• Today is: Monday, November 25, 2024

RASTI ‘MONSTRA’, TETË VITE PAS

EA
April12/ 2020

Rasti ‘Monstra’ heret a vonë duhet të rikonstruohet, edhe si proces gjyqësor, edhe si ngjarje. Jo vetëm për të vërtetuar pafajësinë e disa të rinjëve shqiptarë që morën dënim kapital (burgim të përjetshëm), por për të zbuluar edhe prapavijën e një profesioni, i cili, me nivelin e ulët etik e profesional,  pafundësisht po përhap pikëllim familjar dhe mllet të papërmbajtur shoqëror.

Nga Emin AZEMI

Të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ nuk patën mundësi të dëshmojnë pafajësinë e tyre për arsye se përballë kishin një gardë përbindëshish që brenda veladonit të gjykatësit fshihnin tendencën e tyre për të cënuar lirinë njerëzore pa të voglin dyshim se ata që rrezikojnë lirinë e tjetrit bëhen vet peng të arësyes së mjegulluar.

Teatri i quajtur proces gjyqësor përjashtoi nga shqyrtimi të gjitha ato fakte që e dëshmonin pafajësinë e të akuzuarve dhe kjo të përkujton inkuizicionin i cili nuk i dentonte njerëzit pse kishin bërë faj, por pse duhej të përmbushnin paragjykimet e inkuizitorëve.

Skema paragjykuese në rastin ‘Monstra’ u ngrit mbi një alibi komike për gjoja lidhshmërinë e këtij krimi me ideologjinë radikale islame. Po të kishte ndodhur kjo ngjarje këto ditë, sigurisht që gjyqtarët dhe prokurorët paragjykues të Shkupit do të sajonin lidhshmërinë me ISIS-in në Irak, duke i ngarkuar të akuzuarit me shpifjen se “ ishin të përfshirë në aktivitetet globale për shtrirjen e Kalifatit edhe në trojet ballkanike”.

Të kapur pas shkëmbijve të Afganistanit, këta mendermethënë gjyqtarë e prokurorë u munduan të na sjellin pak atmosferë filmike me do protagonistë të shpifur të cilët gjoja ishin stërvitur në kampet xhihadiste për të demonstruar ideologjinë e terrorit edhe në Maqedoni.

Cili diplomat dhe ushtarak në Uashington e Bruksel nuk do të tmerrohej pas shikimit të këtij filmi? Cila organizatë botërorore e të drejtave të njeriut do të merrte kurajon të mbronte një grusht ‘xhihadistësh’ në Shkup, të cilët pa pikën e mëshirës paskan vra disa të rinjë maqedonas?

Ata që ndërtuan skemën e këtij teatri politiko-gjyqësor, para se të nguteshin të lidhin krimin me Islamin radikal, sajuan në kokat e tyre efektin planetar që mund të ketë kjo ngjarje në kancelaritë e Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Vatikanit etj. Sepse, një krim që s’e kishte kryer grupi i të rinjëve shqiptarë, të rritur me vuajtje e skamje në lagjet e varfëra të Shkupit, duhej të kishte domosdoshmërisht kauzën ndërkombëtare të ndëshkimit. Ndryshe, një krim i tillë, krejtësisht i shkëputur nga prezenca fizike e të akuzuarve në momentin kritik, do të bëhej ‘delete’ ende pa u tharë ngjyra e lajmit.

Disa nga të akuzuarit e shihnin njëri tjetrin për herë të parë në sallat e gjyqit, dhe ata njiheshin në mes veti shumë më pak se sa disa deputetë, mjekë e gjyqtarë, të cilët, sipas dëshmisë së Goran Neqeskit (njëri nga prindërit e djemve të vrarë të liqeni i Smilkovës) ishin të involvuar në këtë proces.

Pretendimet e prokurorisë nuk u vërtetua me kurrfarë dëshmie se të akuzuatit përnjëmend kishin qenë prezent në momentin dhe vendin kur është kryer krimi. Të gjithë të akuzuarit kishin përshkruar në detaje rrethanat se ku kishin qenë ata në atë moment dhe tek asnjëri prej tyre nuk u gjetën prova që vërtetonin lidhshmërinë e prezencës së tyre fizike me vrasjen makabre që u krye.

