Kur vështrohet në tërësinë e vet krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut nga viti 1969, dëshmohet një vijimësi e bashkëjetimit të autorit me letërsinë, qoftë kur krijoi veprat për fëmijë, qoftë për të rritur. Pra, krijimi i letërsisë përligj njëjtësimin e tij me veprat letrare si tekste shprehëse poetike, përmes të cilave jo vetëm shprehu botën dhe shpirtin e vet, po edhe krijoi një botë me vete, që u bë pjesë e jetës së tij, po, përmes leximit, edhe pjesë e tjetrit, e marrësit.
Shkruan Prof.dr. Anton Nikë Berisha
Ibrahim Kadriu është i pranishëm në jetën tonë letrare e kulturore nga viti 1969, kur e botoi përmbledhjen e parë me poezi për të rritur “Netët e Karadakut[1]”. Nga ajo kohë e deri me sot, për një gjysmë qindvjetshi, ai u shqua si poet e prozator për fëmijë, poet e prozator për të rritur, autor i disa radio dramave (disa dhe të ekranizuara), pastaj i veprave të tjera monografike për figura të shquara të botës sonë si, fjala vjen, për Idriz Seferin, Agim Ramadanin, Ramiz Cërnicën, i veprave të karakterit humoristik, vëllimet me biseda me shkrimtarë e intelektualë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, me titullin simbolik “Buzëqeshje miqsh” (gjithsej katër) si dhe me punën e gjatë si redaktor në faqet e kulturës së gazetave Rilindja, Bujku dhe Zëri.
Nga viti i largët 1969 e deri më sot Ibrahim Kadriu botoi një varg veprash me vlerë, duke e pasuruar letërsisë tonë në rrafshe dhe në aspekte të ndryshme. Kjo përligjet me veprat që autori ynë i botoi deri me sot titujt e të cilave janë shënuar në fund të këtij libri: Veprat e deritanishme të Ibrahim Kadriut.
Disa vepra të tij përjetuan disa botime, siç janë romanet “Qerrja e dritës”, “Çuni i kohës së Lekës”, “Kroi i ilaçit”, “Misioni rus” etj.
Për rëndësinë e krijimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut dëshmojnë dhe disa vëllime me punime dhe monografi që iu kushtuan asaj nga studiues tanë dhe të huaj[2].
Në vëllimin “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” (Libri i parë), të përgatitur nga dr. Labinot Berisha, thuhet ndër të tjera: “Ky interesim për veprimtarinë e Ibrahimit lidhet me faktin se në veprat e veta ky autor vështroi disa fenomene të rëndësishme të rrjedhës jetësore të botës e të njeriut tonë në vijën vertikale dhe horizontale, që ishin aktuale dje e janë të tilla edhe sot. Në këtë mënyrë vepra letrare e tij, sidomos poezia, duke shqiptuar e përjetësuar botën tonë në aspekte të ndryshme, veçmas në atë dramatik, u bë edhe vetë pjesë e kësaj bote dhe e kësaj drame […] Autorët që shkruan për veprat e Ibrahim Kadriut janë nga emrat më të rëndësishëm të jetës sonë letrare dhe kulturore, studiues të letërsisë, kritikë letrarë, shkrimtarë dhe lexues. Në këto shkrime, që degëzohen në recensione, punime dhe studime monografike, nga një anë dëshmohet pasurimi dhe ngritja e krijimtarisë letrare artistike të autorit, ndërsa, nga ana tjetër, edhe evoluimi i vetë autorëve që shkruan për veprat e tij në periudha të ndryshme[3]”.
Vlerën e veprave letrare të Ibrahim Kadriut e dëshmon dhe përkthimi dhe botimi i tyre në disa gjuhë të huaja si dhe shpërblimet e shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Botë e ndërtuar përmes tekstit letrar
Kur vështrohet në tërësinë e vet krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut nga viti 1969, dëshmohet një vijimësi e bashkëjetimit të autorit me letërsinë, qoftë kur krijoi veprat për fëmijë, qoftë për të rritur. Pra, krijimi i letërsisë përligj njëjtësimin e tij me veprat letrare si tekste shprehëse poetike, përmes të cilave jo vetëm shprehu botën dhe shpirtin e vet, po edhe krijoi një botë me vete, që u bë pjesë e jetës së tij, po, përmes leximit, edhe pjesë e tjetrit, e marrësit.
