• Today is: Sunday, November 24, 2024

Tetova, një betejë lokale për garat e ardhshme politike

fakti
August21/ 2022

Para se të mendojnë të bëjnë (veç  e veç) koalicion me partite maqedonase, opozita shqiptare në Maqedoni është mire të bëjë kolacion të brendshëm në mes veti, sepse vetëm kështu mund të sfidohet BDI. Kjo e fundit, ka vite që po i gëzon të mirat e pushtetit jo pse po bën ndonjë mrekulli çudibërëse, por sepse qytetarët e pakënaqur shqiptarë në Maqedoni ende nuk po mund t’ identifikojnë nevojat dhe aspirat e tyre me një subjekt politik (si Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë), i cila do të ishte zëri më dinjitoz i përfaqësimit të alternativës së ardhshme të pushtetit.

Shkruan Emin AZEMI

 

Bilanci zgjedhor për Këshillin komunal në Tetovë duhet lexuar përtej kalkulimeve lokale, por janë vet përfaqësuesit partiak ata që nxjerrin konkludime dhe bëjnë analiza nga fitoret dhe pësimet e tyre. BDI në Tetovë po humb dy herë radhazi nga i njëjti subjekt politik – Lëvizja Besa. Herën e parë e humbi garën për kryetar Komune, tash e humbi për këshilltarë.
Pas këtyre zgjedhjeve për këshilltarë komunalë, duhet analizuar tri gjëra:
E para – tiopologjia e elektoratit tetovar po i nxjerr votuesit e këtij rajoni, për dallim nga rajonet tjera, më opozitarë dhe më jokonformist me qendrimet e tyre politike,  që pakënaqësinë ndaj pushtetit po  dinë ta shprehin edhe me votë, e jo vetëm me ankesa nëpër rrjetet sociale.

E dyta-  një partie politike fitoren nuk ia sjell (gjithmonë)  industria gjikante e PR-it dhe mbështetja me resurse njerëzore e financiare nga infrastruktura qeveritare, sepse kjo mund të ketë tek votuesit  kundërerefekt . Te këta këta të fundit mund të shtohet edhe më tepër doza e irritimit ndaj fodullëkut të përfaqësuesve të pushtetit, të cilët deri më tani ende nuk e kanë bërë një analizë të mirëfillt për humbjet në Tetovë.

E treta –  zëri opozitar sërish doli i paartikuluar sa duhet, sidomos kur të kihet parasysh humbja e terrenit politik të Alenacës për Shqiptarë e Zijadin Selës, e cila paradoksalisht, në njërën anë llogaritet lidere e opozitarizmit shqiptar, kurse në anën tjetër këtë pozicion nuk po mundet ta përkthejë në triumf elektoral.

Epërsia minimale  e Lëvizjes Besa në Tetovë më tepër i atribuohet zhgënjimeve të qytetarëve ndaj udhëheqjeve të mëparshme komunale, se sa ndonjë mrekullie që ofroi në këtë fushatë zgjedhore vet kjo parti politike. Ajo fitoi edhe në saje të disa antagonizmave të brendshme që u shfaqën në dy kampet politike rivale – në BDI dhe në Alternativën për Shqiptarë. Në BDI, klani i Musa Xhaferit vazhdon të relativizojë fuqinë e dikurshme politike  që e kishte BDI, që u reflektuan edhe në këto zgjedhje në Tetovë, kurse në Aleancën për Shqiptarë, rivaliteti i heshtur i Arben Taravarit dhe Zijadin Selës edhe kësaj radhe  pati koston e vet në bilancin negativ zgjedhor.

Këshilli komunal i Tetovës në të ardhmen ka gjasa të stabilizohet sa i përket kompaktësisë politike dhe subordonimit  institucional, aq më tepër kur kryetari i Komunës dhe anëtarët e Këshillit vijnë nga provinienca e njejtë partiake.  Për BDI-në ky mund të jetë edhe një favor, sepse ka mundësi të ndërtojë strategji të mirëfillta opozitare, duke ia lënë Lëvizjes Besa  të gjitha përgjegjësitë e menaxhimit me komunën  e Tetovës. Por, për Lëvizjen Besa, si edhe për çdo subjekt që ka barren kryesore të udhëheqjes, sensi i përgjegjësisë do të matet  në terren jo tek militantët që janë rrotull saj  me favore e interesa të ngushta , por tek votuesit e thjeshtë, të cilët e duan një Tetovë ndryshe. Madje krejt ndryshe edhe nga modeli i deritanishëm që ka ofruar kryetari aktual, Bilall Kasami.

Sa zgjedhjet  për këshilltarë komunalë të Tetovës do të mund të lexohen si indikatorë për ndonjë koailcion të ri qeverisës në niveliun qendror? Edhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit edhe VMRO-DPMNE e Hristijan Mickoskit, paralajmërun se këtë trofe elektoral do ta shndërrojnë në beteja polititike për të përsëritur fitoret në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që ata po i kërkojnë me këmbëngulje. Përpos që u trimëruan nga rezultate zgjedhore të Tetovës, Lëvizja Besa dhe VMRO-ja po e shohin veten në një koalicion që do të sillte alternativën e ardhshme të pushtetit qendror.

Ata që besojnë në metodologjitë doktrinare të ndërrimit të pushtetit, nuk e përjashtojnë mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, qoftë të parakohshme, qoftë të rregullta, të plotësohet ky parashikim i Lëvizjes Besa dhe i VMRO-DPMNE-së. Por, ajo që mbetet tani e paqartë është fakti se sa do të arrijë të distancohet nga gruevzmi, VMROja e Mickovskit, sepse ky ishte edhe një prej kushteve kryesore pse kjo parti politike nuk arriti të fitojë simpatitë e ambsadës amerikane në Shkup dhe të diplomatëve evropianë. Trashëgimia politike e Gruevizmit vazhdon të mbetet testi i reformave në VMRO, aq më tepër kur kjo e fundit ka aleat Levicën, një forcë politike me orientime të qarta proruse dhe qartësisht antishqiptare. Si si do të mund të gjendet Lëvizja Besa në një bashkëjetesë problematike me këto subjekte politike, kjo mbetet të analizohet, por ajo çka mund të thuhet , hë për hë, është fakti se të gjitha këto manovrime politike të partive opozitare (të përçara)  shqiptare mund të shkojnë në favor të BDI-së, e cila në vend se të sfidohet me guxim e mençuri, asaj në fakt po i zgjatet jetëgjatësia në pushtet.

Prandaj, para se të mendojnë të bëjnë (veç  e veç) koalicion me partitë maqedonase, opozita shqiptare në Maqedoni është mirë të bëjë kolacion të brendshëm në mes veti, sepse vetëm kështu mund të sfidohet BDI. Kjo e fundit, ka vite që po i gëzon të mirat e pushtetit jo pse po bën ndonjë mrekulli çudibërëse, por sepse qytetarët e pakënaqur shqiptarë në Maqedoni ende nuk po mund t’ identifikojnë nevojat dhe aspirat e tyre me një subjekt politik (si Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë), i cila do të ishte zëri më dinjitoz i përfaqësimit të alternativës së ardhshme të pushtetit.

 

Shkup, 21 gusht 2022