• Today is: Sunday, November 24, 2024

KUR DO TË MARRIN FUND KËTO “BURGJET TURISTIKE” PËR MAQEDONASIT?!

fakti
July24/ 2022

Maqedonia e ka vështirë të bëjë ndonjë reformë të njëmendët, që tash e sa vite kërkohet nga Brukseli,për arsye se tendenca për antireformë, që fillon nga gjyqësia, është katalizatori kryesor i frenimit të proceseve demokratike. Përderisa antireforma është më e fuqishme se reforma dhe përderisa politika dikton rregulla në gjyqësi, vështirë se do të ndodhë ndonjë harmonizim me legjislacionin e BEsë.

Shkruan Emin AZEMI

Një shtet që ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, që i bie se do të duhej të harmonizojë ligjet dhe frymën e kushtetutës me legjislacionin e BE,  nuk e ka hiq problem që sistemin e drejtësisë ta përdor si plastelinë, varësisht se ndaj cilëve qytetarë ndërmerren masat ndëshkuese-korrektuese.
Maqedonia e ka vështirë të bëjë ndonjë reformë të njëmendët, që tash e sa vite kërkohet nga Brukseli,për arsye se tendenca për antireformë, që fillon nga gjyqësia, është katalizatori kryesor i frenimit të proceseve demokratike. Përderisa antireforma është më e fuqishme se reforma dhe përderisa politika dikton rregulla në gjyqësi, vështirë se do të ndodhë ndonjë harmonizim me legjislacionin e BEsë.
Kështu, bie fjala, burgu i Strugës ka kohë është shndërruar në një farë strehe për të burgosurit VIP, si puna e Mijalkovit, Kamçevit etj. të cilët vetëm ditën qëndrojnë aty, sepse qejfet e natës i bëjnë, në ambiente relaksuese, si çdo qytetar i lirë i këtij shteti që po negocion, me demek, për t’u  anëtarësuar në BE.

Se diçka nuk është në rregull me këto “burgjet turistike” , më në fund u kujtua edhe Ministria e Drejtësisë e cila do të propozojë që në të ardhmen vuajtja e dënimit me burg e personave të dënuar të ketë lidhje me vendin e tyre të banimit gjatë dy viteve të fundit. Ky propozim i Ministrisë së Drejtësisë ka lidhje me veprimet e ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe biznesmenit Orce Kamçev, të cilët i ndryshuan adresat e banimit në Ohër dhe me këtë krijuan bazë ligjore për vuajtjen e dënimit me burg në burgun e Strugës.

“Doli që Struga është qyteti i turizmit në burg. Bëhet fjalë për burg të llojit të hapur dhe kuptohet se edhe sa i përket sigurisë dhe kushteve për vuajtjen e dënimit janë më të privilegjuara ose më të mira në krahasim me institucionet e tjera korrigjuese ndëshkuese në shtetin tonë”, deklaroi ministri i Drejtësisëi për mediat.

Prandaj kot njerëzit dalin në të ashtuqujaturat zgjedhje të lira e demokratike, për arsye se vlerat e demokracisë mund t’i fusë në një shishe shejtani një togë prokurorësh e gjykatësish dhe t’i shndërojë ato në “burgje turistike” për maqedonasit dhe në qindra vite burgim për shqiptarë të pafajshëm.

Kot njerëzit dalin të votojnë, sepse procesi zgjedhor saora pëson deformim për shkak të allashveresheve politike-mafioze me ish -shefin e Zbulimit, Sasho Mijalkov, i cili këtyre ditëve po i shijon ditët e ëmbla të “burgut” në Strugën turistike, kurse netët në dhomat luksoze të hotelit ‘Mariotit’, ose në ndonjë bar të Shkupit.. Është i njejti njeri që ngriti një sistem të tërë përgjimesh, përmes të cilëve ishte në gjendje të shantazhojë cilindo politikan në Maqedoni. Mijallkovi është produkti më idiotik i reinkarnimit të mafiozitetit në politikbërje dhe çdo kush që provon ta zhbëjë këtë reinkarnim, shpallet ose renegat, ose destabilizues i shtetit prej kartuqi.

