• Today is: Sunday, November 24, 2024

FYTYRA E TRADHTISË

fakti
August04/ 2022
Nuk është humor i zi, por realitet rrënues për të cilin ka rënë dakord një kryeministër malazez. Dhe prandaj, kur Abazoviqi në mënyrë të paskrupullt thotë rrejshëm se nënshkrimi me shpejtësinë e dritës i kontratës me Kishën e Serbisë është bërë “në mënyrë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, atëherë kjo është larje duarsh e Pilatit dhe duhet lexuar e kundërta e asaj që thotë Dritani: gjithçka ishte e shëmtuar, e papërshtatshme dhe e padinjitetshme. Plotësisht në kundërshtim me kodin etik të këtyre hapësirave.

Nga Drashko GJURANOVIQ

Pra, kështu duket: vështrimi i fiksuar, faqe të zbehta, buzë të shtrënguara dhe fytyra pa shprehje. Pra, kështu duket fytyra e njeriut, i cili me një të rënë të dorës, një të rënë të stilolapsit, nënshkroi aktin që nënkupton tradhti ndaj interesave themelore shtetërore të Malit të Zi. Kështu është dukur dje Dritan Abazoviqi, kryetar i Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.
Nëse, si të gjithë politikanët e rinj, ëndërronte që një ditë të shkruante historinë e Malit të Zi, atëherë Dritan Abazoviqi e përmbushi ëndrrën rinore. Por, kur të zgjohet nga jermia e pushtetit aktual të dhënë nga mentori i tij nga Beogradi, nëse ka mbetur një grimcë morali tek ai i ri pas kaq shumë mashtrimesh, nëse një herë pushon së gënjyeri të gjithë rreth tij orë pas ore, Dritan Abazoviqit do t’i vijë turp për ditën e djeshme, të tretën e gushtit, të vitit të Zotit 2022.
Kryeministri i Malit të Zi, hej kryeministri malazez, i dha leje me shkrim një kishe, selia e së cilës është jashtë Malit të Zi, një institucioni fetar që nuk njeh ekzistencën e malazezëve dhe i quan ata “llum të djallit” – për të rrëmbyer trashëgiminë kulturore, sakrale malazeze. dhe identitetin shtetëror, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë me shpatë për shekuj me radhë pushtuesit e ndryshëm.
Po, më të këqijtë janë shërbëtorët vendas të të huajve. Dhe po, kryeministri Abazoviq, në emër të Malit të Zi, eh në emër të Malit të Zi, nënshkroi kontratën me të cilën shteti, kushtoi vëmendje: shteti i Malit të Zi, garanton se çdo gjë që është e krishterë në territorin malazez është në fakt – serbe. Jo vetëm trashëgimia shpirtërore, por edhe të mira të kësaj bote: 52 kilometra territor, duke përfshirë manastiret dhe kishat, madje edhe vendet e varreve. Dhe sigurisht – Manastiri i Cetinjes.
E gjithë kjo, sipas Ungjillit të Dritanit, që nga dje është pronë e Kishës së Serbisë. Pra falsifikimin historik e verifikoi me nënshkrimin e tij: Kisha e Serbisë, sipas tekstit të “kontratës themelore”, është më e vjetër në Mal të Zi se e njëjta kishë në Serbi për 616 vjet. Kisha mëmë është më e re se kisha bijë – gjashtë shekuj.
Nuk është humor i zi, por realitet rrënues për të cilin ka rënë dakord një kryeministër malazez. Dhe prandaj, kur Abazoviqi në mënyrë të paskrupullt thotë rrejshëm se nënshkrimi me shpejtësinë e dritës i kontratës me Kishën e Serbisë është bërë “në mënyrë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, atëherë kjo është larje duarsh e Pilatit dhe duhet lexuar e kundërta e asaj që thotë Dritani: gjithçka ishte e shëmtuar, e papërshtatshme dhe e padinjitetshme.
Plotësisht në kundërshtim me kodin etik të këtyre hapësirave. Dhe kaq poshtëruese: kryeministri malazez, plot me hove narcisiste, ra përmbys në gjunjë dhe skllavërisht lejoi të shkruhet kontrata në Beograd, të ijekavizohet në Beograd, t’i caktohet data e nënshkrimit nga Beogradi dhe t’i dorëzohet nga Beogradi. E edhe atëherë Abazoviqi thotë se ishte nder për të?!
Nëse do të dinte diçka për atë që na mësuan të parët tanë, pra mbase edhe atë, qoftë qytetar apo kryeministër, do të kishte kuptuar një të vërtetë që në ditën e parë kur doli në arenën politike – nderi dhe turpi rrojnë përgjithmonë.
Dritan Abazoviqi nuk duhet të shqetësohet për gjurmën në histori. Por nuk do të jetë ashtu siç ëndërronte: dje ai me dorën e tij u regjistrua në historinë moderne të çnderimit.
Dhe nuk ka rëndësi se çfarë e ka shtyrë të bëjë atë që nuk duhet të bëjë, nuk ka rëndësi nëse është shantazhuar politikisht, personalisht apo familjarisht, pavarësisht nëse ka apo jo ndonjë video komprometuese në posedim të BIA-s, CIA-s, UDBA-s apo KGB-së… Në fund të fundit mbeten vetëm efekte dhe veprat konkrete.
Dhe ky është bilanci i tmerrshëm i Dritan Abazoviqit: i gënjeu armiqtë, por edhe miqtë e tij kur premtoi “dorën e drejtësisë”; i gënjeu si kundërshtarët ashtu edhe aleatët kur fliste për “rrugën e shpejtë evropiane”; ka gënjyer partnerët vendas dhe të huaj duke bllokuar zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese; do t’i gënjejë edhe të parët edhe të dytët nesër kur të zgjidhet Këshilli Gjyqësor…
Por, ju tashmë e dini, nuk mund të gënjehet gjithkush gjatë gjithë kohës. Që nga dje dhe nënshkrimi i turpshëm i “marrëveshjes themelore” që mundëson goditjen e popave në themelet e shtetit malazez, ka filluar gremisja e Dritan Abazoviqit dhe, siç do të thoshte shkrimtari i njohur, së shpejti me lartësinë e fluturimit, do të masë thellësinë e rënies së ardhshme.

Vërtetë, edhe rënia është fluturim. Por dhemb shumë kur përplasesh në ledinën e zhveshur.

(Botuar në gazetën “Pobjeda” – përkthyeu Dush GASHI)