• Today is: Sunday, November 24, 2024

Skender Asani, regjenerues i kujtesës komunitare tё trashëgimisë

fakti
September30/ 2022
Sot, 29 shtator është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, e shpallur nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2003. Dëshiroj t’ja dedikoj Professor  Skender Aanit që më frymëzoi të ndaj me ju këtë shkrim.
Shkruan Rozi DAKO
Shpesh pushimet për mua shndërrohen në një udhëtim që ngjan me shumë me një dëshirë për të shuar etjen për të njohur. Këto udhëtime mund të kthehen në eksperienca mbresëlënëse kur mendja ushqehet me emocione si rrjedhojë e takimeve me persona të vecantë që dhurojnë me bujari jo vetëm kohën e tyre, por edhe dëshirën për të transmetuar çfarë pasuron njohuritë tona, pra i japin jetë eksperiencës tonë prej udhëtari.
Një nga këto eksperienca provova pikërisht në Zagreb, ku u njoha për herë të parë me Profesor Skender Asanin, në qytetin që u ktheva ta vizitoja 2 vjet mbasi kishte ndodhur tërmeti i fortë i 29 dhjetorit 2020, ku pati 7 viktima, shumë të plagosur dhe dëme të mëdha në qendër dhe nё ndërtesat historike të qytetit. Me kënaqësi vura re që qyteti, në dukje, kishte filluar të funksiononte normalisht dhe plagët i kishin lënë vend një gjallërie zhurmuese verore. Vetëm katedralja, tradhtonte këtë gjallëri, me plagët e saja të thella ende të mbështjella me garza skelash qё nuk i lejonin vështrimit të penetronte ndër to e qё ende të pashëruara po kurohen prej dy vitesh. Qëndronte e vetmja dëshmi e asaj dite të frikshme qё nga e cila katedralja nuk hapte dyert e saja për të pritur besimtarët dhe vizitoret e përfundimi i rikonstruktimit dhe më pas hapja e sё cilës ishte akoma e pacaktuar e sidoqoftë jo e afërme.
E zhgënjyer nga pamundësia për ta vizituar u drejtova tek Arkivi i Shtetit, për njё vizitë të prenotuar me shoqërues. Arkivat dhe bibliotekat përbëjnë njё pasion gati obsesiv qё lidhet ngushtё me fëmijërinë dhe rininë time, tё ushqyera që në fëmijëri nga nëna ima Zana Shehu, studiuese e historiane. Obsesiviteti im për këto objekte më shtynë të vizitoj gjatё udhëtimit tё këtij viti edhe 3 biblioteka të tjera të mrekullueshme, ku, 2 prej tyre i përkisnin manastireve të shekullit XI. Rikuperimi i arkivit të Zagrebit nga dëmet e tërmetit dhe rihapja e saj përbën një nga aktet e normalizimit të jetës mbas tërmetit, dhe bukurinë e saj e kishte “pushtuar” heshtja e shumë studiuesve qё kanë përvetësuar kështu hapësirën e tyre natyrale.
Vizita në Arkivin e Shtetit ishte e ushqyer nga kurioziteti im jo vetëm për veçanshmërinë e saj arkitektonike ku dominon stili ‘art decò’ dhe fasada e dekoruar me dy bufa, simbol i mençurisë, por edhe nga mundësia për të vizituar disa salla të veçanta, tё dekoruara nё stil ‘art nouveau’, të hapura për herë të parë për publikun. Çfarë emocioni të vizitosh një ndërtesë që ruan me besnikëri, edhe pas njё ristrukturimi kaq tё rёndёsishёm, vlerat arkitektonike që përfaqëson që nga ndërtimi i saj në vitin 1913, projektuar nga arkitekti Rudolf Lubynsi. Admirimi për dekorimet e ambienteve dhe sallave të brendshme, dritaret me stil ‘art decò’ e afresket, llambat e bankave tё leximit, pasqyrohet dhe gjen shprehjen më të lartë gjatё vizitës sё sallës së madhe të leximit. Vizita e kësaj salle mё emocionoi e mё ringjalli kujtimet e fëmijërisë kur, rreth moshës 11 vjeç, shkoja të kaloja ndopak kohë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë me nënën time e cila prej 10 vjetësh tashme punonte me vazhdueshmëri edhe në Arkivin e Shtetit në Tiranë për mbledhjen e dokumenteve të familjes tonё Qiriazi -Dako. Edhe pse njё ambient familjar për mua, nuk ndihesha fort rehat sepse mendoja që prania jonë dhe zëri i ciceronit mund tё shqetësonte studiuesit. Për këtë arsye isha pak në siklet, por ndërkohë mundohesha që zhurma e hapave të mija