• Today is: Sunday, November 24, 2024

PËR NJË QASJE MODERNE MBI SHKENCAT E ALBANOLOGJISË

fakti
October05/ 2022

Ne si qendra albanologjike, bashkë me universitetet dhe me formacionet e ndryshme akademike, mund të ngrejmë nivelin e studimeve albanologjike në përmasat e një disipline moderne ku falë komunkimeve digjitale, do ta gjenin veten studiues  të ndryshëm në rrafsh global. Prandaj, kjo duhet të jetë edhe sfida jonë e radhës që lidhet me sfidat e shumta të këtij mileniumi ku shkencat albanologjike duhet të kalojnë nga një kasollë e vogël e qasjeve të ngushta në një pallat gjikant me përmasa globale dhe me qasje të hapura dhe krejt të reja.

Shkruan Prof.dr. Skender ASANI

Më vjen mirë që edhe këto aktivitete që po mbahen në kuadër të JAVËS SË ALBANOLIGJISË, këtu në Prishtinë,  mbajnë vulën e një bashkëpunimi të frytshëm institucional, që filloi vitin e kaluar dhe që po vazhdon edhe sivjet, me çka Tirana, Prishtina dhe Shkupi po e formojnë një hark  të rëndësishëm të fushëveprimit shkencor e kulturor përmes ideve e projekteve të përbashkëta.
Me këtë po dëshmojmë se kufinjtë e bashkëpunimit shkencor shkojnë përtej kornizave që i dikton politika e ditës dhe mund të them me gojën plot se edhe ITSHKSH po e dëshmon veten, me veprime konkrete, se është një institucion që hapjen ndaj vlerave dhe hapësirave të tjera kulturore e ka kuptuar si një mision që për çdo ditë po integrohet në strategjinë tonë.
Pjesë e kësaj trategjie është edhe ideja që shkencat e albanologjisë t’i kuptojmë si fusha në të cilat piktakohen edhe disiplinat tjera dhe në këtë mënyrë qasja jonë mbi albanologjinë nga një kuptim i ngusht klasik, po kalon në një kuptim modern.
Ashtu si  historiografia e cila duhet të lirohet nga hijet e mitomanisë së shekullit 19 që nxjerrin krye aty këtu nëpër tekstet e autorëve të ndryshëm, edhe shkencat e albanologjisë, sipas pikëpmajes sime, duhet të ndjekin ritmin e zhvillimeve globale,të cilat reflektohen edhe në “habitatin” tonë etno-pikologjik. Pra, me fjalë të tjera dua të paralajmëroj se ne nuk guxojmë të mbyllemi, por të hapemi, duke i ofruar botës akademike vlerat që i posedojmë, por edhe duke absorbuar prurjet e të huajve mbi shkencat albanologjike. Në këtë mënyrë, mendoj unë, kufinjtë e botës shqiptare mund të shkojnë përtej hartave adiminstrative, dhe mund të prekin hapësira të paanshme të dimensionimit global të mendimit shkencor.
Jemi me fat që shkencat tona albanologjike kanë kaluar nëpër faza të shumta përtërirje brezash, dhe tani jemi në momentin kur kjo përtërirje duhet të ndodhë në një rrafsh më të gjerë, si në aspektin e prurjeve të reja nga hapësirat tjera kulturore-gjuhësore, dhe anasjelltas, ashtu edhe në aspektin e përforcimit të komponentës së multidisplinaritetit në shkencat e albanologjisë. Vetëm në këtë mënyrë, mendoj unë, do të arrijmë të sigurojmë një bazë të shëndoshë të kërkimit shkencor, ku nuk jemi të detyruar të mbyllemi në korniza të ngushta etno-gjuhësore. Zatën kjo ka qenë edhe rruga të cilën e kanë ndjekur shkencat gjuhësore të popujve të mëdhenjë, prandaj jo rastësisht ata sot janë zotërues të  hapësirave më të mëdha kulturore ku ndikimet gjuhësore luajnë një rol të qenëshëm.

Ne si qendra albanologjike, bashkë me universitetet dhe me formacionet e ndryshme akademike, mund të ngrejmë nivelin e studimeve albanologjike në përmasat e një disipline moderne ku falë komunkimeve digjitale, do ta gjenin veten studiues  të ndryshëm në rrafsh global. Prandaj, kjo duhet të jetë edhe sfida jonë e radhës që lidhet me sfidat e shumta të këtij mileniumi ku shkencat albanologjike duhet të kalojnë nga një kasollë e vogël e qasjeve të ngushta në një pallat gjikant me përmasa globale dhe me qasje të hapura dhe krejt të reja.

Prishtinë, 04 shtator 2022

(Fjalë rasti në hapjen e JAVËS SË ALBANOLOGJISË në Prishtinë)