Pra në Maqedoni nuk mjafton të jesh i ndershëm, për të qenë i pafajshëm. Në Maqedoni, duhesh ta shantazhosh keq diken, që të shpallesh i pafajshëm dhe të shijosh frytet e amnistisë së pashpallur.

Kjo çka po ndodhë me gjyqësinë, nuk është thjeshtë drejtësi selektive, por është aparteid klasik i një pushteti juridik, që papengueshëm ushtron dhunë institucionale mbi një pjesë të popullatës së këtushme, duke i veçuar ata mbi baza nacionale. Shqiptarët rregullisht marrin trefishin e dënimeve për raste të njëjta, ndërkohë që vrasësi me paramendim i një vogëlushi shqiptar, siç ishte rasti me  Almir Aliun e vogël nga Kumanova, trajtohet si një një kundërvajtës i thjeshtë trafik.

Në këtë krejt histori të dhembshme, as një njeri normal nuk mundet t’i amnistojë ministrat e mëhershëm shqiptarë të Drejtësisë dhe gjykatësit e prokurorët shqiptarë, që lejuan këtë sistem drejtësie, i cili në njërën anë amniston kriminel e mafioz maqedonas, kurse në anën tjetër mban në burgje, mbi procese të inskenuara, shqiptarë të pafajshëm.

Raportet e  Progresit të Komisionit Europian këto vitet e fundit kanë pasur mjaft vërejtje dhe ato lidheshin kryesisht me nivelin e ulët të reformave dhe me ndikimin e politikës në gjyqësor. Por në këto Raporte askund nuk u adresuan kritika konkrete sa i përket proceseve të montuara, të cilat kanë qenë me bollëk këto vite, ku 99 për qind e rasteve ishin shqiptarë. Të flasësh për një sistem të pareformuar që qenka ende i ndikuar nga politika dhe të mos përmendësh produktet e këtij deformiteti, siç janë rastet e montuara dhe të procesuara në mënyrë skandaloze nga ana e gjykatave të Maqedonisë së Veriut, paraqet ose mungesë vëmendjeje, ose ndonjë standard vlerësimi, të cilin ende nuk kemi arritur ta kuptojmë. Shumica e këtyre rasteve kanë për protagonistë shqiptarët si viktimë dhe tash e tutje në procesin e rishqyrtimit të sistemit të drejtësisë, si parakusht për  anëtarism në BE, Maqedonia e Veriut duhet sa më parë të çmontojë të gjitha rastet e montuara (“ Sopoti“, “Monsra“, “Brodeci“, “Alfat”, “Rasti i Rexhai Ramadanit”, rasti i shqiptarit nga Xhepishta eTetovës,“Rasti i Harun Alisë“, “Kumanova“ etj),, duke filluar nga:

Rasti i Sopotit

Rasti i Sopotit, bie fjala, u desh të kalojë në Prokurorinë Speciale për të marrë një epilog të arsyeshëm. Po të mos themelohej kjo Prokurori, 11 banorët e fshatit Sopot të Kumanovës, të cilët akuzoheshin për terrorizëm, për një vepër që nuk e kishin kryer, do të vazhdonin të vuanin dënimin e pamerituar në kohëzgjatje prej 150 viteve.
Dikush do ta komentonte këtë vendim si triumf të drejtësisë në Maqedoni. Por, në fakt është triumf selektiv i një sistemi që vazhdon të ketë dy imazhe: njëri (Prokuroria Speciale) që po procesuon raste mbi fakte e dëshmi relevante, që nuk kanë implikime të segmenteve të caktuara shtetërore dhe, tjetri (gjykatat dhe prokuroritë normale), që po vazhdon të jetë zgjatim i mekanizmave juridik vendimmarrës, me qasje selektive dhe prapavijë etnike.
Mbyllja e rastit të Sopotit, nuk do të konsiderohej plotësisht i mbyllur, nëse në ndërkohë nuk hapet procedure për rishqyrtimin e përgjegjësisë për ata që e inskenuan këtë rast dhe nëse vitet e kaluare në burg për të akuzuarit nuk dëmshpërblehen.
Mungesa e fakteve, që ishte kryefjala e vendimit të Prokurorisë Speciale, është shoqëruar me dëshminë e Ramadan Bajramit i cili pat deklaruar se me torture psiko-fizike është detyruar të japë deklaratë të rrejshme.
Kush janë ata që e detyruan Ramadan Bajramin me presion të pranojë fajësinë?
Pse ata duhet të ndjehen kaq komod, edhe pas ndriçimit të këtij rasti, dhe cilat instanca gjyqësore duhet ta ndjekin këtë veprim të tyre kriminal?
Çka do të ndodhte nëse këtë inskenim do të guxonte ta bënte ndonjë agjent shqiptar i shërbimeve sekrete, kurse të inkriminuarit do të ishin fshatarë maqedonas?
Përderisa në Maqedoni do të ketë gjykata e prokurori të padrejta, edhe pyetjet e mësipërme do të ishin normale. Madje, normale do të tingëllojnë edhe shumë pyetje të tjera, të cilat duhet të marrin një përgjigje të merituar, por kjo do të mund ndodhte pas një procesi të VETING-ut, nëpër të cilin duhet të kalojnë të gjitha organet e drejtësisë.
Në Maqedoni ka me dhjetëra gjykatës e prokurorë që nuk meritojnë të ushtrojnë detyrën, por filtrimi i njëmendët i sistemit të drejtësisë nuk mundet të bëhet pa një selektim shumë rigoroz e profesional të kuadrit, duke risjellë në pozita vendimmarrëse persona të liruar nga recidivat e tepruara nacionaliste. Një model i këtij ndryshimi tash më mund të shihet në Prokurorinë Speciale, funksionimi i së cilës në një të ardhme madje mund të zhvendoset në prokuroritë normale të shtetit, pa patur nevojë që këto institucione të mbajnë atributin “speciale”.
Çdo vëzhguesi të paanshëm të sistemit të drejtësisë në Maqedoni, nuk do ti duheshin shumë fakte për të zbuluar paradoksalitetin e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Maqedoni. A nuk mjafton vendimi i atëhershëm i Prokurorisë Speciale për të konstatuar se brenda këtij sistemi funksionojnë praktika e parime të kundërta juridike, fakt ky që e përshpejton nevojën e procesit të VETING-ut në institucionet gjyqësore të Maqedonisë.

Rasti “Monstra”

Me prova materiale të shpifura dhe me një skemë të konstruuar tmerrësisht amatore, një Gjykatë e Shkupit të hënën e shpalli veten të paaftë të ndaj drejtësi. Sigurisht, atë që kjo gjykatë e ka lënë mangut, do ta kompensojë Gjykata e Strazburgut. Kjo e fundit tash më është specializuar të bëhet korrektore e zellshme e joprofesionalizmit të një tufe gjyqtarësh maqedonas, të cilët në vend se të vendosin drejtësi, po sjellin anarki me pasoja serioze për qëndrueshmërinë dhe kohezionin brendaetnik e brendashoqëror në Maqedoni.

Të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ nuk patën mundësi të dëshmojnë pafajësinë e tyre për arsye se përballë kishin një gardë përbindëshish që brenda veladonit të gjykatësit fshihnin tendencën e tyre për të cënuar lirinë njerëzore pa të voglin dyshim se ata që rrezikojnë lirinë e tjetrit bëhen vet peng të arësyes së mjegulluar.

Teatri i quajtur proces gjyqësor përjashtoi nga shqyrtimi të gjitha ato fakte që e dëshmonin pafajësinë e të akuzuarve dhe kjo të përkujton inkuizicionin i cili nuk i dentonte njerëzit pse kishin bërë faj, por pse duhej të përmbushnin paragjykimet e inkuizitorëve.

Skema paragjykuese në rastin ‘Monstra’ u ngrit mbi një alibi komike për gjoja lidhshmërinë e këtij krimi me ideologjinë radikale islame. Po të kishte ndodhur kjo ngjarje këto ditë, sigurisht që gjyqtarët dhe prokurorët paragjykues të Shkupit do të sajonin lidhshmërinë me ISIS-in në Irak, duke i ngarkuar të akuzuarit me shpifjen se “ ishin të përfshirë në aktivitetet globale për shtrirjen e Kalifatit edhe në trojet ballkanike”.

Të kapur pas shkëmbijve të Afganistanit, këta mendermethënë gjyqtarë e prokurorë u munduan të na sjellin pak atmosferë filmike me do protagonistë të shpifur të cilët gjoja ishin stërvitur në kampet xhihadiste për të demonstruar ideologjinë e terrorit edhe në Maqedoni.