në sallë të ishte e paperceptueshme, trupi im gati lundronte në hapësirë dhe pa guxuar ti kërkoja asnjë pyetje apo ti shprehja ndonjë kureshtje ciceronit. Vështrimi im shpesh ishte i drejtuar tek studiuesit për të kapur edhe mё tё voglin reagim negativ ndaj pranisë tonë, ndërkohë qё mezi prisja qё të mbaronte vizita në sallë. Por edhe pse isha në siklet, vështrimi im ishte drejtuar objekteve të studimit dhe emocionet u bënë akoma më përfshirëse kur më tërhoqi vëmendjen aparati për të parë filmime nga një studiues që më ngjalli mallin e mamasë kur ishte një studiuese e re me kokën e përkulur për të studiuar dokumentin e radhës… Më tutje ndodhej një studiuese që po konsultonte një libër tё viteve 1900, ku ishin të përfshira harta të ndryshme, e dy radhë më tutje ishte një grup studiuesish. Me tërhoqën vëmendjen, ndoshta sepse ishin në grup apo sepse po konsultonin dokumentet me njëri tjetri dhe, ndërsa po largoheshim më kapi veshi një fjalë të shqiptuar nga njëri prej tyre. Kjo fjalë gati e pëshpëritur e gati e paperceptueshme qe si shkёndijё, ishte fjala shqip “këtu”. Është e papërshkrueshme habia e atij momenti, e tashmë vëzhgimit admirues tё detajeve të sallës shoqëruar nga përshkrimi i ciceronit, iu shtua kurioziteti drejt grupit të studiuesve. A do të ishin vallë shqiptarё, apo kisha dëgjuar gabim e, ndërkohë që më tryste kjo pyetje, nga ana tjetër e sallës i vështroja dhe diçka më thoshte që jo vetëm ishin studiues shqiptar por ndoshta mund ti kisha parë diku. Mezi prisja të dilja nga salla sepse mendoja që një grup vizitorësh prej 8 vetash ( 2 me origjinë irane -amerikan, 1 italian, 2 francez, 2 kanadez e 1 shqiptare), për sa ishin munduar tё mos shqetësonin, kishte sidoqoftë tërhequr vëmendjen. Kështu, jam e para që dal nga salla e leximit e çliruar që nuk do ti shqetësonim më. Ndërkohë sytë e mëndja ime kërkon në memorien e saj diçka që mund të ishte familjare sepse më shumë mendoja e më shumë më vinin fleshe imazhesh. Një moment, ndërsa ciceroni vazhdonte të jepte detaje interesante mbi hollin e Arkivit ku ishte vetëm grupi ynё, them me zë të qartë dhe e bindur “Janë tre studiues shqiptar në sallë!”. Do kisha dashur të shkëmbeja dy fjalë por druajtja ime se mos i shqetësoja më ndalonte të merrja guximin të rikthehesha në sallë. Të rikthehesha do të thoshte të thyeja atë formë përqendrimi gati të hekurt që kanë studiuesit, që kisha shpesh vërejtur me nënën time kur shkoja në bibliotekë mbas shkollës ta takoja. Ajo ishte aq e përqendruar saqë do herё nuk vinte re që isha ulur pranё saj dhe leçitja. Pyetjes së saj se sa kohë isha aty i përgjigjesha me numrin e faqeve të librit që kisha leçitir ndërkohë.
Vizita mbas 45 minutave mbaroi dhe ndërkohë po bëja shkallën e fundit për të lënë Arkivin, me planin për të vazhduar programin e ditës, por, diçka më bëri të mposht karakterin tim tepër të rezervuar dhe të kthehesha, ti kërkoja leje ciceronit për të përshëndetur një person në sallë. Me hapa të lehta kalova sallën dhe iu drejtova veçanërisht njërit prej studiuesve “Më falni, më falni …më falni Profesor Skender Asani” e përsërita plot katër herë e kur po bëhesha gati të largohesha sepse mu dukën jashtë mase të përqendruar në çfarë po leçitnin, saqё jo vetëm nuk më kishin dëgjuar por as kishin vënë re që dikush ju ishte afruar. Në atë çast Profesor Asani u kthye drejt meje e më thotë “Po, dëshironi?”. Rrethanat e këtij takimi në një kontekst të pazakonshëm më bënë të humb nja 5 sekonda që të prezantohesha: “I nderuar Profesor Asani dëshiroja t’ju merrja vetëm pak minuta për t’ju përshëndetur dhe t’ju shprehur mirënjohjen e familjes sime për konsideratën e lartë që ju keni shprehur ndaj veprimtarisë patriotike të familjes sonë, …nuk më njihni …jam Rozi Dako, stërmbesa e Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos.”