Ibrahim Kadriu nuk krijoi struktura të ndërliqshme poetike shprehëse, siç ngjet, fjala vjen, në disa poezi të Martin Camajt, të Azem Shkrelit ose të Frederik Rreshpjes (shih vëllimin “Era përkund pikëllimin e luleve[4]”) ose të tregimeve të Anton Pashkut, të romanit “Oh” ose të dramave të tij, që për të komunikuar kërkojnë përkushtim e dije shumë më të madhe për artin e fjalës dhe veçantitë e tij nga lexuesi, po asnjëherë nuk e harroi një fakt të rëndësishëm: nevojën e komunikimit sa më gjallërik të krijesës së tij letrare me marrësin, me lexuesin e saj dhe ndikimin estetik në të. Kadriu i jep përparësi rrëfimit të natyrshëm e të rëndomtë, që me lehtësi dhe natyrshëm pëlqehet dhe përfillet nga lexuesi dhe ndikon më drejtpërdrejtë në të. Nëse një vepër letrare nuk bën ndikimin e saj në marrësin, atëherë vlera e saj mbetet e kufizuar dhe të themi e vdekur. Krijuesi e përfton veprën letrare poetike para së gjithash për kënaqësinë e vet, po njëherit edhe për tjetrin.
Në rastet më të shpeshta, në krijimin e veprave letrare, Ibrahim Kadriu niset nga ngjarje e fakte të njohura jetësore, nga rrjedha historike që kanë lënë gjurmë në jetën e njeriut tonë ose më gjerë, nga njerëz konkretë, po që përmes rrëfimit ato shprehin botën e shkrimtarit. Me fjalë të tjera, vepra letrare nuk del si imituese e jetës, si dyfishe e saj, po botë më vete, e përftuar përmes tekstit letrar poetik dhe mesazheve që dalin prej tij. Shkrimtari i madh rus, A. Çehov, theksonte se “Shkrimtari para së gjithash është gjuhë”. Pikërisht përmes gjuhës shkrimtari e përfton një botë tjetër përballë asaj konkrete nga se në të, përmes tekstit, fut shpirtin dhe dijen e vet; shpreh ndjenjësimin përballë dukurive, ngjarjeve dhe njerëzve, që, natyrisht, ndryshon (ndjenjësimi) nga ai i të tjerëve. Si e tillë vepra e përftuar përligj mëvetësinë dhe komunikon dhe ndikon tek tjetri ose “[…] shumëfishohet, shndërrohet, bëhet tjetër nga një lexues te tjetri[5]”.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu shpesh u kthehet dukurive dhe rrjedhave të së kaluarës për shkak të së tashmes; u qaset dhe i vështron ato artistikisht që të dalin më të qenësishme dhe më të ndërlikuara dhe si të tilla, përmes leximit, ndikojnë në njeriun e sotëm, po dhe të atij që do të vijë në të ardhmen. Arti i fjalës e ka këtë aftësi, që na e thotë dhe FriedrichWilhelmNietzsche në veprën Kështu foli Zarathrusta: “– Unë jam i tanishëm dhe i dikurshëm, tha më pas; mirëpo tek unë ka diçka që është e të nesërmes edhe e të pasnesërmes e ardhmërisë”.
Ndodh kështu për arsye se e tashmja është e qenësishme nga fakti se ngrihet mbi të kaluarën, pasurohet mbi bazën e saj dhe i hap shteg të nesërmes; ajo (e tashmja) nesër do të jetë e kaluar, po do të jetë pjesë e pandashme e saj. Është një marrëdhënie e ndërsjellë që përmes rrëfimit poetik shndërrohet një kohë tërësore (unike) dhe si e tillë bën ndikimin e saj. Autori nuk u kthehet dukurive dhe rrjedhave të së shkuarës për t’i përshkruar e për t’i bërë ato të njohur lexuesve të sotëm, po për rëndësinë e kuptimit që ato ngërthejnë, përkatësisht që mund të kenë në jetën e përditshme, si përvojë ose si mundësi e pasurimit të veprimit e të gjallërimit të përditshëm. Dukuritë jetësore, sidomos ato të botës së brendshme të njeriut, nuk janë të zhveshura dhe të veçuara (të izoluara), po ndërlidhen dhe përsëriten në forma të ndryshme të veprimit të njeriut në hapësirë e në kohë.
