Buzhala krijoi letërsi brenda një sistemi që ai e ndërtoi me vite e dekada, duke e veshur arketipin e tij letrar me pëlhurën shumëngjyrëshe të zhanreve e procedimeve të ndryshme tekstore.
Kultivimi i disa zhanreve jo pak shkrimtarëve ua kishte zbehur fuqinë e talentit për qenë individualitete me mvetësi krijuese, por kjo nuk është ndonjë rregull që duhet të merret si çështje kanoni letrar, sepse po të ishte rregull nuk do ta kishim shkrimtarin e tipit të Prend Buzhalës, i cili duke qenë njëkohësisht edhe poet, edhe prozator, edhe studiues letrar, edhe eseist e publicist, kapërcimin zhanror në ecurinë e tij krijuese nuk e bëri sepse ndoqi kanonet letrare, por sepse ato i zhveshi nga trysnia e kallëpeve, dhe për rrjeodhë vetëm në atë mënyrë ai do ta zhvilloj dhe avancoj individualitetin e tij krijues, i pandikuar nga çështjet e dëmshme të sinkretizmit zhanror.
Ka plot shembuj në letërisë botërore që një autor është i suksesshëm në disa zhanre. Të përmedim vetëm disa prej tyre: Edgar Alan Poe, i cili, krahas poezisë, lëvroi me mjeshtri esenë edhe tregimin, duke u bërë madje edhe model i tregimtarit me elemente fantastike, pastaj kemi Borhesin, i cili te ne njihet më tepër si tregimtar, por opusi i tij krijues ishte i tejmbushur edhe me vlera kulmore në poezi, dhe eseistikë, për të kaluar tek Mirosllav Kërlezha e Danilo Kishi, të cilët mbetën kolosë të letërisë jo për shkak të mangësive që mund të sillte kutivimi i disa zhanreve letrare, por pse pikërisht në këtë shumësi zhanrore ata shkëlqyen qoftë si prozatorë, qoftë si poetë, qoftë si dramaturg e eseist.
Prend Buzhalës nuk mund t’ia ngushtoj hapësirën shpreshëse kurrfarë gardhi metodik që mund të vjen si produkt i polivancës së tij zhanrore. Përkundrazi kur e lexojmë Buzhalën prozator, siç mund të jetë bie fjala romani “Moisu fluturonte me Qerren e Zjarrtë”, ose tregimet në librin “Sinapsa e heshtjes”, brenda tij gjejmë plot bërthama fabulative me reminishenca poetike, ose kur i lexojmë studimet e tij letrare, siç mund të jenë, bie fjala – “Metafora e vendlindjes”, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” dhe gjithë kolanën e veprave studimore në 14 vëllime me titull “Në aktin e leximit”, nuk mund të mos vërejmë sensin e shkrimtarit-krijues për të vendosur linja komunkimi me autorë dhe vepra të ndryshme letrare. Kjo fundja është edhe aftësia e tij për të përvetësuar një kohë më të gjatë provat stilistike të kapërcimit zhanror por pa e dëmtuar frymën dhe spontanitetin e mimesisit letrar. Komunkimi i tij me vepra dhe autorë u vendos mbi parime të mirënjohura estetike ku përgjegjësia e gjykimit kritik ishte në harmoni me shijen prej autori që vishej me petkun e shkrimtarit josubjektiv, sepse siç do të thoshte Umerto Eco: “Midis qëllimit të paarritshëm të autorit dhe synimit të diskutueshëm të lexuesit është synimi transparent i tekstit që hedh poshtë një interpretim të paqëndrueshëm”.
Josubjektiviteti për të krijuar distancën në mes të shkrimtarit dhe studiuesit e bën Prend Buzhalës një emër me kredibilitet të lartë në qasjete tij krtike, por edhe një penë e palodhur në afirmimin e shumë talentëve që do të mbetnin të mënjanuar në skutat e mosvëmenndjes sikur të mos ishte pasioni i tij prej udhëtari maratonik që nuk rresht së kërkuari dhe së diferencuari vlerat nga jovelrat letrare.
Që nga vepra e parë poetike “O Amë, o Amë”, që erdhi si produkt i një pjekurie më të gjatë krijuese para se të botohej ky libër (1995) e deri te veprat e fundit, Prend Buzhala përpiqet që arketipet e tija letrare t’i zhvillojë brenda një sistemi krijues, që sa është heterogjen për nga struktura, po aq është edhe shumështresor për nga fusha semantike e shprehjes dhe konfirgurimit të realiteteve mitike e reale.
Prend Buzhala është një njohës solid i tekstit letrar dhe si i tillë u imponua në letrat tona me gjithë përkushtimin për të sjellë të sistemuar mendimin teoriko-letrar për autorë e procese krijuese, siç mund të veçojmë veprat studimore që pa kurrfarë mëdyshjesh mund të përfshihen edhe në kurikulat tona universitare, siç janë, bie fjala: “Odeoni i fjalës”,“Shkrimtari pranë buzëqeshjes”, (Studim për letërsinë për fëmijë të Ali Huruglicës), “Aty ku krizat i besohen engjëllit”, (Ndërkomonikime estetike: arti-literatura-lufta), “Kode poetike të mbijetesës”/Mbi roament për të rritur të Anton Nikë Berishës, “Gjenitivi i lirikës” (poezia eMirko Gashit,studimi monografik), “Klasiku modern i tekstit” –Letërsia e Ramiz Kelementit (studim monografik), “Gjakimi i bukurisë”/Letërsia e Ramadan Mehmetit, “Trilogji e letrave shqipe”, “Triumfi në anën e shkrimtarit (Ismail Kadare në një triptik: letrarësia, diskursivja, receptimi), “Sfidat estetike të letërsisë për fëmijë”, si dhe “Shën Jeronimi dhe bota ilire”.
Ky shkrimtar që sot po nderohet me një çmim prestigjioz , na e kujton thënien e një autori të njohur, sipas të cilit “Të shkruarit është puna më e vetmuar në botë”, dhe kjo thënie sikur na shtyn të mendojmë se sa të pavetmuar janë lexuesit që nga vetmia e Prend Buzhalës huazojnë një pjesë të pasionit fisnik për ta bërë letërsinë mjetin e duhur në rritjen e dividentës shpirtërore të njerëzve, ndonëse, siç thoshte John Benneti “Cilësia e letërsisë është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e lexuesve”.
Në emër të kësaj cilësie, Prend Buzhalës i urojmë edhe shumë suksese dhe çmime të tjera letrare për ta bërë edhe më serioze sprovën për portretimin e tij të radhës.
Gjilan, 26. 11. 2022