(Në katërvjetorin e shuarjes së Adem Demaçit)
Nga Emin AZEMI
Sot (26 korrik) bëhen katër vite nga shuarja e Mendelës së Kosvës- Adem Demaçit. Tani kur mungesa e tij është evidente gjithandej, është iluzore të kërkojmë shumëfishimin e Demaçëve në shoqërinë shqiptare. Sot mungojnë Demaçët, sepse kauzat sociale-zombiste të lojalitetit ekstrem ndaj politikës, kanë prodhuar një armatë zvarranikësh me dy këmbë.
Demaçi ishte unik .Madje edhe atëherë kur shqiptonte ndonjë ide kontroverse politike. Atij i falej. Demaçi edhe sikur të mos fliste as edhe një fjalë të vetme, e kishte bërë të veten. Kishte ndezur zjarrin e atdhedashurisë në zemrat e qindra të rinjve shqiptarë dhe regjimet e kishin vështirë ta zbusnin gjithë këtë vullkan. Me organizatën e tij për Bashkim… Demaçi hodhi themelet e idesë sovrane të një populli që i takonte të jetë i pavarur në zhvillimin e tij. Dhe asgjë rastësisht nuk ndodhi pastaj. Kryengritja e armatosur që ndryshoi komandat e ushtarakëve të NATO-s, bëri që populli i rritur me fjalët shpresëdhënëse të Demaçit, ta mund frikën dhe të triumfojë mbi okupimin.
Demaçi mbetet nyja më e fortë që mban të lidhur fortë idetë dhe veprimet. Ai asnjëherë nuk e përjashtoi kundërvënien e armatosur ndaj Serbisë, por ishte ndër të rrallët që për serbët fliste me gjuhën e fqiut të mirë.
Në skenën politike të Kosovës, Demaçi ishte një bashkudhëtar joindeferent, por jo edhe një kreator që do të nxiste ndryshime radikale. Në këtë pikëpamje klasa politike e Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi u sollën me shumë cinizëm ndaj tij. Statusi i tij lëvizte në mes të një simboli dhe një tribuni, ndërkohë që Kosova kishte nevojë për një lider të madh. Për një lider që të gjitha sakrficat sublime qindravjeçare do t’i materializonte në një doktrinë që do të ishte rezistuese kundrejt të gjitha kafshimeve të jashtme dhe të brendshme.
Shpesh herë Demaçi u përdor si dekor për karshillëk kundrejt oponentëve, duke e nxjerrë padrejtësisht dhe paturpësisht figurën e tij të madhe nga konteksti që ia kishte caktuar historia. Demaçi ishte tepër i madh për tu futur në kallëpet që çarshia politike e Kosovës ia varte mbi qafë si barrë.
Por, Demaçi mbeti ai që ishte. I papërkulur dhe i pathyeshëm. I pazakontë në qëndrueshmërinë ndaj kohërave që sillnin stuhi, ku shumica nuk përballonin. Ai, edhe kur nuk jeton fizikisht, vazhdon të jetë aktiv me prezencën e ideve që ende kërkojnë të fisnikërohen në rrugën e gjatë të zhvillimit të gjithanshëm.