Sapo mbarova këto fjalë kuptova ku e gjeta “kurajën” të tejkaloj ndrojtjen time dhe tё ndërprisja punën që po bënin: ishte e nevojshme ti shfaqja MIRENJOHJEN Profesor Asanit- Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH) që punon pa u kursyer me gjithë stafin e tij, ndër tё tjera, për të bërë të njohur figurat e shquara shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku ende sot nuk janë të garantuara plotësisht të drejtat e komunitetit shqiptar, dhe mbi të gjitha mbrojtja dhe promovimi i identitetit tё këtij komuniteti në një kontekst që “frenon” pikërisht këto lloj iniciativash.
Pata kënaqësinë e veçantё tё njoh personalisht, Profesor Asanin, nismëtar i një prej akteve me domethënëse pёrsa i pёrket shpëtimit tё njërit prej simboleve të shqiptarëve të Maqedonisë sё Veriut nga forca shkatërruese e natyrёs qё ngjason me ato qё populli ynë i ka bёrё ballё nё shekuj, shpëtimi i bredhit së mbjellur nga Nënë Tereza në Shkup, në vitin 1980. Asgjësimi i simboleve të identitetit shqiptar apo i atyre elementeve që mund të shndërrohen nё simbole me kalimin e kohës është prioritet i armiqve të kombit shqiptar sepse shohin rrezikun e transformimit tё tyre në burim frymëzimi, nё identifikim kolektiv e si rrjedhojë në element bashkimi. Këtij akti violent Profesor Asani iu përgjigj duke marrё frymëzim nga mesazhi universal i Nёnё Terezës pёr tё cilin është e pa mundur ta burgosësh forcën e farës, që gjeneron jetë dhe ushqen dashuri e cila kapërcen e ka forcë dërmuese, shpartallon çdo lloji kufijsh të ngritur, edhe ato të urrejtjes.
Ka forca që nuk mund tё kontrollohen, si stuhia që “mposhti” pikërisht madhështinë e bredhit të mbjellur në Shkup nga Nënë Tereza në vitin 1980. Tronditja ishte e madhe kur u çrrënjos nga stuhia, por ishte e nevojshme të reagohej sa më parë dhe, Profesor Asani, edhe në emër të institucionit që ai përfaqëson, iu drejtua autoriteteve përkatëse të merrnin masa tё menjëhershme qё të rimbillej ATY KU ISHTE pa humbur kohë. Por kësaj kërkese, duke ditur shumë mirë çfarë përfaqëson, institucionet përkatëse të Shkupit iu përgjigjën me një akt barbar, duke eliminuar gjithçka. Tronditja u shndërrua në shok, dhe shpresa të shihej e ripёrtёritur, u përballua me realitetin e hidhur me të cilën komuniteti shqiptar është i detyruar të bashkëjetojë në MV. Për të ringjallur trashëgiminë e Nënë Terezës mund të shpresohej vetëm në një mrekulli o nё një akt revolucionar nё sajё tё këmbënguljes dhe guximit të personave largpamës. Ndodhi kjo e dyta dhe falё këtyre akteve pёr të mbrojtur kujtesën komunitare tё trashëgimisë, identiteti shpirtëror i një populli të lashtë si i yni mund të ketë shpresë t’ju transmetohet brezave të ardhshëm. Platoni thoshte se “Dija e vërtetë është kujtimi, është kujtimi i origjinës hyjnore. Duke e ruajtur këtë kujtim, shpirtrat janë tё vetëdijshëm qё nuk i përkasin kësaj bote dhe pavdekësinë e tyre e shohin si të vërtetën e tyre”.
Ky vizion i Profesor Asanit, për të cilin i jepet rëndësi ruajtjes së trashëgimisë, solli bashkëpunimin me Ambasadorin austriak, Shkëlqesia e tij z.Georg Uotsas, qё u kurorëzua me shpëtimin e 25 filizave, që do i quaja filizat e ringjalljes, duke i njohur thënies “një bie e mijëra ngrihen” shprehjen mё domethënëse në këtë ngjarje.