Cili diplomat dhe ushtarak në Uashington e Bruksel nuk do të tmerrohej pas shikimit të këtij filmi? Cila organizatë botërorore e të drejtave të njeriut do të merrte kurajon të mbronte një grusht ‘xhihadistësh’ në Shkup, të cilët pa pikën e mëshirës paskan vra disa të rinjë maqedonas?

Ata që ndërtuan skemën e këtij teatri politiko-gjyqësor, para se të nguteshin të lidhin krimin me Islamin radikal, sajuan në kokat e tyre efektin planetar që mund të ketë kjo ngjarje në kancelaritë e Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Vatikanit etj. Sepse, një krim që s’e kishte kryer grupi i të rinjëve shqiptarë, të rritur me vuajtje e skamje në lagjet e varfëra të Shkupit, duhej të kishte domosdoshmërisht kauzën ndërkombëtare të ndëshkimit. Ndryshe, një krim i tillë, krejtësisht i shkëputur nga prezenca fizike e të akuzuarve në momentin kritik, do të bëhej ‘delete’ ende pa u tharë ngjyra e lajmit.

Disa nga të akuzuarit e shihnin njëri tjetrin për herë të parë në sallat e gjyqit, dhe ata njiheshin në mes veti shumë më pak se sa disa deputetë, mjekë e gjyqtarë, të cilët, sipas dëshmisë së Goran Neqeskit (njëri nga prindërit e djemve të vrarë të liqeni i Smilkovës) ishin të involvuar në këtë proces.

Pretendimet e prokurorisë nuk u vërtetua me kurrfarë dëshmie se të akuzuatit përnjëmend kishin qenë prezent në momentin dhe vendin kur është kryer krimi. Të gjithë të akuzuarit kishin përshkruar në detaje rrethanat se ku kishin qenë ata në atë moment dhe tek asnjëri prej tyre nuk u gjetën prova që vërtetonin lidhshmërinë e prezencës së tyre fizike me vrasjen makabre që u krye.

Këta që vendosën të privojnë lirinë e disa të rinjëve shqiptarë, sigurisht janë të vonuar me informacione nga fusha e teknologjive dhe komunikimeve moderne, sepse prej tyre e kuptuam se të posedosh një faqe Facebook-u, disa CD me këngë dhe ilahi, dhe të kesh në bibliotekë ndonjë Kur’an, po mjaftoka që dikush të shpallet terrorist. Sasia e pakontrolluar e injorancës së tyre mund të jetë atraksion i vërtetë që do ta shfrytëzonte ndonjë regjisor për të ndërtuar fabulën e tij filmike .

Rasti ‘Monstra’ heret a vonë duhet të rikonstruohet, edhe si proces gjyqësor, edhe si ngjarje. Jo vetëm për të vërtetuar pafajësinë e disa të rinjëve shqiptarë që morën dënim kapital (burgim të përjetshëm), por për të zbuluar edhe prapavijën e një profesioni, i cili, me nivelin e ulët etik e profesional,  pafundësisht po përhap pikëllim familjar dhe mllet të papërmbajtur shoqëror. Me një drejtësi të tillë, Maqedonia mundet edhe më tepër ta vështirësoj rrugëtimin e saj drejt eurointegrimeve, atje ku nuk ka vend për mbetje monstrume të një sistemi të kalbur (para)gjyqësor.

Rasti i “Kumanovës”

Ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 nuk ndodhën vetvetiu, në mënyrë stihike. Ato dikush i kishte ideuar dhe organizuar. Madje kjo punë u bë me bashkëpjesëmarrje. Plot individë nga Maqedonia dhe nga Kosova u kujdesën që këto ngjarje të kenë efektin dhe kontekstin e tyre. Mirëpo jo të gjithë individët u penalizuan për veprimet e tyre. Disa humbën jetën, të tjerët u burgosën me qindra vite burg dhe jo pak u dënuan me burgime të përjetshme. Por, të gjithë këta nuk kanë qenë vetëm dhe është iluzore të mendohet se veprimet e tyre nuk e kishin njëfarë parapërgatitje dhe njëfarë koordinimi.
Mirëpo çka ndodhi? Jashtë burgut mbetën ata individë që i organizuan ngjarjet e Kumanovës? Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhusorur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë. Fatkeqësisht jo pak njerëz vullnetmirë në Kosovë më me rëndësi e kishin t’i shpallnin heronj këta djem që ranë në Kumanovë, se sa të çjerrnin maskën e harbutëve të gjithë atyre që i futën këta djem në gërshërë, në një rrugicë qorre të një lagjeje të varfër të Kumanovës, aty ku idealistët e kishin mendu të hyjnë, por kishin qenë matrapazët dhe harbutët ata të cilët e kishin mendu mosdaljen nga kjo rrugicë. Në rrugët pa dalje hyjnë ose njerëzit që nuk i njohin taktikat e luftës guerile, që nuk ishte në rastin e “grupit të Kumanovës”, ose në ato rrugë të fut dikush, me premtimin se “lehtë ia bëjmë, mjafton të shkrepen disa rafale…”.
Disa herë është kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për të rishikuar edhe njëherë këto ngjarje. Por, para se të bëhet kjo ekspertizë, ishte rendi që prokurorët dhe gjykatësit t’i kërkonin dhe të vihen në dispozicion të gjitha telefonatat që janë zhvilluar në mes të pjesëtarëve të “grupit të Kumanovës” dhe individëve të caktuar që kanë punuar nëpër shërbime sekrete të Maqedonisë dhe Kosovës, para se të kenë ndodhur këto ngjarje. Aq e thjeshtë ishte kjo punë dhe pa ndonjë telashe të madhe, sa që nuk ka vend më për kurrfarë ekspertize ndërkombëtare. Prokuroria Speciale Publike (e cila u zhbë nga frika se mos po zbiulonte peshqit e mëdhenjë të politikës) duhej të mos hezitonte në veprimet e saja parahetuese, sepse edhe zogjtë e malit e dinë se pjesëtarët e këtij grupi që u futën në atë rrugë qorre në Kumanovë, nuk kanë mundur të ndërmarrin asnjë hap pa qenë paraprakisht të “instruktuar” prej individëve të caktuar të shërbimeve sekrete.
Pse institucionet e drejtësisë po bëhen sikur nuk i dinë se kush janë këta individë? Pse politika aktuale po tregohet kaq pa sens në zbërthimin e kësaj nyjeje, që dikush para tyre e lidhi për të ngulfatur një proces? Ish-Kryeministri Zav, në bombat e famshme të tij kishte edhe plot biseda të përgjuara që mund të ishin pista të sigurta hetimi për atë se kush ishte i përfshirë në organizimin e ngjarjeve të përgjakshme të Kumanovës. Është shumë e qartë se politika i ka rregullat e veta të funksionimit dhe ka shumëçka që mbetet mister, për hir të disa raporteve, proceseve e konteksteve të caktuara. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se politika ka edhe moral dhe një politikë dallohet për parime të drejta, vetëm atëherë kur udhëhiqet nga morali. Nëse ngjarjet e përgjakshme të Kumanovës lihen kështu, të pasqaruara dhe të pa ndriçuara deri në fund, atëherë i bie që turli kastraveci i shërbimeve sekrete mund të kurdis, pa i munguar as një qime floku, çfarëdolloj “spektakli” dhe për këtë politika të hesht dhe të mos kërkojë llogari për autorët e atij “spektakli”. Nëse politika legale nuk reagon ndaj deformimeve që vijnë prej njerëzve të shërbimeve sekrete, atëherë ajo politikë është bashkëpjesëmarrëse në ato ngjarje, duke iu dhënë madje edhe legjitimitet institucional. Në shtetet demokratike, madje edhe kryeministrat dhe presidentët tërhiqen nga skena politike, kur opinioni publik zbulon dallaveret e tyre, sidomos të atilla që lidhen me skenarë shtetërorë për të futur njerëz të pafajshëm në kurth. Çka na qenkan kaq të rëndësishëm këta persona të shërbimeve sekrete që nuk nxirren para drejtësisë në mënyrë që shërbimet ku ata punojnë të lirohen nga hipotekat dhe dyshimet për veprime të paligjshme dhe tejet johumane. Cilat qenka ato “sekrete shtetërore” që nuk po bëkan të dalin në gjykatë dhe pse Parlamenti i Maqedonisë (Komisioni përkatës) nuk u mor asnjëherë me ato sekrete?