Këta që vendosën të privojnë lirinë e disa të rinjëve shqiptarë, sigurisht janë të vonuar me informacione nga fusha e teknologjive dhe komunikimeve moderne, sepse prej tyre e kuptuam se të posedosh një faqe Facebook-u, disa CD me këngë dhe ilahi, dhe të kesh në bibliotekë ndonjë Kur’an, po mjaftoka që dikush të shpallet terrorist. Sasia e pakontrolluar e injorancës së tyre mund të jetë atraksion i vërtetë që do ta shfrytëzonte ndonjë regjisor për të ndërtuar fabulën e tij filmike të huazuar nga shkrimtari i famshëm amerikan me prejardhje hebreje, John Grisham, i cili si lajtmotiv gjithpërshirës ka stigmatizuar pamundësinë e profesionit të gjykatësve për të vërtetuar fajësinë e të akuzuarve.

Parantezë:

Në leksionet e gazetarisë hulumtuese me studentët, shpesh kam marrë ekzempalarë të prosedeut letrar të Grishamit, i cili asnjëherë nuk u mjaftua me provat që sillnin prokurorët në gjykatat amerikane, madje edhe atëherë kur gjendej ndonjë mjet me të cilin ishte kryer krimi, përderisa nuk vërtetohej se ai ishte përdorur vërtetë nga i akuzuari.

 

Rasti ‘Monstra’ heret a vonë duhet të rikonstruohet, edhe si proces gjyqësor, edhe si ngjarje. Jo vetëm për të vërtetuar pafajësinë e disa të rinjëve shqiptarë që morën dënim kapital (burgim të përjetshëm), por për të zbuluar edhe prapavijën e një profesioni, i cili, me nivelin e ulët etik e profesional,  pafundësisht po përhap pikëllim familjar dhe mllet të papërmbajtur shoqëror. Me një drejtësi të tillë, Maqedonia mundet edhe më tepër ta vështirësoj rrugëtimin e saj drejt eurointegrimeve, atje ku nuk ka vend për mbetje monstrume të një sistemi të kalbur (para)gjyqësor.

Kur do të flet maqedonisht rasti “Monstra”?

Fotografia e Emin Azemi

Rasti “Monstra” sërish është aktual, por ende është e paqartë se si do të jetë epilogu i këtij procesi të montuar e i pa mbyllur ende. Nga ky proces dolën të dëmtuar disa të rinj shqiptarë, të cilët padrejtësisht morën fillimisht dënime kapitale – burgim i përjetshëm,- për tu liruar pastaj nga PSP përkohësisht, pas 5 viteve vuajtje dënimi. Pra, është një rast që do t’u shërbejë juristëve të ardhshëm si leksion shkollor se si nuk duhet të ngriten pretendime hipotetike mbi ngjarje të fabrikuara, ku viktima asnjëherë nuk merr satisfaksionin adekuat moral e ligjor, kurse fajtori merr atributet të dyfishta: ai ose është imagjinar që duhet të shpiket, ose kamuflohet që të fshihen gjurmët e krimit.

Në Liqenin e Smilkovës, afër Shkupit, në prillin e vitit 2012 kishte ndodhë një krim në rrethana të mistershme dhe pushteti i atëhershëm ishte ngutur të gjejë alibinë e autorësisë brenda disa shtëpive të varfra të shqiptarëve, duke nxjerrë në pah edhe elementin fetar, si dimension inkriminues në krejt këtë histori të sajuar policore. Gjatë bastisjeve, policia kishte gjetur edhe ndonjë Kuran apo CD me ilahi dhe kjo kishte mjaftuar për të shpallur këta të rinj shqiptarë anëtarë të një grupi radikal islamik që gjoja ishte stërvitur për të vrarë në shpellat e Al Kaedës në Afganistanit.

Provat e mëvonshme nuk arritën të sigurojnë as edhe një dëshmi se këta të rinj kanë qenë të organizuar në ndonjë grup, për arsye se ata nuk njiheshin mes veti dhe për herë të parë shiheshin në gjykatë dhe, si të tillë – ata nuk e kishin as idenë se ku ndodhej Liqeni i Smilkovës, e lerë më të bëhej atje ndonjë krim.