Shpresa u transformua në një projekt largpamës, ku fillimisht mbështetja edhe bashkëpunimi me Ambasadorin Austriak ringjalli shpresën që kjo trashëgimi tё mos zhdukej apo thjesht tё mbetej në kujtesën kolektive dhe rikuperimi i disa filizave dha mundësinë e projeksionit në një fazë të pasme, asaj të bashkëpunimit me institucione përkatëse në trojet Shqiptare e të Kosovës qё bëri të mundur që filizat të mbillen, në hapёsira të ndryshme të këtyre trojeve, duke u bërë kështu mbartëse mesazhesh të rëndësishme, ku ai rezistencës për mbrojtjen e identitetit nuk është i vetmi dhe ku, pikërisht, ndryshimi dhe transpozimi i domethënies përfaqëson forcën simbolike të trashëgimisë. Transpozimi i domethënies, edhe pse i referohemi një objekti statik të trashëgimisë, qoftë dhe tё dëmtuar o tё paplotë, është pikërisht, veçanti e simbolizmit të trashëgimisë ajo që përbën limfën vitale që i jep jetë, vazhdimësi e përjetshmëri, dhe e shndërron në qenie tё gjallё ku fati i saj është i lidhur me vullnetin popullor për ta përfshirë të shkuarën e saj në kujtesën kolektive të tashme, ndërkohë, me prospektiven që këto dy dimensione kohore të projektojnë ekzistencën e saj në të ardhmen. Forca simbolike e tejkalon realitetin e të tashmes dhe bën të mundur, si në rastin e filizave të bredhit së Nënë Terezës, të projektohet në të ardhmen duke shprehur urimin që këto filiza të rriten dhe rrënjët e tyre të jenë aq të thella saqë të përballojnë stuhitë e kohës dhe të shtrihen aq gjerë sa të ndërthuren e të bashkojnë simbolikisht trojet Shqiptare, të bekuar nga Zoti.
Ndër të tjera, bashkëpunimi e mbështetja e menjëhershme që Profesor Asani gjeti tek ambasadori austriak, më rikujtoi histori të vjetra kur mamaja, nga dokumentet e nxjerra nga arkivi i shtetit, nxorri nё pah bashkëpunimin, aleancën, mbështetjen e kthyer në miqësi të Gjergj Qiriazit, vëllait të Sevastisё, me konsullin austriak në Manastir, gjatё kohës nё tё cilën punonte në konsullatën austriake në fillim të viteve 1900.
Ka kaluar gati një shekull dhe një konsull austriak i përgjigjet përsëri, në kohë rekord, thirrjes së së një shqiptari, Profesor Asanit, me një akt që nuk është thjesht një veprim i shtyrë nga altruizmi, por një përgjigje, qëndrim institucional kundrejt një veprimi barbar ushtruar ndaj një simboli të trashëgimisë së komunitetit shqiptar. Gjithashtu është një dëshmi që historia mund tё përsëritet, e aleanca tё vjetra mund të jenë të dobishme për çështjet tona kombëtare qё, nёse tё shfrytëzuara me sinqeritet e inteligjencë, si në këtë rast, sjellin nё realizimin e objektiveve madhore, sigurisht duke pasur kujdes ndryshimin e interesave gjeopolitike.
Kjo ngjarje me jep shpresën që populli ynë do tё gjejё nё gjirin e saj përfaqësues largpamës, si Profesor Asani, me një vullnet tё pakursyer për tu kujdesur për pasurinë tonë kombëtare, të frymëzuar edhe nga fjalёt testamentare tё Sevasti Qiriazit “Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj duke i dhënë kështu qëllim jetës sime”, pёr t’ju kundërvënë me forzë projekteve armiqësore, tё brёndёshme dhe të jashme, tё eliminimit te trashigimisё sonё, por gjithashtu duke vigjiluar edhe kundrejt sfidave bashkohore qё duhet të përballojmë, sic ёshtё rreziku i asimilimit si rrjedhojё e globalizimit. .
Takimi siç e kanë zakon shqiptarët vazhdoi, përpara një filxhani kafeje, dhe mbetet një ndër takimet më mbresëlënëse nё shumë aspekte, sepse qe jo vetëm frymëzues por mё dhuroi, mbi të gjitha, prospektiva të reja që për shumë persona janë të pa imagjinushme.

(Autorja është stërmbesa e Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos)
Potrebbe essere un'immagine raffigurante 9 persone, persone in piedi e attività all'aperto