Shkrimtarët, pra dhe Ibrahim Kadriu, e krijojnë botën përmes gjuhës, strukturës gjuhësore shprehëse, përmes tekstit. Në procesin krijues ata largohen nga ajo që janë frymëzuar ose e kanë parë në jetë, e kanë përjetuar ose e kanë dëgjuar nga një tjetër, prandaj përmes strukturës gjuhësore shprehëse e përftojnë të vërtetën e tyre; përmes rrëfimit na vënë në një dialog të brendshëm, të thellë me atë që e marrin në vështrim poetik, që është, siç u tha, sa një dialog sa me vetveten, me shpirtin e tyre, aq dhe me tjetrin. Energjia e fjalës poetike i tund, siç thuhet, të gjithë mekanizmat shpirtërorë, ndez qirinj në odat e errëta, shkundullon dyert, çan e shemb muret, krijon një lëvizje marramendëse, të fut rrugë e pa rrugë, krijon kaosin prej ku zënë fill imazhet e rinj të një bote tashmë në të krijuar ose në rikrijim, që shndërrohet në simbole, ngjyra, forma, tinguj, ritëm, metafora[6].
Ibrahim Kadriu krijon vepra letrare tash një gjysmë shekulli për arsye se ato janë të rëndësishme për ndikimin estetik që mund të bëjnë për jetën e njeriut, për mbijetimin shpirtëror e kulturor të tij, si thoshte ÇarlsDarvini, për të mos e humbur shijen e kënaqësisë së jetës: “E kam thënë se në një aspekt mendja ime ka ndryshuar gjatë 20-30 viteve të fundit. Afër të tridhjetave apo edhe më pas, poezitë e formave të ndryshme si veprat e Miltonit, Greit, Bajronit, Uordsuorthit, Kolrixhit dhe Shellit më jepnin një kënaqësi të madhe, madje si nxënës shkolle me jepte një kënaqësi të thellë Shekspiri, sidomos dramat e tij historike […] por tani, prej shumë vjetësh nuk duroj dot të lexoj qoftë dhe një varg poezie; jam përpjekur më vonë të lexoj Shekspirin dhe pashë se ai ishte aq i mërzitshëm, sa më shkaktoi të përziera[7]”. Për të shmangur humbjen e këtij fakti shumëfishtë të rëndësishëm, këtë ndjenjësim qenësor të jetës së njeriut e të pasurimit shpirtëror, Darvini shkruante: “[…] nëse do ta jetoja jetën time sërish, do ta kisha bërë si rregull të lexoja ndonjë poezi dhe të dëgjoja pak muzikë, të paktën një herë në javë […] Humbja e këtyre shijeve është humbje e lumturisë…”[8].
Poeti dhe prozatori
S’ka asnjë arsye të mirëfilltë të bëhet një ndarje e prerë e krijimtarisë letrare të Ibrahim Kadriut në poet e prozator për fëmijë dhe poet e prozator për të rritur, po një veprim i këtillë bëhet më shumë për qëllime praktike. Arti i fjalës është i pandashëm: një vepër letrare poetike ose është e tillë ose nuk është, pa marrë parasysh llojin që i përket ose degëzimeve si, fjala vjen, letërsi për të rritur, letërsi për fëmijë, pastaj tregim, novelë, roman, roman historik, roman psikologjik, roman i verdhë (roman krim) etj. Janë disa vepra në prozë të Kadriut që lexohen njësoj nga fëmijët e nga të rinjtë, po dhe nga të rriturit, si romani “Çuni i kohës së Lekës”.
Punimi i parë i botuar letrar poetik i Ibrahim Kadriu është një poezi për të rritur, botuar në vitin 1962 në revistën e njohur letrare “Jeta e re”, ndërsa vepra e parë e tij është, siç u tha në fillim të këtij punimi, përmbledhja me poezi “Netët e Karadakut” (1969). Vepra e tij e dytë letrare e botuar është përmbledhja me tregime për fëmijë ”Qyteti i luleve” (1970), e ndjekur me ”E lumi rridhte” (novelë dhe tregime për fëmijë (1973), roman për fëmijë ”Pas kthimit” (1975) dhe “Kroi i ilaçit” (1983) roman për të rritur.