Historia e dhimbshme e këtij inskenimi policor nxjerr në shesh edhe një situatë paradoksale që ndërlidhet me mënyrën se si po sillen prindërit maqedonas ndaj këtij rasti. Ndonëse disa prej tyre kanë deklaruar në media se autorët e vërtetë të vrasjes së fëmijëve të tyre janë ende në liri, madje disa prej tyre mbajnë kollare dhe mund ti gjesh nëpër zyra të ndryshme në Shkup, ata megjithatë nuk e kanë mbajtur një protestë të vetme me të cilën do të kërkonin kryerësit kryesor të këtij krimi. Edhe pse e dinë se shqiptarët e akuzuar nuk janë vrasësit e fëmijëve të tyre, ata sërish heshtin dhe në këtë mënyrë bëhen palë me inskenuesit në dëm të një procesi që kishte filluar gabimisht dhe që kishte pasur një përfundim skandaloz, me disa të akuzuar që gabimisht ishin targetuar si autorë të krimit.

Ku e ka burimin kjo heshtje e prindërve maqedonas të viktimave të Liqenit të Smilkovës? Pse ka nevojë të mbahet i kamufluar kaq shumë ky mister, kur ka indikacione se bëhet fjalë për inskenim dhe për autorë krejt tjerë që tani për tani nuk zbulohen?

Pse prindërit maqedonas, me heshtjen e tyre, po bëhen bashkëpjesëmarrës të një komploti që kishte marrë jetën e fëmijëve të tyre?

Rasti “Monstra” duhet rikonstruar edhe njëherë dhe bashkë me pafajësinë e të rinjve shqiptarë, të akuzuar padrejtësisht, të bëhet edhe dëmshpërblimi adekuat i tyre, kurse kauzën e tyre për të gjetur vrasësit e vërtetë duhet ta vazhdojnë organet e drejtësisë me mbështetjen e prindërve të viktimave të Liqenit të Smilkovës.

Pse po deformohet “Monstra”?

A ka mundësi që procesi “Monstra” sërish të deformohet përmes dëshmive të rrejshme të të ashtuquajturve “dëshmitarë të mbrojtur”. Nga seanca e së mërkurës është vërejtur një papërputhshmëri e deklaratave të këtyre dëshmitarëve dhe kjo lë hapësirë për të dyshuar se diçka nuk është në rregull me këtë proces gjyqësor. Sërish vërehet një tendencë për të paraqitur me çdo kush fajtor grupin e shqiptarëve, ndonëse dëshmitë e deritanishme nuk ofrojnë prova të fuqishme se pikërisht ata mund të jenë kryerës të veprave penale për të cilat ngarkohen.

Se diçka nuk është në rregull me dëshmitë, ka vërejtur edhe avokati Naser Raufi, i cili pretendon se deklarata e ‘dëshmitarit të mbrojtur’ nuk është identik me deklaratën e seancës paraprake, për ç’arsye edhe procesi gjyqësor u inicua që nga fillimi. Sipas Raufit, ky dëshmitar mund të jetë i instruuar nga dikush, që ende nuk dihet, dhe si i tillë ai ka dëshmuar rrejshëm. Deklaratat kontroverse të dëshmitarit na sollën në gjykim të ri, tha avokati Naser Raufi.

Pse në këtë proces të riinicuar nuk po sillen si dëshmitarë edhe prindërit e personave të vrarë? Disa prej tyre në media kishin deklaruar se i dinë vrasësit e vërtetë, madje kishin drejtuar gishtin te disa politikanë dhe ‘njerëz me kollare”, siç kishin thënë ata. Kësisoj qëndrimi i tyre fillestar ishte se prapë vrasjes së bijve të tyre qëndrojnë shkaqe kryesisht afariste,. Me kalimin e viteve ndryshuan edhe deklaratat e tyre. Madje Aleksandar Naqevski, prindi i njëri prej të vrarëve në Liqenin e Smilkovës, publikisht kërkoi nga organet e drejtësisë deklasifikimin e dëshmive dhe zbulimin e identitetit të agjentit sekret, celulari i të cilit është gjetur në vendngjarje.

