Ende pa e rrumbullaksuar procesin e konsolidimit dhe pa e arsyetuar qëllimin e themelimit, drejtuesit e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup po duplifikojnë programe studimore duke relativizuar misionin që kishte –që të përqëndrohet në programe studimore të fushave teknike, aty ku kemi më së shumti mungesa si komb – për çka edhe ishte themeluar ky universitet. Idea për të themeluar Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, është tejet largpamëse dhe si e tillë kjo ide ka qenë dashur të ushqehet dhe të mbindërtohet me projekte shtesë që do ta shndërronin jetën shqiptare në Shkup, nga një zymtësi aziatike në një infrastruktë mendore e shpirtërore Perendimore, ku kampuset universitetare (të cilat mungojnë) do të luanin rolin e një “inkubatori” kulturologjik për zhvillimin e farës së neoshqiptarizmës.
Shkruan Emin AZEMI
Në Maqedoninë e Veriut janë tre universitete në gjuhën shqipe, ku mbi 50 për qind e programeve studimore janë të duplifikuar. Pastaj ndodhi procei i famshëm i disperzimit (shpërndarjes) dhe për rrjedhojë në shumë qytete tona, u hapën degë të Univeritetit të Tetovës. Pra edhe në Shkup. Me kalimin e kohës këto degë u “përthanë” dhe mbetën aty-këtu vetëm disa “piptha”…
Krej kjo si pasojë e ngutisë për të pasur sasi, por pa mbajtur shumë llogari për cilësinë. Në vend se këto tre univeritetet tona (UT,UEJL, UNT) të merreshin vesh të zhvillojnë një proces komplementar në përpilimin e kurikulave, jo për të dyfishuar fakultetet e njejta, por për shtuar dhe plotësuar boshllëqet me programe deficitare studimore.
Në Zvicër, bie fjala, është i njohur një fakultet në St. Galen i cili rangohet në krye të listës së univeriteteve evropiane për përgatitjen e kuadrove nga fusha e financave . Edhe në Zyrih ka fakultet për banka dhe financa, por ky i St. Galenit shquhet për liderizëm në studimet e financave.
Në Hamburg, gjithashtu, është një fakultet për media dhe komunikim, i cili zhvillon program mjaft të avancuar studimor nga kjo fushë, paçka se fakultete të ngjashme ka edhe në Berlin, Mynhen, Frankfurt e gjetiu.
Mos të flasim për London Economy Scoll, një “çerdhe“ kjo arsimore-elitare nëpër të cilën kanë kaluar shumë liderë politikë e ekonomikë nga mbarë bota.
Ngritja e këtyre shkollave, nuk është krejt e rastësishme.
E para, Evropa që moti e ka nda arsimin nga diktati i fortë i politikës, duke zbatuar një rregull tjetër që diktohet nga nevoja e tregut, nga struktura demografike e gjeografike e shtetit dhe nga një parim tjetër shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me profilimin e kuadrove dhe me koncetrimin e përvojave dhe dijeve të akumuluara në një qendër arsimore.
E dyta, në Evropë dhe SHBA nuk hapen fakultete për të punësuar militant partiak, por për të angazhuar kuadro me kontratë, të cilët duhet ta dëshmojnë veten me cilësi në mësimdhënie, sepse, në të kundërtën ngelin pa punë.
UNT asnjëherë nuk është menduar si “punëtori” për zbutjen e papunësisë së militantëve partiak
Ideja për të themeluar Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, është tejet largpamëse dhe si e tillë kjo ide ka qenë dashur të ushqehet dhe të mbindertohet me projekte shtesë që do ta shndërronin jetën shqiptare në Shkup, nga një zymtësi aziatike në një infrastruktë mendore e shpirtërore Perendimore, ku kampuset universitetare do të luanin rolin e një “inkubatori” kulturologjik për zhvillimin e farës së neoshqiptarizmës.
A e di udhëheqja e UNT se ku banojnë aktualisht studentët e këtij universiteti dhe çfarë inxhinjeringu kulturor e shpirtëror ushtrohet mbi ta brenda 3- 5 viteve sa zgjasin studeimet?!
A e di udhëheqja e UNT se varfëria e jetës kulturore, me frymë shqiptare, i ka shndërruar studentët e këtij universiteti në do guraleca në shkretëtirë, të cilët mund të mbulohen pas çdo ere të fortë që vie….?!
A e di udhëheqja e UNT se prej nga vijnë këto erëra?!
Ideja për të themeluar Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup asnjëherë nuk është menduar si “punëtori” për zbutjen e papunësisë së militantëve partiak, por për thithjen e kuadrve me potencial të lartë shkencor e intelektual, që do të konkurronte në tregun e dijeve me kuadrot maqedonase në Universitetin e Shkupit.