Afera “Haraçi” dhe labirinthet e sistemit të drejtësisë

Ata që patën erdhën në pushtet përmes përgjimeve, më vonë u bënë vet viktimë e kësaj metode, sepse pushteti ishte zënë i papërgatitur, ndërkohë që segmente të caktuara të drejtësisë nuk kishin guximin e duhur për t’iu qasur sfidave të reja.

Afera “Haraçi” pat nxjerr në pah shumë deformime të etikës dhe praktikës gjyqësore te ne. Rezervat dhe kritikat e theksuara të opinionit publik ndaj këtij sistemi, po dalin jo vetëm të bazuara, por edhe një rrugëtregues se nga duhet të ecë arsyeja për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet.

Por, kjo është njëra anë problemit. Ajo çka është më shqetësuese është fakti se prapa gjithë këtyre deformimeve – qëndron politika. Prandaj nuk mjafton të thuash se sistemi gjyqësor te nuk është i pavarur. Madje është pak të thuhet – i kapur.

Nëse i hedhim një sy kronikave gjyqësore, do të vërejmë se ky sistem në raste të caktuara u tregua tepër “efikas”. Sidomos kur ishin në pyetje shqiptarët. Madje, ky “efikasitet” u bë shembullor edhe duke dhënë vendime gjyqësore mbi raste komplet të inskenuara.

Mirëpo dardha e ka bishtin prapa, thotë populli. Askush nuk e ka marrë me mend se do të vijë një ditë që po ky sistem drejtësie të komprometohet kaq shumë. Faktet e reja që dolën nga video-xhirimet e publikuara në median italiane, tregojnë për kalbëzimin e një sistemi, i cili në fund do t’ia bënte varrin vetvetes.

Ata që ndanin (pa)drejtësi skandaloze për shqiptarët, tash u ballafaquan ballafaquan  me turpin, por edhe me burgun. Sepse, ata thasë me para nuk kanë fluturuar në ajër.

Afera “Haraçi” e kishte rrjedhën e vet, i kishte protagonistët e vet dhe duhej ta kishte epilogun e vet. Kjo aferë nuk mund të trajtohej e copëzuar, sepse faktet që dolën dëshmuan për përmasat shqetësuese të përfshirjes së më shumë protagonistëve në këtë aferë. Kishte zëra që thoshin  se gazetari italian që po i publikonte këto video-xhirime po sponsorohej nga VMRO-DPMNE, si hakmarrje ndaj Zaevit për bombat që ai kishte publikuar kundër Gruevskit.

(Pa)vërtetësia e këtij spekulimi mund të kishte zero relevancë, por ajo që mbetet e pandryshuar është bindja se një shtet që është kaq i ekspozuar ndaj përgjimeve dhe një shtet që nuk ka vendosur mekanizma të fortë se kush dhe kur mund të përgjohet, ai shtet e ka vështirë të ndërtojë institucione të fuqishme që do të përballonte stuhitë e natyrave të ndryshme.

Është sfidë, por edhe frikë e madhe të jetosh në një xhungël të tillë ku secili mund të përgjojë dhe çdo njeri nga ne mund të jemi viktimë këtyre pisllëqeve që i bëjnë “minjtë” e fëlliqur të gjirizeve politiko-policor.
Krejt në fund..

Pyetja që del nga titulli: Kur do të marrin fund këto “burgjet turistike” për maqedonasit?! lidhet me thelbin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut, kurse ata që do të kenë kurajon që këtë shtet ta lirojnë nga kthetrat e këtij sistemi gladiatorësh që ndajnë drejtësi selektive, do të jenë njëkohësisht edhe më meritoritorët për evropianizimin e këtij shteti. Nëse nuk ndodhë kjo, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të vegjetojë në mes të lindjes dhe perendimit, në mes të demokracisë dhe reformave të improvizuara, në mes të elitave politike me formim të mirëfillt intelektual dhe elitave që formimin e tyre e bazojnë në shkollat e vjetra të dredhive e prapaskenave.

Shkup, 24 korrik 2022