Edhe nga një vështrim i rëndomtë i botimit të veprave të Ibrahim Kadriu del se ai shkroi në të njëjtën kohë poezi dhe prozë për fëmijë dhe poezi e prozë për të rritur.
E rëndësishme se në të dy rastet, edhe në veprat në poezi, edhe në ato në prozë, për fëmijë e për të rritur, Ibrahim Kadriu i përmbahet një parimi të qenësishëm për të: vepra letrare të jetë e kuptueshme dhe e përfillshme; të komunikojë sa më lehtësisht me marrësin, cili do qoftë ai. Kjo dukuri përligjet në mënyrën më të plotë kur gjithë kjo vështrohet përmes përrallës, si një nga krijimet letrare shumë të lashta: të rriturit gjithmonë u kanë treguar përralla fëmijëve, po njëherit edhe vetvetes. Shkrimtarët më të shquar botërorë janë mbështetur dhe e kanë shfrytëzuar botën e përrallës, për veprat e tyre në prozë po (më pak) në poezi. Kjo ndodh edhe sot.
Esteti letrar, BenedettoCroce (BenedetoKroçe), duke folur për rregullat e zgjedhjes së librave, që duhet t’i lexojnë fëmijët thoshte: “Libri i mirë për fëmijë është ai që mund të shijohet, pa kufizime e pa rezerva, edhe nga të rriturit. Nuk vlen për fëmijë gjithë ajo që është shkruar për të rritur, mirëpo krejt ajo që është shkruar për fëmijë duhet të vlejë edhe për të rritur në qoftë se është vepër e artit[9]”.
Edhe kritiku ynë letrar, Vehap Shita, pati vërejtur me të drejtë: “Letërsia për fëmijë dhe ajo për të rritur s’kanë ndonjë kufi të prerë që i ndan njërën nga tjetra, sidomos kur është fjala për krijuesit e saj. Shumë nga ata që shkruajnë për të rritur, shpeshherë shkruajnë edhe për fëmijë dhe – anasjelltas. Mandej letërsinë, fjalën e shkruar e të thënë artistike, e shijojnë njësoj, ndonëse secili në mënyrën e vet, i rrituri dhe fëmija […] Përrallën e bukur popullore e dëgjojnë njësoj me ëndje i rrituri sikurse edhe fëmija[10]”.
Vepra për të rritur
Qysh me përmbledhjen me poezi “Netët e Karadakut” Ibrahim Kadriu dëshmohet si poet për të rritur. Për këtë vepër studiuesi ynë i njohur i letërsisë, MensurRaifi, shkruante (vitin kur u botua libri): “[…] shumica e vjershave na duken këngë elegjiake kushtuar ditëve të paharrueshme për autorin”[11]. Pra, “Poet është ai që di të ruajë të paprekur këtë botë intime dhe besimin fëmijëror në bukurinë e jetës[12]”, ndërsa shkrimtari Teki Dervishi për këtë vepër të parë të Kadriut theksonte se ajo: “[…]dëshmon për një rrugë të filluar kah lartësia[13].
Poezinë e Ibrahim Kadriut e kam vëzhguar gjerësisht në pjesën e dytë të këtij libri dhe nuk e shoh të nevojshme që të merrem me të.
Po ndalem në disa dukuri të prozës së tij romansore.
Në rrafshin e prozës, si tregimtar, novelist dhe romansier Ibrahim Kadriu përligji aftësinë krijuese, duke filluar nga viti 1970, kur botoi përmbledhjen me tregime “Qyteti i luleve” (për fëmijë), ndërsa nga viti 1983, kur e botoi romanin për të rritur “Kroi i ilaçit” (shih punimin për këtë roman në libër) e deri te romanet e botuar në vitet e fundit “Përtej binarëve” (2015), “Misioni rus” (2016), “Njeriu me pelerinë” (2018) dhe “Të vdekurit e gjallë” (2018) dhe “Varri i shitur në Damask” (2019).