Kur jemi te Shkupi, nuk duhet harruar se ky qytet me dekada të tëra shquhet për dy fusha të sukseshme studimore: Mjekësi dhe Ndërtimtari. Këto dy fusha morën bazë të mirë në saje të kuadrove që erdhën nga Sllovenia dhe Kroacia menjëherë pas Luftë së Dytë Botërorore. Bëhet fjalë për kuadro elitare që kishin rënë në konflikt me politikat komuniste të Kroacisë dhe Sllovenisë dhe Tito kishte dhënë urdhër që ata të mos ekzekutohen dhe burgosen, por të “syrgynosen” në Maqedoni. Falë këtyre kuadrove, ne sot kemi një produkt të avancuar shkencor e akademik në fushën e mjekësisë, ndërtimtarisë dhe fushave të tjera teknike. Jo pak kuadro nga Sllovenia e Kroacia erdhën edhe në Fakultetin Ekonmik të Shkupit, prandaj Maqedonia eVeriut për dekada të tëra shquhej për ekonomistë e financierë të zot.
A kemi mundur ne shqiptarët në Maqedonin e Veriut të përfitojmë nga këto favore të Shkupit si qendër elitare universitare?
Kjo pyetje ishte aktuale sidomos pas viteve 2000, atëherë kur ambicja për të themeluar fakultete nuk ishte gjithmonë në harmoni me një plan të detajuar se ku, pse dhe si të hapen fakultetet.
Bie fjala, në Universitetin e Shkupit ka ekzistuar iniciativa që të funksionojë një grup studimor në gjuhën shqipe në kuadër të Fakultetit ë Mjektësisë, siç është aktualisht në Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup.
Një iniciativë e tillë ka mundur të bëhet realitet edhe në kuadër të Fakultetit Teknik dhe në Ndërtimtari-Arkitekturë në Shkup, duke bërë kombinimin e kuadrove shqiptare nga vendi, nga Kosova e Shqipëria dhe gjithsesi edhe kuadro maqedonase.
Themelimi i Universitetit të Tetovës ka qenë imperativ i kohës dhe mund të llogaritet si vepra më sublime iluministe e patritioke e shoqërisë shqiptare, pa harruar edhe kontributin e profesorëve nga Prishtina dhe Tirana, të cilët me sakrifica e pengesa të ndryshme arritën të bëhen pjesë e ngritjes së këtij universiteti. Për fat të keq, këta kuadro sot askush nuk i përmend, madje as vet UT në përvjetorët e vet nuk ndan mirënjohje për ta dhe nuk i fton në solemnitetet e përvitshme.
Ka kohë që dimenioni patriotik i themelmit të Universitetit të Tetovës i ka “përzie kabllat” me do çështje tjera që lidhje s’kanë me shkencën dhe edukimin.Në këtë universitet ekzistojnë dy tendenca: njëra që lidhet me Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë (lexo: të Biologjisë), i cili mund të ketë ardhmëri për shkak të interesimit të të rinjëve shqiptarë nga rajoni për t’u regjistruar në këtë fakultet dhe për t’u transferuar në vitin e dytë në Prishtinë apo gjetiu, dhe tjetra që lidhet me fakultetet tjera, e që jan në shuarje e sipër.
Kur jemi te Fakulteti i Shkencave të Mjeksësisë (aty ku njëfarë Beadini çudibërës bashkë me familjen tij i mban nja 12, 13 lëndë mësimore-bilogjike dhe shet libra-fotokpje që ai i quan studime shkencore, ndonëse aty më së paku mund të gjesh shkencë të mirëfillt, pasi që plagjiatura e ka zëvendësuar hulumtimin autorial ), që në start i është dhënë nismë të gabuar këtij projekti, për arsye se edhe universitetet me shumë përvojë nëpër botë hezitojnë të hapin fakultet mjekësie. Duhesh të keshë vetbesim donkishotesk që të marrësh guximin të themelosh fakultet mjekësie, sepse me mjekësi nuk bëhet hajgare…
U kënaqëm e u stërkënaqëm me fakultete të ekonomisë e juridikut
Universiteti i Tetovës dhe UEJL, bie fjala, kanë disa programe studimore që kanë përplasje profilimesh në mes veti. Për rrjedhojë, në vend se të koncentrohen fuqitë e dijes e përvojës për ato programe studimore që plotësojnë njëra tjetrën, ka ndodhur e kundërta. U kënaqëm e u stërkënaqëm me fakultete të ekonomisë e juridikut, të biznesit e adminstratës, në të dy universitetet, pa një studim paraprak të nevojave të tregut dhe hapësirës përthithëse për profesione deficitare.
Në anën tjetër, paradoksalisht, ne kemi disa kuadro që janë shumë të denjë të jenë themelues të disa fakulteteve deficitare , mirëpo ata sot nuk i ke aty ku duhet të jenë. Disa prej tyre bëjnë punëra private e publike, disa të tjerë kanë ikur në Kosovë e Evropë dhe disa janë pasivizuar fare.