Lidhur me rastin “Monstra” u paten trajtuar disa pista dyshimi mbi motivet dhe personat përgjegjës të implikuar në këtë ngjarje makabre, e cila mori jetën e Filipçe Sllavkovskit, Aleksanda Nacevskit, Cvetanko Acevskit, Kire Triçkovskit dhe Borçe Stefanovskit, në prill të 2012.

Përmendja e shpeshtë e ish kryeparlamentari Trajko Veljanovski, si një prej politikanëve që ka njohuri për vrasjen në Liqenin e Smilkovës, deri më sot fare nuk është hetuar nga organet e drejtësisë. Përveç Veljanovskit, si politikan tjetër i cili mendohet se posedon të dhëna për këtë rast vite me radhe përmende edhe ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski. Ndryshe, vrasja e pesë të rinjve maqedonas, po ashtu është përfolur se ka pasur lidhje me aksionin policor “Detonator” i realizuar disa javë para 12 prillit të vitit 2012.

Se procesi “Monstra” nuk shkon sipas pritjeve të opinionit publik, që duhej të zbardhej e vërteta pa dëshmi të fabrikuara, flet edhe deklarata e Zoran Zaev, atëherë shef i opozitës maqedonase, i cili pat njoftuar se kjo ngjarje ndodhet në ‘bombat’ e tij dhe se “publikimi i materialeve për vrasjen në Liqenin e Smilkovës do të shkaktoi trazira të mëdha në vend”.

Tani, mënyra se si po vepron gjykata, duke sjellë dëshmitarë të rrejshëm, nuk korrespondon fare me pretendimin e Zaevit se ndriçimi i kësaj ngjarjeje mund të “shkaktojë trazira të mëdha në vend”.

Për çfarë trazira e kishte fjalën Zaevi dhe kush janë ata që mund ti bëjnë ato trazira? Nëse bazohemi në seancën e pardjeshme, nuk fitohet përshtypja se procesi do të zbulojë ndonjë detaj që do të ishte i mjaftueshëm për të menduar se mund të “shkaktojë trazira të mëdha në vend”. Përkundrazi dikush dëshiron që sërish të manipulojë me provat e vërteta dhe në vend të tyre – të sjellë dëshmi që nuk korrespondojnë me të vërtetën, që si synim final ka denoncimin e shqiptarëve si element terrorist.

Deformimi i serishëm i procesit “Monstra” nuk do të arrij të sjellë argumente shtesë se gjoja shqiptarët janë autorë të vrasjes së pesëfishtë. Manipulime mund të bëhen, por nuk mund të rikonstruohet një ngjarje sipas skenarëve që janë të rezervuar për shqiptarët si terrorist. Ky skenar nuk pi ujë te shqiptarët. Prokuroria Special duhet të ftoj dëshmitarë të vërtetë, sepse vetëm ata e dinë se cilët janë vrasësit e vërtetë. Gjithçka tjetër është lojë e tejdukshme.

Rigjykohet “Monstra”

Më 12 shkurt 2018 Gjykata Penale në Shkup, filloi gjykimin e sërishëm për rastin “Monstra” kundër të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës në Shkup më 12 prill të vitit 2012.
Gjashtë persona u dënuan për rastin “Monstra” me dënim të përjetshëm nën akuzën për terrorizëm.
Më 24 nëntor, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë i pranoi ankesat e mbrojtjes për rastin “Monstra”. Aktgjykimi i shkallës së parë dhe të dytë për këtë lëndë janë shfuqizuar dhe janë kthyer në rigjykim në Gjykatën Penale.
Prokurorja publike Liljana Spasovska, kërkoi shfuqizim të aktgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë dhe kthim të lëndës “Monstra” në rigjykim për shkak të gjendjes së pakonfirmuar faktike, por edhe për shkak të ekzistimit eventual të bisedave të përgjuara të cilat do të mund ta ndryshojnë gjatë procedurës.