Për romanin e tij të parë, “Kroi i ilaçit”, Ibrahim Rugova shkruante “Nga rrjeti mitik që thuret rreth Kroit të ilaçit, autori veçon atë që bëhet miti i vazhdimësisë jetësore, i trashëgimisë fiziologjike që qëndron në zemër të amësisë individuale e familjare, që madje inkuadrohet edhe në vijën sociale. Pra, ky krua, pos ‘ilaçeve’ të tjera në koncepcionin mitik të ambientit, shëron edhe atë të pamundësisë për të lindur e për të rigjeneruar jetën. Përmban sekretin e frymëzimit që lidhet në mitin e ujit, siç e thamë në fillim. Ky mit me karakter ritual është mjaft i pranishëm në logjikën popullore: besimi se kontakti me ujin në momente të caktuara sjell pjellorinë e domosdoshme për vazhdimësinë e farës njerëzore. Kështu, në Etimologjinë e tij të madhe, Çabej thotë se ky mit ishte mjaft i përhapur te popullata jonë, është evidentuar se femrat, gratë që nuk kanë pasur fëmijë, në pranverë janë larë në tallazet e Durrësit, që ai me të drejtë e lidh me mitin antik të lindjes së Venerës nga valët e detit, mit mjaft i pranishëm dhe veprues në traditën shqiptare gojore[14]”.
Në pjesën më të madhe të romaneve për të rritur të Ibrahim Kadriut vështrohen dukuritë e dy kohëve: të së kaluarës dhe të së tashmes, që në tekstin letrar dalin të njësuara. Fakti konkret dhe fakti historik në rrëfimin e prozatorit tonë pësojnë ato ndryshime që janë të natyrshme në artin e fjalës, siç thotë Niçe (Nietzsche) “[…] poetët gënjejnë shumë”. Ky gënjim ka të bëjë me të vërtetën artistike që shkrimtari e ndërton përmes rrëfimit dhe perceptohet nga marrësi si një e vërtetë e mundshme.
Kadriu rëndom zgjedh tema, ngjarje dhe dukuri që kanë qenë e janë aktuale, që zgjojnë kureshtjen dhe e bëjnë për vete lexuesin. Autori ato i shqyrton në dramatiken e tyre, duke krijuar dramë brenda dramave të jetës, që për lexuesin shpesh dalin si katarsë shpirtërore. Shkrimtari sa përqendrohet në rrjedhën e botës konkrete, po aq ato i ndërlidh me botën e brendshme të personazheve; të pësimeve e të ngadhënjimeve të tyre; të krenarisë e të përulësisë, të mirësisë e të egërsisë, gjithë asaj që ndodh te njeriu në veprimin e përditshëm, siç ndodh dhe me romanin “Spirale muzgu” (2002), për të cilin studiuesi PrendBuzhala thotë: “Situatat dramatike nëpër të cilat kaluan vendet shqiptare përbëjnë boshtin strukturor dhe tematik të romanit ‘Spirale muzgu’ të romancierit tashmë të njohur, Ibrahim Kadriut. Autori synon të përfshijë në kulme e në veçori karakteristike kohët, historitë dhe mjediset shqiptare që nga vitet e shtatëdhjeta e këndej, si një proces i pandërprerë i betejave jetësore në përleshje, me diktaturat, me iluzionet e me okupuesit, dhe si fatkeqësi të tragjedive nacionale. Letërsia narrative e Kadriut tashmë është kapitull i veçantë i një individualiteti krijues, me përvojë të pasur e të larmishme artistike[15]”. Ndonjëherë rrëfimi i tij bëhet tronditës, e pushton lexuesin pikërisht me dramatiken dhe tragjiken që e shqipton , siç ndodh në romanin “Përtej binarëve”, ku prindi përdhunon vajzat e veta! Me një fjalë, Kadriu i shpalos plagët dhe dhunën e jetës, po dhe gatishmërinë për qëndresë dhe për t’u flijuar për të mirën e jetës e të dinjitetit të njeriut. Kadriu nuk gjakon moralizimin, po e shpreh mendimin e vet për një dukuri të mirë ose për një dukuri të dëmshme ose të shëmtuar. Në shqiptimin e tij shpesh dukuritë mbesin të hapura dhe lexuesi vetë u jep kahen dhe drejtimin ose rëndësinë që sipas tij duhet ose mund ta kenë.