Në gjithë këtë zallamahi kriteresh vjen një inciativë pompoze, tash më ligjore, për themelimin e tre programeve studimore në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Ende pa e rrumbullaksuar procesin e konsolodimit dhe pa e arsyetuar qëllimin e themelimit, ky Universitet përsërit gabimet e mësiprme, duke relativizuar misionin që kishte – të përqëndrohet në programe studimore të fushave teknike, aty ku kemi më së shumti mungesa si komb – për çka edhe ishte themeluar.
Pra, ne nuk kemi kurrfarë nevojë të stërngarkojmë nesër listën e kuadrove pa punë nga fusha e ekonimisë e juridikut, sepse sot në UT dhe UEJL ka sa të duash ekonomi e juridik. Madje edhe aty ka mungesë kuadrosh, të cilët do të duhej të bënin një riprofilim të programeve studimore nga këto fusha e lëre më në UNT të duplifikohen fakultet e ngjashme, pa të cilët ky universitet mund të jetojë edhe nja 100 vjet.
Pra, UNT mund të funksionojë pa ekonomi, juridik e shkenca humane, por nuk mund të funksionojë pa shkenca teknike e aplikative. UNT mund të funksionojë edhe me juridk, ekonomi e shkenca humane, por atëherë ky universitet ta çon mallin e do xhamive që ndërtohen jo për xhemat, por për të demonstruar njëfarë politike fetare që lidhje s’ka me zhvillimin tonë kulturor e kombëtar.
Fryma e Aktit të themelimit të UNT nuk lejon shumë eksperimente me programe të reja studimore
Për të vërtetuar se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ishte formuar për të përmbushur disa nevoja të munguara nga fusha e shkencave teknike e aplikative, mjafton të hedhim një sy mbi aktin e themelimti të këtij universiteti ku , ndër të tjera, shkruan:
“Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është themeluar nga ana e Parlamentit i cili solli edhe Ligjin për themelimin e Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 226 e datës 25 dhjetor 2015).
Në kuadër të Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të funksionojnë pesë (5) fakultete, edhe atë: Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës (me programet studimore: Arkitekturë dhe dizajn, Ndërtimtari, Gjeodezi dhe gjeo-informatikë), Fakulteti i shkencave të Informatikës (me programet studimore: Informatikë dhe Informatikë në gjuhën angleze), Fakulteti i shkencave Teknike (me programet studimore: Sistemet elektro-energjetike, Inxhinieri makinerie dhe menaxhment, Inxhinieri e komunikacionit dhe transportit, Inxhinieri ekonomike, Mekatronikë), Fakulteti i shkencave Teknologjike (me programet studimore: Inxhinieri e materialeve dhe nano-teknologjive, Teknologjia ushqimore) dhe Fakulteti i Shkencave Sociale (me programet studimore: Politika sociale dhe puna sociale, Studime evropiane)”.
Themeluesit e këtij universiteti e kanë menduar mirë se cilat janë nevojat më të mëdha të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke dashur që të plotësohet boshllëku që kishte ekzistuar në fushat e shkencave teknike e aplikative dhe ky është ai dimensioni konkurrues me UKIM. Ky i fundit me dekada kishte prodhuar kuadro, por vetëm të një etnie, ndërkohë që shqiptarët ishin margjinalizuar në mënyrë arbitrare dhe nevojat e tregut, të industrisë e ekonomisë një kohë të gjatë ishin plotësuar vetëm me kuadro maqedonase.
Prandaj, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u themelua që kjo padrejtësi ndaj shqiptarëve të korrigjohet, por jo duke duplifikuar fakultetet që tash më ekzistojnë në dy universitetet të tjera. Të konkurrosh UKIM me ekonomi, juridik e shkenca humane është një përrallë për parashkollorët, sepse nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup kërkohet një konkurrencë tjetër: të plotësojë boshllëkun me kuadro deficitare nga elektronika, makineria, gjeodezia, ndërtimtaria, IT etj. drejtime këto që mezi po mbahen për shkak të politikave të gabuara të deritanishme të këtij universiteti, i cili si duket më tepër është kujdesur të luaj rolin e njëfarë byroje punësimi se sa të shtoj kuadrot nga fushat deficitare në elektronikë, makineri, ndërtimtari, teknologji, gjeodezi, IT etj. etj.
Meqë ra fjala, a mundet udhëheqja e këtij univereiteti të na thotë se sa kuadro/ profesorë janë pranuar në këto tre vitet e fundit nga këto fusha dhe sa doktorantë nga elektronika, makineria, ndërtimtaria, arkitektura, teknologjia, gjeodezia, IT , po përgatiten që të përfshihen nesër në procesin e mësimor të këtij universiteti?
Pa e dhënë këtë përgjigje dhe disa përgjigje të tjera, udhëheqja e UNT as që duhet të mendojë për hapjen e ndonjë programi të ri studimor, e më së paku të hapë ato fakultete që tash më ekzistojnë në dy univeritetet tjera në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Shkup, 29 korrik 2022