Vepra për fëmijë dhe të rinj
Në veprat për fëmijë dhe të rinj Ibrahim Kadriu, po ashtu, dëshmoi aftësinë, duke përftuar ato krijesa letrare, që pëlqehen dhe komunikojnë me lexuesin e veçantë, qofshin tregime, novela, qofshin romane.
Tematika që përdor autori në këto vepra është sa e shumëllojshme aq dhe e tërheqëse dhe aktuale. Gjuha e përdor në to është e njëjtë, ndryshon vetëm qasja dhe vëzhgimi poetik, gjerësia, dendësia dhe ngjeshësia e rrëfimit, varësisht nga tema ose dukuria që ai e bën objekt të trajtimit, po dhe karakteri i personazheve dhe bota e tyre shpirtërore.
Në veprat për fëmijë dhe të rinj Ibrahim Kadriu u kushtoi kujdes sidomos veçantive që përkojnë me botën e tyre; që përfillen më lehtë dhe bëjnë ndikim më të madh në ta. Bota që shqiptohet në këto vepra është para së gjithash një kërkim për njohje, një kërkim për zbulimin, shpalimin e kësaj bote që njëherit nënkupton njohjen e vetvetes dhe të botës së tjetrit.
Dukuritë që vështrohen poetikisht nuk i nënshtrohen hierarkisë: të gjitha janë të rëndësishme, duhet gjetur vetëm mënyrën si të rrëfehen sa më natyrshëm, të zgjojnë interesimin e lexuesve dhe të ndikojnë në ta. Përmes këtyre veprave, pos qëllimit edukativ, arsimor e dituror, gjakohet zgjimi i kureshtjes te marrësi për gjithë atë që është e qenësishme në jetë, veçmas të jetë argëtuese, të komunikohet në forma të ndryshme me dukuritë dhe të kultivohet ndjenja për të bukurën.
Qoftë në veprat për fëmijë në prozë, qoftë në ato në poezi, Kadriu gjakon mbëltimin e ndjenjës së vetëdijesimit, të shoqërimit, të nderimit të tjetrit, të veprimit të lirë për të përmbushur synimet nga më të ndryshmet(fjala vjen, personazhi i Fidanit në romanin “Pas kthimit”); dashurinë ndaj prindërve dhe anëtarëve të familjes, ndaj të afërmit si dhe ndaj vendlindjes dhe atdheut.
Kjo mënyrë e shqiptimit të dukurive dëshmohet edhe kur veprimet e personazheve janë të denja, si synim jetësor, edhe kur autori rrëfen për raste e personazhe me vese e me veti të liga e të shëmtuara, siç ndodh në vetë jetën e përditshme.
Që në përmbledhjen e parë për fëmijë “Pranvera shikon nga bregu”, të botuar më 1972, Kadriu u dëshmua poet për fëmijë. Në të ai gjakon mënyra sa më të veçanta të të shprehurit të botës në përgjithësi dhe të botës së fëmijëve në veçanti. Rreth kësaj vepre me poezi për fëmijë të Ibrahim Kadriut, Agim Deva shkruante: “Shihet qartë se ky autor ka simpati të veçantë ndaj mënyrës bashkëkohore të shtjellimit të motiveve, ndaj hulumtimit të tyre dhe ‘ngjyrosjes’ së tyre, ashtu si do vetë autori në pajtim me kërkesat e vetë letërsisë për fëmijë (si nëndegë e letërsisë në përgjithësi) dhe me kërkesat që kanë fëmijët, si qenie të vetëdijshme, që dinë të argëtohen e zemërohen, ashtu si ua dikton loja. Dhe duke u nisur pikërisht nga kjo simpati e Kadriut për forma të reja shprehëse, në veprën e tij ‘Pranvera shikon nga bregu’ janë prezentë në përmasa të dukshme një mori trajtash (shpeshherë edhe eksperimentuese) të cilat autori do t’i shtjellojë me kolor e kreacion tërheqës, duke mos e përjashtuar këtu as tendencën që gjatë transformimit të motivit në lojë dhe angazhim, të kihet kujdes edhe për rolin njohës dhe edukativ, ku edhe njëri, edhe tjetri, ngërthehen në një tërësi artistikisht të lidhur, duke sajuar kështu një kompleks më të angazhuar[16]”.
Edhe në romanet për fëmijë, siç ndodh dhe në romanet për të rritur, Kadriu i kthehet të kaluarës, po me qëllim që të sqarohen dhe të kuptohen më mirë rrjedhat në kohën e tashme, siç ndodh me romanin “Çuni i kohës së Lekës”, që rrëfen për qytetin e lashtë të Ulpianës së rrënuar, të ndërtuar përsëri nëpër shekuj. Në këtë roman “Përmes heroit kryesor të romanit, Çunit, që është një personazh interesant, që nga historia e tij familjare e deri tek niveli i tij kalorësiak të cilin e arrin duke kaluar nëpër sprova të vështira jetësore, shkrimtari sjell një mesazh të veçantë për Veriun, që të mos na zë në befasi dhe t’i shembë qytetet tona, shumë më egër se ai tërmeti natyror që shembë muret e Ulpianës së lashtë. ‘Çuni i kohës së Lekës’ i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, duke mos u ndalur në disa gabime të aty-këtushme të shtypit, është një ndër romanet më të mira që iu dhuruan letërsisë shqiptare për fëmijë, dhe jo vetëm për ata, gjatë vitit 2006[17]”.
Objekt të rrëfimit poetik autori ynë bën dhe luftën; ai e vështron atë në ndërliqësinë e pasojave, plagëve (të kujtojmë këtu romanin “Vite me plagë) dhe traumat që le ajo tek njerëzit jo vetëm të atyre që marrin pjesë po dhe të tjerëve.
Nga ajo që u tha më lart del se Ibrahim Kadriu është mjaft i përkushtuar dhe në hartimin e veprave për fëmijë.
Edhe me vepra të tjera, që i përmenda në fillim të këtij punimi (monografitë për IdrizSeferin, Agim Ramadanin dhe RamizCërnicën, libra shkollorë), Kadriu ka dëshmuar aftësinë dhe gjerësinë e interesimeve të tij edhe me katër vëllimet me biseda me intelektualë dhe krijues të shquar, shqiptarë dhe të huaj, me titullin “Buzëqeshje miqsh”.
Prishtinë, maj 2019
Prishtinë, tetor 2022
[1] Ibrahim Kadriu, Netët e Karadakut. Poezi. “Rilindja”, Prishtinë 1969.
[2]MahmudHysa, Polifonia e tekstit letrar, fiksioni në romanet e Ibrahim Kadriut. Libri i parë 2012; MahmudHysa, Polifonia e tekstit letrar, fiksioni në romanet e Ibrahim Kadriut. Libri i dytë, 2014; Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2015; Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Vëllimi i dytë. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018.
[3]Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2015, f. 3 – 4.
[4]Frederik Rreshpja, Era përkund pikëllimin e luleve. Poezi. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, “Beqir Musliu”, Gjilan 2018.
[5]Lazër Stani, Rrugë pa krye.Ese letrare. Botimet Fishta. Tiranë 2016, f. 41.
[6]Shih Lazër Stani, Rrugë pa krye.Ese letrare,vep. e përm., f. 50.
[7]Po aty, f. 44.
[8]Po aty, f. 45.
[9]Shih AntonioFaeti, Letteraturaperl’infanzia. “ArmandoEditore”. Roma, 2002,f. 13.
Nisur nga ky përcaktim ky studiues thotë: “Fëmijët i zgjedhin nëpër raftet librat italiane që atyre u përshtatën e ata janë librat për fëmijë. Mirëpo, një letërsi për fëmijë nuk ekziston”. Shih GianniRodari, Scrivereoggiper i bambini. Citatin e mora nga interneti.
[10]Vehap Shita, Një vështrim mbi letërsinë tonë për fëmijë. Në “Jeta e re”, nr. 3, Prishtinë 1968, f. 616.
[11]Shih Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., 2015, f. 8.
[12]Po aty, f. 7.
[13]Po aty, f. 14 – 15.
[14]Ibrahim Kadriu, Kroi i ilaçit. Roman. Botimi i dytë i plotësuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2019, f. 176.
[15]Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Vëllimi i dytë. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018, f. 260.
[16]Agim Deva, Ballansim kualitetesh në një tërësi artistike. Në “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj”. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., 2015, f. 185.
[17]MehmetHaziti, Hapja e portave të lashtësisë të qytetit mesjetar Ulpiana. NëQasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., 2015, f. 498.